Historia që nuk shkruhet, harrohet

Historia që nuk shkruhet, harrohet

Editorial i Revistës SHENJA

Shkruan: Ismail SINANI

Po kalojnë pak më shumë se 30 vjet nga përmbyllja e epokës më të tmerrshme të historisë moderne të shqiptarëve, ndërsa neve vazhdon të na mbetet pezull e vërteta se ç’ndodhi në ato 45 vjet të komunizmit.

Ndonëse zyrtarisht nga viti 1991 e këndej komunizmin e kemi lënë prapa krahëve, ne ende dimë shumë pak për ato vite të errëta. Shqiptari në Shqipëri, kujtimet për atë periudhë sot i ka të mjegullta, sepse është i zënë pas gjërave të tjera, ai i Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut shtiret sikur para periudhës së çlirimit nga zgjedha serbe dhe merret vetëm me eurointegrimet, duke lënë kështu në bodrumet e memories kolektive tmerrin e komunizmit.

Dhjetëra mijëra viktimat nga dora e atij regjimi sot nuk i bën hesap askush. Secili sorollatet me konceptet e veta (gjeo)politike pa bëzajtë aspak për ata dhe ato që u vranë, u keqtrajtuan e u çnderuan nga ata dhe ato, që kishin krijuar antifenë e tyre, që shkatërroi indin e një kombi të tërë.

Kjo tragjedi kombëtare, që lëshoi rrënjë në trungun tonë aty diku kah viti 1943 e i nxori “filizat” në ’45-tën, u bë lajmëtare e asaj që meriton një studim të mirëfilltë të historisë me këndvështrim socio-politik. Por, ja që nuk po ndodhë.

Ndonëse një komb i tërë, komunizmin e përjetuan ndryshe në Shqipëri, e ndryshe në Kosovë dhe në Maqedoni, tashmë të Veriut.

Por, si në njërin ashtu edhe në tjetrin vend, liria e kishte kuptimin e njëjtë. Në fakt, liria s’kishte kurrfarë kuptimi. Në Shqipëri liria nënkuptonte dashurinë ndaj Enverit, ndërsa këndej kufirit liria nënkuptonte dashurinë ndaj Titos. Ai andej ka vrarë rreth 7000 mijë veta, ky këndej ka vrarë dhe persekutuar me qindra mijëra veta. Ata andej kanë vuajtur për bukë, këta këndej kanë lënë bukën dhe janë detyruar dhunshëm të shpërngulen në Turqi. Ata andej kanë vuajtur se kanë jetuar në kazamate, këta këndej kanë vuajtur për një copë Shqipëri…

E sot, Burreli, Spaçi, Goli Otoku… as që përmenden diku. Kujtimet e ish të burgosurve as që i lexon kush. E kur ndonjëri prej tyre merr guximin të hedhë në letër diçka nga ajo që ka përjetuar, të gjithë e shikojnë me përçmim, duke bërë një koment sa brutal aq edhe të dhimbshëm: kjo që është shkruar është ekzagjerim.

Sikur nuk po arrijmë ta kuptojmë deliriumin komunist si ideologji e ekstremit, që ia ka dhënë vetes për detyrë ta ndërtojë njeriun e së ardhshmes, pa emocione, njëjtë sikurse e përshkruan e ironizon Xhorxh Oruelli në librin e tij “1984”.

Lea Ypi, stërmbesa e Xhafer Ypit, i cili kishte drejtuar Shqipërinë pak para se të binte në duar të komunistëve, në veprën e saj “Të lirë”, ka vendosur edhe një nëntitull shumë domethënës, “të rritesh në fund të historisë”. Shqiptari i atyre 45 vjetëve ka qenë në fundin e historisë së kohës. Ai ka qenë i përbuzur, pa buzëqeshje, i traumatizuar… Thjesht, ka qenë një hiq.

E sot askush nuk i rreket hapjes së dosjeve. Tashmë një kohë të gjatë disi po shfaqet një hezitim për ta zbardhur këtë pjesë të historisë së kombit tonë.

Tezat për këtë hezitim janë nga më të ndryshmet. Ca thonë se në këtë mënyrë do të rihapen plagët e vjetra e kështu do të ringjallet një hasmëri e panevojshme, ca thonë se të kaluarën duhet lënë prapa krahëve, por nuk janë të paktë edhe ata që thonë se pengimi për hapjen e dosjeve vjen pikërisht nga ajo klikë që janë pasardhës të komunistëve të vjetër që në kohërat tona shtiren si përqafues të vlerave demokratike, e në fakt janë pinjollë të atyre që në atë kohë mund të kenë kryer krime.

Andaj, parashtrohet pyetja se si duhet të sillemi ne shqiptarët karshi këtij fenomeni? A duhet të heshtim apo duhet thënë të vërtetë me çfarëdo çmimi? A duhet të ngelemi peng të “recidivëve të komunizmit” apo u duhet thënë troç atyre se kush janë dhe çfarë janë? Si është e mundur që trojet shqiptare të jenë të vetmet në Europë, në të cilat nuk është dhënë llogari për krimet e atij sistemi? Pse tolerohet rehabilitimi në heshtje i figurës së Enver Hoxhës? A ka politika e sotme ende enveristë? Përse asnjë kriminel i komunizmit nuk ka vuajtur e nuk vuan burg? Si duhet të sillen institucionet me familjet që e kanë pësuar më së keqi nga dora e sistemit? Apo, thjesht, a është lidershipi ynë i sotëm (me përjashtime), peng i të bëmave të etërve të tyre?

Pyetjet janë të shumta. Ato nuk përfundojnë me kaq. E keqja është te teoria dhe definicioni i reflektimit që paraqet pasqyrim i një të vërtetë. Në këtë rast e vërteta na mungon e kjo na tregon se nuk kemi mësuar asgjë nga e kaluara. Dosjet vazhdojnë të kalben nëpër arkiva e, bashkë me ta, edhe eshtrat e atyre që nuk panë dritë. Historia që nuk shkruhet, harrohet.