Gjermania fajëson Rusinë për reduktimin e dërgesave të gazit përmes Rrjedhës Veriore 1

Gjermania fajëson Rusinë për reduktimin e dërgesave të gazit përmes Rrjedhës Veriore 1

Gjermania ka fajësuar Rusinë për uljen e dërgesave të gazit përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1 dhe ka hedhur poshtë pohimin e Gazprom-it se uljet ishin si rezultat i problemeve ligjore dhe teknike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se turbina me gaz, e riparuar në Kanada, pret në selinë e kompanisë energjetike Siemens Energy në Gjermaninë perëndimore, por se dërgimi i saj në Rusi është vonuar, sepse autoritetet ruse nuk po marrin hapat e nevojshme.

“Për mua është me rëndësi që të bëj me dije se kjo turbinë është e gatshme për përdorim në çdo moment. Asgjë nuk e pengon të transportohet në Rusi”, u tha Sholz gazetarëve gjatë vizitës në Siemens Energy në qytetin Mulheim an der Ruhr.

Ai shtoi se Gazprom duhet të informojë Gjermaninë se dëshiron të dorëzojë turbinën, si dhe të sigurojë dokumentacionin e nevojshëm doganor për transport në Rusi.

Gjigandi energjetik rus Gazprom muajin e kaluar në masë të madhe ka reduktuar gazin përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1, ndërsa si arsye e reduktimit theksoi problemet teknike, gjegjësisht vonesën e pajisjes të cilën e kanë dërguar për servisim në Siemens.

Kompania gjermane e dërgoi turbinën në një fabrikë në Kanada, e cila e bllokoi atë që kur vendosi sanksione ndaj Gazpromit për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Pas kërkesave të shumta nga Gjermania, Kanadaja vendosi të kthejë turbinën e riparuar të Siemens, të cilën e kishte mbajtur deri atëherë duke iu referuar sanksioneve të vendosura ndaj Moskës, pasi Komisioni Evropian vendosi se kjo nuk do të shkelte sanksionet e BE-së, të cilat nuk përfshijnë pajisje të tilla.

Gjermania dhe pjesa tjetër e Evropës po luftojnë që të reduktohet varësia e tyre nga importet ruse të energjisë. Gjermania merr rreth 35 për qind të gazit të saj përmes Rrjedhës Veriore.