Golden State mposhti Bostonin dhe i afrohet titullit kampion në NBA

Golden State mposhti Bostonin dhe i afrohet titullit kampion në NBA

Për herë të parë në këto finale “play-off” të NBA-së skuadra e Golden State merr kryesimin.

Ekipi i Warriors mundi me rezultat 104-94 rivalët e Boston Celtics, duke udhëhequr 3-2 serinë e takimeve mes dy finalisteve.
Një ndeshje në përgjithësi e ekuilibruar, ku të dyja skuadrat luftuan fort për fitoren, pasi tashmë çdo gabim është i parikuperueshëm. Skuadra e Warriors e shfrytëzoi në maksimum faktorin fushe, duke e merituar fitoren.

Vendasit u shkëputën 51-39 në përfundim të pjesës së parë, por Celtics rikuperuan në periodën e tretë. Gjithsesi, çereku i fundit foli sërish për Golden State, që u shkëput dhe e ruajti epërsinë deri në fund.
Ai që bëri diferencën në këtë ndeshje ishte Andrew Wiggins, autor i 26 pikëve e 13 rebound, mbështetur nga Thompson me 21 pikë e Curry me 16. Për Boston, Tatum realizoi 27 pikë e Smart 20, por që s’mjaftuan për të fituar.
Ndeshja e gjashtë do të luhet në fushën e Boston (16 qershor), që synon fitoren për të rikthyer baraspeshën. Ndërsa Golden State është një fitore larg titullit kampion.