Hill: Ka dukshëm më tepër mundësi për përparim në dialog sesa për konflikt

Hill: Ka dukshëm më tepër mundësi për përparim në dialog sesa për konflikt

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë duhet të bëjnë më shumë për të zgjidhur çështjet e diskutueshme, ndërsa ka shtuar se mendon se ka shumë më tepër mundësi për një përparim në dialog sesa një konflikt të ri më 1 shtator.

Hill i është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në rrjete sociale rreth dialogut dhe rrezikut të konfliktit.

“Përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës kanë ndërmjetësues mjaft të mirë nga BE-ja dhe SHBA-të janë gjithashtu shumë aktive. Mezi pres të shoh një përparim, dhe mendoj se të gjithë mund të shtyjmë për këtë dhe të sigurohemi që të gjithë të jenë në detyrë dhe të shohin përpara”, thekson Hill, raporton televizioni publik.

Rundi i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, do të mbahet më 18 gusht në Bruksel, ku do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Duke komentuar faktin se Serbia është i vetmi vend evropian që nuk dëshiron të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Hill tha se është e qartë se Serbia ka një qëndrim ndryshe nga SHBA-ja dhe partnerët e saj evropianë.

“Mendoj se është e rëndësishme të përqendrohemi në gjërat për të cilat biem dakord dhe të përpiqemi të ecim përpara së bashku”, tha Hill.