Gjiganti amerikan, ExxonMobil thotë se përfundoi bashkëpunimin me rusët

Gjiganti amerikan, ExxonMobil thotë se përfundoi bashkëpunimin me rusët

ExxonMobil thotë se ka “dalë në mënyrë të sigurt” nga tregu rus i naftës, duke akuzuar qeverinë në Moskë për “shpronësimin” e aksioneve të saj në një fushë të madhe nafte.

Gjiganti amerikan i naftës tha se qeveria ruse kishte “përfunduar në mënyrë të njëanshme” punën e saj në fushën e naftës dhe gazit Sakhalin-1 në lindjen e largët të Rusisë.

“Ne bëmë çdo përpjekje për t’u angazhuar me qeverinë ruse dhe palët e tjera të interesuara. Me dy dekrete, qeveria ruse ka ndërprerë në mënyrë të njëanshme interesat tona në Sakhalin-1 dhe projekti i është transferuar një operatori rus”, shtoi një zëdhënës i ExxonMobil, raporton cnn.

Në muajin mars të vitit 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës, ExxonMobil tha se po fillonte procesin e daljes nga sipërmarrja e përbashkët ruse Sakhalin-1. Në muajin prill, ajo njoftoi se do të merrte një tarifë prej 3.4 miliardë dollarësh bazuar në rezultatet e tremujorit të dytë, në lidhje me operacionet e saj në Rusi.

Kompani të tjera të mëdha perëndimore gjithashtu po luftojnë për ndërprerjen e lidhjeve me Rusinë. Në muajin maj, Shell njoftoi shitjen e biznesit të saj rus të lubrifikantit dhe shitjes me pakicë të energjisë, por tha se ishte ende në proces të heqjes gradualisht të bizneseve të tjera ruse.

Në shkurt, BP tha se do të shes 19.75 për qind e aksioneve të saj në Rosneft, por tha se sanksionet dhe rregullat ruse nënkuptonin se ajo nuk kishte qenë në gjendje të shiste ende aksionet e saj të Rosneft.

Në muajin shtator, kompania norvegjeze energjetike Equinor konfirmoi se kishte përfunduar plotësisht tërheqjen e saj nga Rusia, duke thënë se “nuk ka asete apo projekte të mbetura në Rusi”. Equinor njoftoi planet në muajin maj për t’u tërhequr nga katër sipërmarrjet e përbashkëta me firmën ruse të naftës Rosneft dhe për të lënë një fushë nafte, projektin Kharyaga.