Gjermania kërkon nga Britania të qartësojë qëndrimin e saj mbi Brexit-in

Gjermania kërkon nga Britania të qartësojë qëndrimin e saj mbi Brexit-in

Gjermania i ka kërkuar Mbretërisë së Bashkuar që të qartësojë qëndrimin e saj mbi Brexit-in pasi parlamenti britanik me shumicë dërrmuese kundërshtoi marrëveshjen e negociuar, transmeton AA.

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Mass, për radio Deutschlandfunk tha se “nuk kemi kohë dhe koha për të luajtur lojë ka përfunduar”.

Mass tha se përderisa ligjvënësit britanikë e kanë hedhur poshtë marrëveshjen e arritur midis kryeministres britanike, Theresa May dhe Bashkimit Evropian (BE), ata nuk kanë dalë me ndonjë vizion të ri.

“Ajo që ligjvënësit në Londër duan vërtet nuk është bërë e qartë dje”, tha ai dhe theksoi se BE-ja tani së pari do të presë rezultatin e votimit të mosbesimit në qeverinë e kryeministres May dhe propozimin e ri të kryeministres britanike në parlament.

I pyetur nëse BE-ja mund të shtyjë afatin e 29 marsit të vitit 2019 për daljen e Britanisë nga blloku, Mass tha se kjo ishte një çështje që së pari duhet të vendoset nga Britania.

“Nëse do të ketë një kërkesë të tillë, ne do të merremi me të në një mënyrë shumë konstruktive”, tha ai.

Marrëveshja e negociuar gjatë për tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja u refuzua nga ligjvënësit britanikë në votimin e djeshëm me 432 vota kundër kundrejt 202 votave pro.

Udhëheqësi i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, paraqiti një mocion mosbesimi për qeverinë, pasi disfata ishte më e madhe kundër një qeveria që nga vitet 1920.