Hahn në Tiranë: Lufta kundër krimit, prioritet në marrëdhëniet BE-Shqipëri

Hahn në Tiranë: Lufta kundër krimit, prioritet në marrëdhëniet BE-Shqipëri

Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, në Tiranë është takuar me kryeministrin Edi Rama për të diskutuar përparimin në reformat që lidhen me integrimin në BE dhe zhvillimet e fundit politike në rajon.

Siç ka njoftuar delegacioni i BE-së, Hahn ka deklaruar se është e rëndësishme të vijohet me impulsin e mirë të vitit të kaluar.

Ai po ashtu ka thënë se reforma në drejtësi vazhdon të japë rezultate dhe ristrukturimi institucional i gjyqësorit duhet të përfundojë brenda javëve të ardhshme.

Zyrtari europian vuri në dukje veprimet e kohëve të fundit kundër krimit të organizuar, megjithatë tha se duhet të pasohen me ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, shkruan Top Channel.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet mbeten prioritete në marrëdhëniet BE-Shqipëri”, tha Hahn, i cili shprehu shqetësim rreth numrit ende të lartë të aplikimeve për azil.

Komisioneri nënvizoi se dialogut konstruktiv politik midis të gjitha partive politike, si dhe gatishmëria për të punuar së bashku në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë, është thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Ai apeloi për një marrëveshje në lidhje me reformën zgjedhore.

Komisioneri Johannes Hahn paraprakisht ka vizituar Kosovën ku ka takuar kryeministrin Ramush Haradinaj.

Përmes një cicërime në llogarinë e tij në Twitter, Hahn ka dhënë disa detaje nga ky takim.

”Vizita ime e parë për 2019-të në rajon: Këtë mbrëmje në Prishtinë pata diskutim të mirë dhe të hapur me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrat. Duke shpresuar që të punojnë ngushtë në të gjitha çështjet e hapura për këtë vit, në mënyrë që Kosova mund të arrijë progres në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”, ka shkruar ai.