Hamasi pohon të ketë penguar disa operacione të inteligjencës izraelite në Gaza

Hamasi pohon të ketë penguar disa operacione të inteligjencës izraelite në Gaza

Ministria e Brendshme e drejtuar nga Hamasi tha sot se ka penguar disa operacione të inteligjencës izraelite në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Informacioni u bë i ditur nga Iyad al-Buzum, zëdhënësi i ministrisë, i cili megjithatë nuk dha asnjë detaj për operacionet e penguara.

Të hënën, televizioni Al-Jazeera me bazë në Doha tha se muajin e kaluar autoritetet malajziane kishin liruar një palestinez të rrëmbyer nga agjentët izraelitë të Mossad-it në kryeqytetin Kuala Lumpur.

“Kjo nuk ishte hera e parë që Mossad-i dështoi në kryerjen e operacioneve kundër palestinezëve”, tha al-Buzum për AA.

Autoritetet izraelite nuk e kanë komentuar këtë zhvillim.

Në vitin 2018, Fadi al-Batsh, një inxhinier kërkimor që mendohet të jetë i lidhur me Hamasin, u qëllua për vdekje pranë shtëpisë së tij në kryeqytetin e Malajzisë nga dy persona të armatosur që u larguan nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa familja e tij ka akuzuar agjencinë izraelite të spiunazhit Mossad për kryerjen e atentatit, ministri i atëhershëm izraelit i Mbrojtjes Avigdor Lieberman kishte mohuar përfshirjen e Izraelit.

Izraeli besohet gjerësisht se ka vrarë shumë aktivistë palestinezë në të kaluarën, shumë prej tyre jashtë shtetit.

Në vitin 1997, në Jordani, agjentët e Mossad-it u përpoqën dhe dështuan të vrisnin shefin e atëhershëm politik të Hamasit, Khaled Meshaal, duke e spërkatur me helm në vesh.

Mossad-i gjithashtu besohet të ketë qenë pas vrasjes në vitin 2010 të komandantit të lartë të Hamasit Mahmud al-Mabhuh në një hotel në Dubai.

Izraeli kurrë nuk e ka konfirmuar apo mohuar përfshirjen e tij në vrasjen e Mabhuh-ut.