` . Gjermania, muajin e ardhshëm organizon konferencën vijuese për Libinë - TV-SHENJA

Gjermania, muajin e ardhshëm organizon konferencën vijuese për Libinë

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, ka bërë të ditur se muajin e ardhshëm vendi i tij do të organizojë konferencën vijuese për bisedimet e paqes në Libi, raporton AA.

Duke folur para gazetarëve para takimit të kryediplomatëve të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, Maas tha se konferenca e Berlinit mbi Libinë ishte e suksesshme me marrëveshjen mbi hapat e reja për të mbështetur armëpushimin dhe për të zbatuar embargon e armëve.

“Ne kemi vendosur të thirrim një konferencë vijuese në fillim të muajit shkurt në nivelin e ministrave të Jashtëm”, tha Maas.

Ai shtoi se tani përpjekjet do të përqendrohen në arritjen e një armëpushimi të përhershëm në Libi.

Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, një ajo e komandantit ushtarak Khalifa Haftar me qendër në lindje të Libisë dhe i mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuar Arabe ndërsa tjetra ajo e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) në kryeqytetin Tripoli, e cila gëzon njohjen e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe atë ndërkombëtare.

Qeveria legjitime e Libisë është sulmuar nga forcat e Haftarit që nga prilli i vitit të kaluar, si pasojë e të cilës kanë humbur jetën mbi 1 mijë persona.

Më 12 janar, palët e konfliktit njoftuan një armëpushim në përgjigje të thirrjes së përbashkët të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe atij rus, Vladimir Putin. Por, bisedimet e javës së kaluar në Moskë për një marrëveshje të përhershme të armëpushimit përfunduan pa sukses, pasi Haftari u largua nga Moska pa nënshkruar marrëveshjen.

Dje në Berlin, Haftari pranoi të caktojë anëtarët në një komision ushtarak të propozuar nga OKB-ja, me pesë anëtarë nga secila palë për të monitoruar zbatimin e armëpushimit.