Gjykatësi Osman Shabani do të gjykojë ish-kreun e VMRO-DPMNE-së (Video)

Gjykatësi Osman Shabani do të gjykojë ish-kreun e VMRO-DPMNE-së (Video)

Gjykatësi Osman Shabani do të gjykojë ish kreun e VMRO DPMNE-së për financimin e paligjshëm dhe pastrimin e parave që e kanë bërë nëpërmjet partisë. Kështu, Osman Shabani do të gjykojë Nikolla Gruevskin edhe në një proces tjetër, por tani në mungesë, pasi zyrtarisht është një azilant hungarez.

Në njoftimin e gjykatës penale shkruan se lënda ishte vendosur në sistemin AKMIS, dhe nëpërmjet zgjedhjes së rastësishme kompjuterike, i ishte ndarë gjykatësit Shabani, i cili është gjykatës edhe në shumë procese të tjera të PSP-së si “Titaniku”, “Toplik”, por është edhe gjykatës në lëndën “Monstra”. Gjykatësi Shabani është i njohur edhe për Mile Janakieskin pasi që ai është i akuzuar edhe në rastin “Toplik”, edhe në rastin “Titanik”, dhe tani edhe në rastin “Talir”.

Më 11 janar, gjykata e pranoi në tërësi aktakuzën për financimin e paligjshëm të VMRO-së. Kështu që tashmë pritet caktimi i seancës së parë gjyqësore në të cilën do të gjykohen Nikolla Gruevski, Kiril Bozhinovski, Mile Janakievski, Ilija Dimovski dhe Leko Ristoski, ndërsa e akuzuara e fundit Elizabeta Çingarska, tashmë është e dënuar pasi kishte pranuar fajin, por gjykata e ka lëshuar me kusht.

Ish kryeministri dhe kryetari i VMRO-së Nikolla Gruevski akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakievski për pastrim parash. Edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare por edhe për pastrim parash akuzohet deputeti Ilija Dimovski. Akuzë për pastrim parash ka edhe ndaj Leko Ristoskit dhe Elizabeta Çingarovskas e cila e pranoi veprën gjatë vitit të ardhshëm dhe u lirua me kusht. Për pastrim parash akuzohet edhe subjekti juridik VMRO DPMNE.

Sipas akuzës, Nikolla Gruevski prej vitit 2009 deri në vitin 2015, ka marrë para për partinë nga burime të ndryshme të dyshimta dhe anonime. Në realizimin e transaksioneve i kanë ndihmuar Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakievski. Sipas hetimeve të PSP-së, kjo parti ka bërë presion ndaj një numri të madh firmash që kanë fituar tenderë shtetërore, që të japin para të thata në dorë VMRO-në. Por para kanë marrë edhe nga Organe të Vetëqeverisjes Lokale dhe Ndërmarrje Publike. Është llogaritur se mbi 4 milion euro që kanë tepruar nga fushatat, Nikolla Gruevski nuk i ka kthyer në buxhetin e shtetit, ashtu siç dikton ligji, por se kanë filluar ti fusin në llogarinë e partisë, si gjoja donacion nga secili anëtar. Kështu paratë ilegale janë legalizuar.

Ndërkohë, pritet vlerësimi i gjykatës penale, edhe për ndërtimin e paligjshëm të selisë së VMRO DPMNE-së,  objekt i cili tashmë është ngrirë me urdhë gjyqësor, së bashku edhe me 68 prona të tjera të partisë opozitare. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/