Gjykata e Lartë e SHBA-së i dha fund të drejtës kushtetuese për abort

Gjykata e Lartë e SHBA-së i dha fund të drejtës kushtetuese për abort

Gjykata e Lartë e SHBA-së përmbyti rastin e njohur si “Roe kundër Wade”, duke i dhënë fund të drejtës kushtetuese për abort, transmeton Anadolu Agency (AA).

Me një votim 6-3, gjykata rrëzoi rastin e vitit 1973 që për pothuajse 50 vjet garantonte të drejtën kushtetuese për abort.

Vendimi pritet të çojë në ndalimin e abortit në pothuajse gjysmën e shteteve amerikane.

“Roe ishte jashtëzakonisht gabim që në fillim. Arsyetimi ishte jashtëzakonisht i dobët dhe vendimi ka pasur pasoja të dëmshme”, shkroi gjyqtari Samuel Alito në mendimin e tij.

Presidenti amerikan Joe Biden kritikoi vendimin duke thënë se kjo e ktheu SHBA-në 150 vjet prapa.

“Gjykata riktheu ligjet shtetërore që kriminalizojnë abortin që datojnë në vitet 1800. Gjykata tekstualisht e ktheu Amerikën 150 vjet mbrapa”, tha Biden në një konferencë për media, duke shtuar: “Është një ditë e trishtuar për vendin, por kjo nuk do të thotë se lufta ka mbaruar”.

Presidenti amerikan tha se gratë kanë fuqinë për të kontrolluar fatin e tyre, duke shtuar: “Le të jemi shumë të qartë: Shëndeti dhe jeta e grave në këtë komb janë tani në rrezik”.

Biden tha se nëse do të ketë protesta, ato duhet të jenë paqësore. Presidenti gjithashtu i bëri thirrje Kongresit që të rivendosë të drejtën e abortit si ligj federal.

Ish-presidenti Barack Obama gjithashtu e kritikoi vendimin, duke thënë se “pasojat e këtij vendimi do të ishin një goditje jo vetëm për gratë, por për të gjithë ne që besojmë se në një shoqëri të lirë, ka kufij se sa qeveria mund të cenojë jetën tonë personale”.

Planned Parenthood Action, një organizatë jofitimprurëse, tha se gjykata ka hequr “të drejtën tonë për abort”, duke shtuar se “gjykata ka dështuar për të gjithë ne, por kjo nuk ka përfunduar”.

Amnesty International tha se vendimi i gjykatës “shënon një moment historik të zymtë” në historinë e SHBA-së dhe “u hoqi amerikanëve të drejtën për një abort”.

“Njerëzit do të detyrohen të lindin. Ata do të detyrohen të kërkojnë aborte të pasigurta. Ky është rezultati i një fushate dekadash për të kontrolluar trupat e grave, vajzave dhe njerëzve që mund të mbeten shtatzënë,” tha organizata në Twitter.

Ndërkohë, ish-zv/presidenti amerikan, Mike Pence, mbrojti vendimin e gjykatës, duke thënë: “Sot, jeta fitoi”.

“Duke përmbysur rastin Roe kundër Wade, Gjykata e Lartë e SHBA-së i ka dhënë popullit amerikan një fillim të ri për jetën dhe unë përgëzoj gjyqtarët e shumicës për guximin e vendimeve të tyre”, tha ai në Twitter.

Gjykata e Lartë ka “përmirësuar një gabim historik”, shtoi Pence.