` . HAFËZ ABLLA (HAFËZ MENSURE IDRIZI) (1924-1992) - TV SHENJA

HAFËZ ABLLA (HAFËZ MENSURE IDRIZI) (1924-1992)

Ismail BARDHI

Ngjarjet domethënëse të shekullit XX nuk duket se e tronditën intelektualin. Deri më tani vetëm hidhërimi dhe keqardhja kanë ndodhur gjatë krizave në grupet shoqërore, gjatë shembjes së familjes dhe kombit ose fesë dhe shtetit (siç shihet në vështirësitë me të cilat përballet funksioni i prindit, mual-limit, mësuesit) ose në kodet e lartësimit dhe ligjit, si edhe në fenomenete reja të fashizmit dhe socializmit. Nuk ka asnjë analizë rrënjësore të shkaqeve simbolike dhe politike të këtyre fenomeneve, e lëre më një ekzaminim themelor të marrëdhënies së individit me masat dhe, a fortiori, të intelektualit me shoqërinë. Pikërisht për shkak të mungesës së analizave dhe pyetjeve të pambaruara ne shohim se roli i intelektualit perëndimor reduktohet në rolin e interpretuesit të grupeve shoqërore. Intelektualët (të bërë domosdoshmërisht nga zhvillimi aktual i forcave prodhuese një entitet i veçantë sociologjik) e përdorin perspektivën e tyre superiore historike të trashëguar nga shekulli i nëntëmbëdhjetë për t’iu përkushtuar një beteje, ideali i së cilës është i qartë – ai i barazisë shoqërore dhe ekonomike. Ky ideal shërben për të fshirë tiparet e veçanta të punës intelektuale dhe përjetësimine mitit të një shoqërie të suksesshme, mesianizmi i së cilës, kur nuk është utopik, kufizohet me totalitarizmin.

Për temën që dëshiroj të flas do të mbështetem tek thënia e El-Kushejriut: “Evlija janë ata, bindja e të cilëve e arrin përhershmërinë pa ndërhyrje të mëkatit te ta; të cilët i ruan dhe i mbron Allahu më i Lartë, në mënyrë të përhershme, nga dështimet e mëkatit me anë të fuqisë së akteve të bindjes” (IbnAbidin, “Resail” (2:277)). Deshëm apo s’deshëm, neve na imponohet kuptimi/frika e dallimit, të mos them e diskriminimit, si për shembull “popujt e mëdhenj dhe popujt e vegjël”. Fetarisht nuk ka diçka të tillë, por nga aspekti sociologjik dhe statistikor ato kanë një peshë, të mos them frikë. Si sintezë që i kapërcen këto përmasa është kuptimi i një lartësie shpirtërore, gjegjësisht kuptimi i të shenjtës te i shenjti. Mos u frikësoni! Mendoj në këtë: robi i Zotit i lartësuar shpirtërisht te Zoti. Këto kanë qenë dhe duhet të jenë shenja me një domethënie të veçantë ose heshtje. Në këtë rrëmujë të zhvillimeve të ndryshme, prej njëmjedisi ku jetoj(më), një kohë xhaminë e kishim të zbrazët për arsye të ndalimeve, ndërsa sot xhamitë i kemi të zbrazëta në mënyrë identike si në kohën e komunizmit, përpos ditën e premte. Nuk po them “e xhuma”, sepse Islami i Kur’anit dhe i traditës së Pejgamberit s.a.v.s. nuk njeh diçka të tillë. Si duket, kjo mbështetet mbi shprehitë e kohës kur tërë feja reduktohet në një ditë brenda javës, ku nuk e di kush është “me” e kush “pa” abdest, një kohë ku urdhri i Zotit e ka humbur kuptimin burimor. Nuk ka Islam vetëm me xhuma. Siç duket, katilë për një gjë të tillë, për fat të keq, janë bërë “profesorët”, “intelektualët”. Këtë nuk kam dëshirë ta kuptoni si fyerje, por e them duke u mbështetur në kohën kur kishim ca hoxhallarë, që nuk i quanim “intelektualë”, e të cilët kishin një “sarëk” ndonjëherë edhe të palarë dhe një xhybe të zhubrosur, kurse “intelektualë” në atë kohë ishin disa “të tjerë” dhe “të paprekshëm”. Tani janë përzier punët. Kjo që e them nuk është shaka, por është vërejtje që bën thirrje për një rikthim ose një pyetje se a thua vallë mos e ngushtuam rrethin mistik ose personat shpirtërorë, të cilët kanë ditur t’i frikohen Zotit dhe nuk kanë “shkruar” diçka, që sipas mentalitetit të sotëm “profesorët” mund të ngelin me gisht në gojë dhe nuk kanë mundësi t’u japin notë. Por, mos harroni se ata i ka shpëtuar Zoti nga profesorët që vetëm japin nota edhe nëpër vende të ndaluara higjienike. Një pasqyrë e tillë sot përflitet te një rreth i ngushtë dijetarësh, që e kanë kuptuar dhe e kuptojnë seriozitetin e kohës. Ky lloj personash ka qenë i rrallë dhe ka mbetur i tillë.

Duke u bazuar mbi këtë pasqyrim, u detyrova ta pyes veten se ku gjendem unë? Në çast m’u parafytyrua mualimja te e cila e kam mësuar alfabetin e Kur’anit, respektivisht Kur’anin. Për mua aso kohe ajo ishte një grua shumë e moshuar, ngaqë unë isha 5-vjeçar. Atëbotë shpeshherë nuk e kuptoja se çfarë thoshte, por e di se kishte frikë nga harami dhe mashtrimi; ishte e dashuruar tepër në Fjalën e Zotit; heshtja e saj ishte vetë Kur’ani, po ashtu edhe turpi (hajâ). Më duket se nuk e teproj nëse them se po t’i kishte dalë nga truri ekzistimi i Fjalës hyjnore dhe fjala “turp”, ajo me siguri do të ishte e vdekur. Kjo ishte mualimja ime, Hafëz Ablla – hafëz Mensure hanëmi, vajza e një alimi klasik me pak libra, por me shumë devotshmëri dhe heshtje fetare. Kjo familje thuajse e tëra ishte me hafëzë të Kur’anit. Kur’ani ishte disiplina shpirtërore e kulturës.

Ka pasur momente që më kanë detyruar të mendoj dhe t’i shtroj pyetje vetes se pse pikërisht kështu, që kjo familje ta përjetojë këtë izolim të tillë, këtë burgosje shtëpiake?! Mos vallë kjo ka pasur mbështetje racionale? Po nëse eventualisht merremi me këtë çështje, duke u bazuar në racio, të mos them mbi partizanllëkun racional intelektual të çdo kohe te ne, që nuk ka sjellë asgjë pos mjerimit dhe shkatërrimit, kemi mundësi që veprimin e këtillë ta vendosim mes “primitivizmit” dhe “përparimit”. Por, unë do të kisha thënë se kemi mundësi të ballafaqohemi me një luftë shpirtërore që është përjetuar, respektivisht që e ka përjetuar kjo motër muslimane, mualime e Kur’anit dhe edukatës shpirtërore, që është munduar ta përcjellë në atë kohë kur kjo ishte e ndaluar, faktikisht kur Zoti ishte “i dënuar” (hasha) nga njerëzit. Ky vendim, si duket, ka qenë i mbështetur në atë se duhet “luftuar” gjendja e tillë. Kur them “gjendja e tillë” mendoj në kohën kur sapo u etablua komunizmi dhe hapi i parë i tij ishte shpallja e “vdekjes” së Zotit dhe ringjallja e teorisë së Darvinit se njeriu është majmun/majmuni është njeri. Çfarë ka mundur të bënte kjo motër, kjo mualime, Hafëz Ablla, përpos që ta pranojë dënimin dhe ta luftojë atë brenda mureve ku ajo ka jetuar. Nuk ka qenë shaka të jetosh me vite të tëra e mbyllur brenda mureve të shtëpisë, brenda dhomës. Relacionii saj kryesor ka qenë me prindërit dhe vëllezërit e motrat. Ajo ishte kohë kur vetmia ishte e mbushur me gëzime dhe qetësi, kurse sot është shndërruar në “dije” dhe “robëri”.

Është diçka madhështore ta shohësh fuqinë shpirtërore te një motër fetare, e cila tamam në mënyrën më superiore intelektuale metafizike e lufton të keqen pa njerëz, sepse për të tërë bota ishin muret nga qerpiçi dhe kapixhiku qëkishte me fqinjët. Edhe këtu kishte seleksionim, sepse në ndonjërën nga anë te shtëpisë kishte frymë partizane, aty veshi i informatorëve. Pushteti, me spiunët e vet, mundohej ta kuptonte këtë mënyrë të vepruari, por nuk kishte kapacitet ta kuptonte një gjë të tillë. Pikërisht këtu qëndron urtësia e edukatës shpirtërore. Ishte sidomos çështja e ferexhesë, që këtë familje, respektivisht Hafëz Abllën, e kishte dënuar fizikisht, me qëllim që atë ta bëjë një material harxhues të kohës, duke harruar fuqinë e imanit, të devotshmërisë dhe të Kur’anit. Ajo gjithçka për vetveten e kishte Kur’anin, Fjalën e Zotit. Gëzimin më të madh e kishte me ata dy-tre fëmijë që ua mësonte leximin e Kur’anit, pastaj edhe mësimin përmendësh tëKur’anit. Ajo ulej me orë të tëra me fëmijët 5-6-vjeç duke i dëgjuar dhe duke e lexuar e përsëritur Kur’anin, në mënyrë që ta mësonin sa më mirë. Nuk e di sa kam të drejtë, kam frikë se mos bëj gabim, por e kam të domosdoshme ta them se metoda e hifzit asokohe, nga prizmi i tanishëm, ishte nga metodat që nuk kanë mbështetje as në Kur’an, as në traditën e pranimit dhe përcjelljes së Fjalës së Zotit. Nuk e di si kam mundësi ta arsyetoj atë metodë të rrethuar me traditën e “mëhallës”, që edhe sot është duke na lodhur, sepse kemi shumë lëshime në hifz. Konkretisht, fjala është për leximin e shpejtë, shumë të shpejtë, të Kur’anit. Atë nuk kam mundësi ta arsyetoj ndryshe,veçse të them se dikur kemi pasur frikë të jemi përballë zbritjes dhe pranimit të emanetit të Zotit xh.sh. Pastaj, mos harroni, edhe emaneti i dijes ka pasur tjetër peshë. Nuk është si sot. Sidomos në këtë kohë kur gjithçka është bërë “online”, e të mos them në këtë kohë të “ferexhesë” së detyrueshme që na e imponon virusi.

Nuk më kujtohet që ajo ndonjëherë të më ketë folur, pavarësisht moshës sime, e të më ketë thënë se “ja, këta janë qafirët…, këta janë ata që e luftojnë fenë…, këta janë ata që e kanë ndaluar ferexhenë”. Gjithë këtë ajo e shihte tamam si një parapërgatitje të vetë njeriut që bën diçka të tillë, që ndalon, respektivisht që prek namuzin në brendësinë e njeriut. Metoda për ta luftuar një gjë të tillë ishte që të mbrohej ana shpirtërore, ashtu siç ka vepruar edhe Rabijatu’l-Adevije: përballë mbajtjes fizike të trupit dhe fluturimit shpirtëror, e detyruar t’i shërbente “pronarit” të saj, kur i drejtohej Zotit me lutje: “O Zot, më fal që kohën po ma merr mbikëqyrja/kujdesi për një njeri shumë të devotshëm. Sikur të mos e kisha këtë detyrim, unë tërë kohën do të të përkushtohesha Ty”. Kjo edhe e detyroi njeriun në fjalë që ta lironte atë, sepse e pa shpirtin më të fuqishëm se trupin. Hafëz Mensurja ishte thuajse motër e Rabijatu’l-Adevijes, e cila kishte kohë edhe për lutje, edhe për lexim, por edhe për respekt të madh ndaj një prindi, që para se të burgosej, e kishte burgosur vetveten – hafëz Ibrahim efendiun.

Sa “qesharake” është koha e sotme përballë asaj kohe. Sot jemi të rrethuar nga kabadainj, “komandantë”, “gjeneralë”, e të mos flas për “amkademikë”; i vogël e i madh – i madh; i madh e i madh – i vogël. Kjo nuk mund të kuptohet nga njerëzit që vrapojnë pas diplomave, e të mos them pas pasurisë. Kjo është diçka e shtrenjtë. Kjo është letër e përhershme, që sa mendojmë se ka humbur, ajo paraqitet në një vend, qoftë në rërë ose në fushën pa njeri. Diçka të tillë e luftojnë vetëm personalitetet që i janë nënshtruar Zotit dhe janë të pasuruar me metafizikë. Këtij lloji njeriu ne mund t’i themi vetëm: “pse s’ke marrë diplomë!?”. Apo, pse nuk e ke hapur ndonjë dyqan të vogël ku do t’ua mbyllje rrugën të tjerëve apo ku do t’ia prishje estetikën mëhallës dhe qytetit!? Pa marrë parasysh shumë pyetjet pa përgjigje, mua m’u paraqit nevoja që ta përkujtoj atë, sepse pata frikë nga kuptimi i mosmirënjohjes ndaj kësaj motre muslimane, hafëze e Kur’anit, e rrethuar me Kur’an dhe hafizë të Kur’anit, në shtëpi ku mbështetja kryesore ishte edukata shpirtërore, frika nga Zoti, leximi, dëgjimi, përcjellja e Kur’anit, respekti ndaj prindërve dhe kujdesi për motrat e vëllezërit, e sidomos lufta kundër shejtanit ose frika që, mos dhëntë Zoti, shejtani ta mashtronte besimin e saj. Për t’u mbrojtur, ajo e kishte leximin e Kur’anit dhe abdestin e përhershëm. Sa mirë ka bërë që nuk fliste shumë. Nuk mund të them se ka përdorur ndonjë fjalor të veçantë, përpos atyre termave më kryesorë që kanë qenë çështje edhe për filozofët antikë, edhe për filozofët para nesh, sepse këta të tanishmit nuk patën mundësi të tregojnë vazhdimësi në mbrojtjen metafizike të së vërtetës. Këta të sotmit iu nënshtruan sundimit të sistemeve të ndryshme, njëri duke iu nënshtruar të djathtës e tjetri të majtës, që për motrën në fjalë ishin çështje shumë të qarta: sa më larg të majtës, sepse aty është shejtani i mallkuar dhe sa më afër të djathtës, që Kur’ani e përshkruan duke u mbështetur mbi devotshmërinë dhe dashurinë ndaj Zotit. Më kujtohet ecja nëpër oborrin e rrethuar me mure, përgatitja e stufës me tallash dhe pompa e ujit me dorë. O Zot i madh, sa e kujdesshme ishte për pastërtinë dhe përgatitjen e ushqimit me një lezet të veçantë, sidomos e piteve me spinaq dhe disiplina e saj plot respekt ndaj prindërve dhe ndaj njëri-tjetrit.

Nevojat e tilla kanë qenë dhe mbeten kërkesa të përhershme për ekzistimin e kulturës, mbrojtjen e fillimit dhe përgatitjes së të ardhmes, të cilën ne tani e kemi humbur. Ne jemi tepër të përgatitur vetëm për tani e këtu dhe nuk e di sa jemi të vetëdijshëm nëse kultura mbështetet mbi diçka të tillë. Për hir të kulturës nuk dua ta krahasoj atë me krahasime fyese dhe nënçmuese, përpos që mund të them: vaj halli për atë kulturë që nuk ka mundësi të gjejë vend për pastrim dhe “zbrazje”! Si duket, një gjë e tillë tashmë po ndodh. Ju e shihni se në kohën tonë njerëzit edhe kur shikojnë, nuk shikojnë; pa marrë parasysh se jetojnë bashkë, ata nuk njihen; preokupimi kryesor i të sotmes është “vallë a do të më pushojnë nga puna” (ju lexojeni: kur do të më nxjerrin nga puna). Hafëz Ablla, me urtësinë e saj, nuk e kishte një dert të tillë, sepse ajo e dinte se gjithçka është në duart e Zotit. Për të me rëndësi ishte të mos e hidhërojë Zotin, të mos e harrojë Pejgamberin s.a.v.s., të mos mbesë pa dashurinë e prindërve dhe të familjes.

E nderuara Hafëz Ablla ime, me siguri edhe kur kam qenë fëmijë të jam falënderuar në formën që nuk e di se si ka qenë asokohe, por sot në këtë kohë, të një frike dhe vetmie të veçantë, desha të komunikoj me ty, sepse tradita fetare nuk e sheh vdekjen siç e shohin fjalorët e përbotshëm, dhe të të them se ti i mungon hapësirës së hifzit dhe edukatës së shtëpisë. Shumë familje në këtë kohë janë të shkatërruara, të lodhura, të rraskapitura, respektivisht të dënuara nga vetja dhe nga rrethi, pa marrë parasysh a janë të kamura apo jo, me vetura apo jo, apo a kanë shtëpi të zbrazëta nga njerëzit, ndryshe nga ju që keni jetuar 5-6 vëllezër e motra në 2-3 dhoma. Dëshiroj të të them se nuk ke bërë gabim që nuk je martuar, sepse të martuarit janë duke vrapuar pas jomartesës, ndërsa martesat janë duke vrapuar nuk e di se ku. Dhe, duke u bazuar në këtë komunikim që e bëj me ty me fjalor fetar, se shpirtrat e devotshëm nuk vdesin kurrë, po të them se sot kemi më shumë dijetarë e më pak dije, më shumë frikë sesa guxim. Po ashtu desha të të them se ajo kohë, kur ti ke jetuar, ka kaluar pa u dënuar ashtu siç duhet nga ne, nga ti. Shumica na kanë akuzuar për arsye se nuk kemi qenë të shkolluar, por sot që jemi shumë “të shkolluar” nuk e di se ç’mund të të them, përpos asaj se jemi hedhur në ankandin e llojit si kemi mundësi të shitemi ose si kemi mundësi të shesim diçka. “Devotshmëri është t’i nënshtrohesh Allahut e të mos mëkatosh, ta përkujtosh e të mos e harrosh dhe ta falënderosh e të mos e mohosh (për mirësitë që t’i ka dhuruar)”. “I devotshëm është ai i cili e zbukuron fshehtësinë e tij për Krijuesin e tij ashtu siç e zbukuron pamjen e jashtme për shokët e tij” “Devotshmëri është që mos të të shohë Krijuesi yt aty ku ta ndaloi ty”.

Sa mirë ke bërë që na ke lënë, sepse je takuar atje me shpirtrat më të lartë të shpëtimit, si: Fatimetu’z-Zehra, Rabijatu’l-Adevije, Melika Salihbeg-Bosnevi dhe shumë te tjera…. E pranoj “gabimin” e një vëllai, që duke ecur në autobus, më pyeti: “Nga je?”. I thashë: “Nga Shkupi”. Pastaj ai vazhdoi: “Ah, te ju ka shumë evlijaullah”. Unë këmbëngulja se nuk ka, madje nëse ka pasur, ajo ka qenë dikur. Si duket, kisha harruar se një ndër ata për të cilët më foli vëllai në autobus ke qenë edhe ti. Kërkoj të ma bësh hallall mundimin që mund të ta kem shkaktuar dhe i lutem Zotit të “hysh në turmën e robërve të Tij dhe të hysh në Xhennetin e Tij”.