` . Historiku i zgjedhjes së kryeministrave të Kosovës - TV SHENJA

Historiku i zgjedhjes së kryeministrave të Kosovës

Janë bërë 21 vite që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Që nga ajo kohë Kosova ka pasur tetë kryeministra deri më tash. Për herë të parë pas luftës në Kosovë, zgjedhjet e para demokratike u mbajtën në vitin 2001.

Pas këtyre zgjedhjeve parlamentare partia e parë doli LDK-ja e udhëhequr në ato kohë nga ish-presidenti Ibrahim Rugova.

Bajram Rexhepi

Pas tre muajve bisedime, më 4 mars të vitit 2002 kryeministër i Kosovës u zgjedh Bajram Rexhepi nga PDK-ja. Ai ushtroi postin e kryeministrit të Kosovës deri më 3 dhjetor 2004, shkruan Telegrafi.

Ramush Haradinaj

Në vitin 2004 u mbajtën zgjedhjet e radhës, ku pas këtyre zgjedhjeve ish-presidenti Rugova lidhi koalicion me AAK-në, dhe postin e kryeministrit ia dorëzoi Ramush Haradinajt.

Haradinaj në këtë periudhë qeverisi vetëm 100 ditë pasi që u ftua nga Tribulani i Hagës si i akuzuar për krime lufte. Haradinaj ishte zgjedhur kryeministër edhe në vitin 9 shtator 2017 deri më 3 shkurt 2020.

Bajram Kosumi

Më 25 mars 2005 kryeministër i Kosovës zgjidhet Bajram Kosumi i cili nuk arriti të qeverisë plotësisht një vit. Ai ishte kryeministër deri më 10 mars 2006.

Agim Çeku

Pas tij radha për të hyrë në histori si kryeministër i Kosovës i vie Agim Çekut. Çeku u bë kryeministër më 10 mars 2006. Ai arriti të qëndrojë në detyrë për afro dy vjet, deri më 9 janar 2008.

Hashim Thaçi

Në vitin kur Kosova pritej të niste historinë si shtet demokratik dhe i pavarur, kryeministër ishte zgjedhur Hashim Thaçi. Thaçi erdhi në krye të shtetit më 9 janar 2008 deri më 17 shkurt 2008 në ditën kur Kosova shpalli Pavarësinë e saj, për të vazhduar pastaj mandatin e tij edhe për gjashtë vite me radhë deri më 9 dhjetor 2014.

Isa Mustafa

Pas zgjedhjeve të mbajtura në vitin 2014, më 9 dhjetor të këtij viti kryeministër i ri i Kosovës zgjidhet Isa Mustafa. Mustafa qeverisi më vendin për tri vjet deri më 9 shtator 2017, në koalicion së bashku me PDK-në.

Viti 2020 do të mbahet mend për ndërrimin e dy kryeministrave brenda një periudhe të shkurtër kohore, shkruan Telegrafi.

Albin Kurti

Pas zgjedhjeve që u mbajtën më 6 tetor 2019, më 3 shkurt të vitit 2020 Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje zgjedhjet kryeministër i Kosovës. Kurti pas 50 ditëve qeverisje u shkarkua nga Kuvendi i Kosovës pas mocionit të iniciuar nga partneri i tij i koalicionit LDK. Kurti e vazhdoi mandatin e tij si kryeministër në detyrë deri më 3 qershor 2020.

Avdullah Hoti

Më 3 qershor 2020, Kuvendi i Kosovës zgjodhi kryeministër Avdullah Hotin nga LDK-ja, pasi që kjo parti lidhi koalicion me AAK-në, Nisma Socialdemokrate, Listën Serbe dhe komunitetet jo-serbe.

Mbetet të shihet se deri kur Hoti do të jetë kryeministër i Kosovës, marrë parasysh historikun e qeverive të kaluara të cilat nuk kanë arritur ta përfundojnë mandatin e plotë qeverisës që është prej katër vitesh.

Ndryshe, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë në qershor të vitit 1999, Kosova ishte udhëhequr nga Qeveria e Përkohshme, ku kryeministër ishte presidenti aktual, Hashim Thaçi.