Historike, Monza merr fitoren e parë në Serinë A ndaj skuadrës me më shumë tituj

Historike, Monza merr fitoren e parë në Serinë A ndaj skuadrës me më shumë tituj

Monza gjen fitoren e parë në histori në Serinë A dhe e bën këtë në shtëpi, në “Brianteo”, pikërisht ndaj skuadrës që numëron më shumë tituj kampionë në histori, Juventusit. Skuadra nga Brianza ia doli të triumfojë me rezultatin minimal 1-0, teksa sfida u vendo nga një gol i danezit Gytkjaer në minutën e 74-t.

Pritej reagimi i Juventusit në fakt, që vinte në këtë takim me shumë mungesa, përfshi edhe ato të Allegrit, Cuadrados e Milik të pezulluar, megjithatë bardhezinjtë vuajtën jo pak dhe në fundin e pjesës së parë mbetën me 10 futbollistë, pasi Di Maria goditi kundërshtarin me bërryl dhe u ndëshkua me karton të kuq.

Me një lojtar më pak dhe me shumë të rinj në fushë, Juventusi rezistoi deri në minutën e 74-t, kur Gytkjaer dërgoi topin në rrjetën e Perin dhe bëri që në stadium të nisë festa, me Monzën që mori kështu fitoren e parë në histori, në Serinë A.

Jep efekt kështu edhe ndryshimi i trajnerit, pasi Palladino e nis me fitore eksperiencën e tij te Monza, diçka që paraardhësi i tij, Giovanni Stroppa nuk e bëri në gjashtë javët e para të kampionatit.

Nga ana tjetër Juventus ka marrë vetëm 10 pikë në 7 javë dhe është në krizë totale, teksa pankina e Allegrit rrezikohet jo pak.