Hill iu bën thirrje serbëve t’iu kthehen institucioneve në Kosovë

Hill iu bën thirrje serbëve t’iu kthehen institucioneve në Kosovë

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në vend duke iu bërë thirrje serbëve që t’i kthehen detyrave të tyre në institucionet e Kosovës.

Të shtunën serbët e Kosovës dhanë dorëheqje nga të gjitha pozitat në institucionet publike, në shenjë proteste ndaj vendimit për implementimin e targave, dhe kërkuan formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Hill tha se Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se ngjarjet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rrezikojnë përparimin e rëndësishëm të bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Prandaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke iu bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë angazhimet e tyre nga dialogu dhe t’i kthehen detyrave të tyre në institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, tha Hill për një medium serb.

Ai tha se SHBA-ja i bashkohet BE-së duke iu bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë, që do të thotë se procesi për ri-regjistrimin e automjeteve duhet të zgjatet menjëherë dhe çdo masë ndëshkuese ndaj pronarëve të targave KM të pezullohet derisa palët të zgjidhin çështjen e targave brenda dialogut.

“Kjo nënkupton edhe fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, që është obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën”.

Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, tha Hill.

Ai u bëri thirrje të dyja palëve që “të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim”.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar ndërmjetësimin e negociatave”. “Të dyja palët duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë angazhimet e marra në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, tha Hill.