` . Handke, hipokrizia e një çmimi - TV-SHENJA

Handke, hipokrizia e një çmimi

“Cilatdo qofshin pengesat tona vetjake, fisnikëria e zanatit tonë do të rrënjoset gjithmonë në dy zotime të vështira për t’u mbajtur: të mos gënjesh mbi atë çka di dhe të kundërshtosh shtypjen…” (Albert Kamy)

Shkruan: Agim BAÇI, Tiranë

“Një talent, por… një katastrofë morale!” Ky ishte thelbi i konstatimit për Peter Handken nga shumica e kolegëve të tij jo vetëm nëpër botë, por edhe në qytetin ku ai adhurohet më shumë, në Beograd. 76-vjeçari austriak, që e kishte injoruar në vitin 2014 çmimin Nobel, tashmë është më shumë i njohur për publikun për qëndrimet e tij në mbrojtje të Sllobodan Millosheviqit, sesa për romanin “Ankthi i portierit gjatë penalltisë” që ishte njëra prej veprave që e bindi Akademinë Suedeze për shpërblimin e tij si fitues i vitit 2019. Sekretari i përhershëm i Akademisë Suedeze, Mats Malm, duke marrë përsipër t’u përgjigjej kritikave të menjëhershme që përfshinë thuajse gjithë qarqet letrare dhe politike, tha në një prononcim për gazetën The New York Times se Handke u zgjodh sipas kritereve letrare dhe atyre estetike. “Nuk është mandat i Akademisë që të balancojë cilësinë letrare kundrejt konsideratave politike”, shtoi Malm, duke kujtuar se motivacioni i dhënies së çmimit për Handken ishte “për një vepër me ndikim, që me zotësi gjuhësore ka eksploruar periferinë dhe specificitetin e eksperiencës njerëzore”. Ky qëndrim i Malm-es, përveçse rihap një debat të vjetër, të fokusuar sidomos nga studiuesi francez Roland Barthes, nëse duhet ta ndajmë apo jo shkrimtarin nga vepra, rikthen edhe çështjen nëse është edhe politik, apo jo, dhënia e një çmimi kaq prestigjioz nga Akademia Suedeze e Nobelit. Por, Akademia duket se, me dhënien e çmimit të Handkes, kishte lënë në harresë dhjetëra qëndrime të fituesve të mëparshëm, mes të cilëve Kamy ose Pamuk, që kishin theksuar gjatë ceremonive të marrjes së çmimit se “misioni i shkrimtarit është të mos pajtohet me gënjeshtrën dhe mashtrimin, por t’i shërbejnë të vërtetës dhe lirisë”. Dhe, e vërteta është se qëndrimet e nobelistëve kanë qenë gjithnjë të rëndësishme për miliona lexues që i kanë ndjekur librat e tyre. Pikërisht për këtë arsye, laurimi i Handkes është i rrezikshëm, pasi një çmim i tillë rrezikon t’u japë moral qëndrimeve të tij të pamoralshme, madje të kobshme për arsyen e shëndoshë njerëzore. Kjo edhe për faktin se Peter Handke nuk ka mbajtur thjesht vetëm qëndrime jashtëletrare, por i ka përshirë ndjesitë e tij pro nacionalizmit ekstrem serb në dy libra shënimi udhëtimesh dhe në një skenar për teatër. “Jemi të shtangur me përzgjedhjen e një shkrimtari i cili ka shfrytëzuar zërin e tij publik për të minuar të vërtetën historike dhe për t’iu ofruar ndihmë publike autorëve të gjenocidit, si ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, dhe ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq”, thuhet në qëndrimin e organizatës PEN America menjëherë pas dhënies së çmimit.

Hipokrizia

Por a jemi krejtësisht ndershmëri në reagimet ndaj dhënies së çmimit Nobel për kontroversin austriak Handke? Hipokrizia e parë i përket vetë Akademisë Suedeze, e cila një vit më parë kishte anuluar dhënien e çmimit Nobel për vitin 2018 për shkak të një afere seksuale që lidhej me emrin e Jean-Claude Arnault, një personalitet kulturor në Suedi, bashkëshort i poetes KatarinaFrostenson, anëtare e Akademisë, i cili u dënua për përdhunim në tetor 2018. Gjithkush me të drejtë mund të pyesë: si është e mundur që të anulohet çmimi për një rast të tillë e më pas t’i jepet çmim një personi që vijon të mohojë ende, edhe pas dhënies së çmimit, gjenocidin e Srebenicës apo atë të Kosovës? A mos vallë një krim, edhe pse tejet i shëmtuar, si afera seksuale, të jetë më e rëndë se sa gjenocidi?!

Ndërkaq, nga ana tjetër, pavarësisht të drejtës së madhe për ta kundërshtuar marrjen e një çmimi të tillë nga një njeri si Handke që refuzon të konsiderojë gjenocid ngjarjet në Srebenicë, Celinë e Rahovec, mjaft nga kundërshtarët e tij në rajon, sidomos shkrimtarë e akademikë shqiptarë, janë ende duke notuar në detin e pamoralshëm të së shkuarës. Kështu, Akademia e Shkencave në Shqipëri dënoi vendimin e Akademisë së Nobelit për Handken, ndërkohë që në 28 vite pas ndryshimeve politike nuk ka shënuar asnjë deklaratë për të dënuar krimet gjatë diktaturës së Enver Hoxhës që ishte një makinë jo vetëm vrasëse, por edhe denatyruese e jetës për gati 50 vjet e shqiptarëve të rrethuar në 28 mijë kilometra katrorë. Mungesa e deklaratave të tilla e bën të pabesueshme moralisht një akademi, e cila duket më  shumë e shqetësuar se përse nuk e fitoi shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, sesa për fitoren e Handkes.

Por, për Handken ka pasur qëndrim kontradiktor më parë edhe në vende si Gjermania, e cila ka shfaqur një ndjeshmëri të madhe në ndëshkimin e krimeve të tilla. Në vitin 2006, kur këshilli i qytetit të Dyseldorfit anuloi çmimin Heinrich Heine prej 50 mijë eruosh, anëtarët e Ansamblit të Berlinit mblodhën 50 mijë euro dhe ia akorduan çmimin “Çmimi Heinrich Heine Berlin”, shumë të cilën ai ua dhuroi enklavave serbe në Kosovë. Gjithsesi autoriteti i Handkes nisi të rrënohej në mbarë botën, duke shënuar një refuzim të librave të tij në shumë vende.

Ndërkohë, elitat kulturore dhe politike kanë heshtur për shkrimtarë, fitues të mëparshëm të këtij çmimi, si i famshmi dhe i gjithëlexuari Gabriel Garsia Markez, i cili jo vetëm që ka qenë një adhurues i diktatorit kuban Fidel Kastro, por edhe ka heshtur në rastin e dënimit të poetit Herberto Padillas që Kastro e shpalli kundërshtar të regjimit. Askush nuk ka folur kundër figurës së Markezit edhe pse Padilla i kërkoi ndihmë atij që të firmoste një peticion që ishte kundër dënimit të tij, një peticion që e kishin firmosur dhjetëra shkrimtarë të tjerë të udhëhequr nga peruani Vargas Llosa. Kjo heshtje e shoqërive moderne ka vlejtur edhe në rastin e adhurimit të Sartrit ndaj Stalinit e Maos apo të Ezra Paundit ndaj Musolinit.

Këto janë vetëm disa nga shembujt për të kujtuar se e keqja nuk duhet të jetë e seleksionuar, por kërkon më së pari një ndëshkim me ndershmëri qëndrimesh. Kjo vlen edhe për çdo individ që kërkon të ndezë dritat e qëndrimeve morale tek shoqëritë e tjera, ndërkohë që nuk ka as edhe një qiri moral të ndezur në shoqërinë ku jeton, në përditshmërinë e tij, teksa sheh se si e keqja dhe amoralja shitet si zhvillim dhe shumica vetëm duartroket.

Arti nga artisti dhe qëndrimi moral

Nuk ka një mendim të ndarë qartësisht nëse duhet apo jo ta ndajmë autorin nga vepra gjatë leximit. Eseja provokuese e Roland Barthes-it “Vdekja e autorit” gati gjysmë shekulli më parë ka mbetur një debat i përhershëm në qarqet akademike. Në thelb të esesë së Barthes-it qëndron mendimi se “te lexuesi, te audienca skaliten kuptimet e veprës”. Edhe teoricienë të tjerë si H. R. Jaus, Norman Holland, VofangIser dhe Stenfli Fish anulojnë më shumë nga ajo që i përket lexuesit, fuqisë së tij në ridimensionimin e veprës. Por, edhe dyshimet për autorësinë, si në rastin e Homerit, Shekspirit, apo në rastin e pseudonimeve si Molieri, Mark Tueni, Oruelli, janë veçse një shteg i hapur për këtë debat. Ndërkohë, teoricienë të tjerë e lidhin ngushtësisht veprën me autorin, pasi në kuptimin klasik, stili në letërsi nënkupton mënyrën personale të të shkruarit. “Stili është vetë autori”, shprehej studiuesi francez Buffo, duke dhënë ndoshta edhe përkufizim më klasik të stilit. Për Gëten, vepra kishte stil kur arrinte një harmoni origjinale, përmbyllëse, të papërsëritshme të vetën, duke nënkuptuar këtu fuqinë e origjinalitetit të autorit dhe ideve të tij. Edhe për Marsel Prustin stili kthehej në një lloj zgjuarsie, që e veçon shkrimtarin nga autorët e tjerë.

Por, pavarësisht rëndësisë së madhe që ka ky debat për orientimin e lexuesit, duhet të pranojmë se në botën e sotme postmoderne, kur rrjetet sociale më shumë përhapin jetën e autorit fitues sesa vlerat e veprës, qëndrimet politike apo sociale të tij marrin një fuqi të përbotshme. Ndaj, edhe debati aq i rëndësishëm për vlerat letrare dhe për stilin kanë kaluar në rend të dytë. Mjafton të theksojmë faktin se për nobelisten bashkëshoqëruese të Handkes, polaken Olga Tokarczuk, që fitoi çmimin e munguar të vitit 2018, ende nuk flet askush. Ose është folur shumë pak, duke e kthyer kështu figurën morale të shkrimtarit në një plan të rëndësishëm.

Pavarësisht asaj çka mund të arrijnë studiuesit, ne fare lehtësisht duhet të pranojmë se talentin e një shkrimtari as nuk e bëjnë e as nuk e zhbëjnë peticionet. Por, rasti i Handkes është një apel që të keqen, sado artistikisht të na vijë, sado me estetikë të jetë e fshehur, ne duhet ta themi me zë të lartë. Sepse, një vepër arti, siç thoshte Umberto Eko, ka nevojë për t’u hetuar nga lexuesi. E keqja nuk mund të na fshihet nëpër nota estetike, pasi kjo do të ishte një e keqe që do të mbillej edhe më thellë në kulturën njerëzore.