Haaland: Nuk jam i shqetësuar për adaptimin te City, luaj për Pep Guardiolën!

Haaland: Nuk jam i shqetësuar për adaptimin te City, luaj për Pep Guardiolën!

Erling Haaland dukej ende si një “mish i huaj” në ndeshjen e parë zyrtare të luajtur me fanellën e Manchester Cityt. Norvegjezi ishte i distancuar nga pjesa tjetër e skuadrës në finalen e Community Shield ndaj Liverpool ndërsa u eklipsua lehtësisht nga Virgil Van Dijk. Megjithatë, sulmuesi i transferuar në Angli nga Borussia Dortmund ka besimin se do të adaptohet me shokët e rinj të skuadrës ndërsa shton se është nga ata futbollistë që kërkon të fitojë çdo ndeshje dhe që ka shumë “uri” për gol.

“Të shohim si do të shkojë ambientimi në Angli, ndonjëherë duhet kohë, ndonjëherë lojtarët adaptohen shpejt. Nuk jam i shqetësuar, kjo është jeta e një futbollisti dhe në fushë duhet të bindësh gjithnjë. Çdo javë gjykohesh mbi atë që dhuron në fushë dhe duhet të japësh maksimumin, por duhet thjesht të jetosh momentin dhe të argëtohesh.

Njerëzit të gjykojnë edhe për atë që ke bërë para një viti, por e rëndësishme është gjithnjë e ardhmja. Unë mund të përmirësohem në gjithçka, luaj për një trajner si Pep Guardiola, në klubin më të mirë të Anglisë. Zhvillimi, është diçka që më pëlqen më së shumti në futboll, mund të përmirësohesh gjithnjë. “Kimia” me shokët e rinj? Është diçka që do të vij me kohën, nuk e di nëse do të duhen javë apo muaj, por do të na ndihmoj çdo stërvitje. Kështu, kupton edhe njerëzit që të rrethojnë. Unë jam një lojtar i “uritur” për gola, që jap 100% dhe që gjithnjë dua të fitoj”, u shpreh Haaland.