` . Gjer te “Fitorja e Pirros” dhe pas saj! - TV SHENJA

Gjer te “Fitorja e Pirros” dhe pas saj!

Fitorja pas 18 vjetësh nuk i jep komoditetin e dëshiruar LSDM-së, sepse në rrethanat e krijuara, me balancim forcash, vështirë se mund të bëjë qeveri pa BDI-në, që deshi ta çojë në opozitë, por as me vetë BDI-në s’i mjafton për qeveri stabile. Befasia më e madhe është faktorizimi i partive shqiptare, si asnjëherë më parë, të cilat volën frytet e strategjisë me të cilën votuesi shqiptar iu kthye atyre.

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Kur pyeste dikush për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve, jepja një përgjigje jo vetëm diplomatike, por dhe realiste: këto do të jenë zgjedhjet më të paparashikueshme. Pothuajse njësoj si ato të vitit 2016. Merrja për bazë qëndrimet e njerëzve me të cilët në mikro-mjedis mund të kisha qasje, muhabetet e çajtoreve të “fansave” partiakë, anketat e ndryshme, të cilat jepnin një tendencë, por dhe ato që mund të ishin dhe të kundërta (bie fjala, në disa anketa e nxirrnin fituese partinë e Zaevit, e në ndonjë atë të Mickovskit, diku BDI-në, e diku koalicionin ASH-Alternativa), duke i marrë me rezerve, sepse jo rrallë ndodh që ndonjë anketë të jetë porositur nga partitë, të jetë në funksion të krijimit të ndonjë iluzioni të rrejshëm, që do të ishte shtysë për elektoratin neutral me porosinë se “ja çfarë është disponimi i popullit”. Analogjia me zgjedhjet e 2016-tës bëhet edhe ngase në Zgjedhjet 2020 hymë me një “bombardim” të ri “bombash” që nxirrnin herë LSDM-ja dhe VMRO-ja për njëra tjetrën, që mund të ndikonin në disponimin e votuesve.

Rezultati që morëm në zgjedhjet në kushte pandemike është i ngjashëm me ato të vitit 2016, vetëm se me pak ndryshim rolesh, por dhe me mundësi që deri diku të përsëritet historia.

1.Fitoret e fituesve

 

Ditën e parë pas 15 korrikut vërshuan analiza e komente, e ndër tezat kryesore mund të përmblidhen dy+një: “fitore e Pirros e Zaevit” dhe “fitore (e papritur) e madhe e BDI-së” dhe një tjetër: “humbje e VMRO-së dhe LSDM-së”. Me gjithë respektin argumenteve të shumta, mendimi im është se fitorja është fitore dhe ajo nuk mund të jetë humbje. E kam fjalën, para së gjithash, për fitoren e partisë së Zaevit. Kemi harruar se LSDM-ja në zgjedhjet e kaluara nuk fitoi, por hyri në qeveri, edhe pse gjithë kohën pastaj është sjellë si fituese. Tash kur ajo është fituese me dy deputetë më shumë se VMRO-DPMNE, nuk duhet shikuar “dhëmbët fitores”, siç është një shprehje në gjuhët sllave, kështu që, para së gjithash, është rezultat shumë më i mirë se në zgjedhjet e kaluara dhe nëse jo për tjetër, le të vlejë si faktografi: është fitorja e parë në zgjedhjet parlamentare të partisë së Zaevit pas më shumë se 18 vjetësh në bllokun maqedonas dhe humbja e parë e VMRO-së pas 16 vjetësh. Domethënë, në planin personal, është një sukses i madh për liderin e LSDM-së, diç që nuk u shkoi përdore asnjërit nga liderët që erdhën pas Branko Cërvenkovskit. Fitorja është edhe më e madhe nga shkaku se në mandatin e kaluar qeverisës, që e fitoi falë BDI-së, e cila siç dihet shkeli principin “fituesi me fituesin”, janë marrë vendime të rënda të pakapërdishme për mendësinë e manipuluar nga qeverisja e Nikolla Gruevskit. Marrëveshja e Prespës për ndërrimin e emrit dhe marrëveshja me Bullgarinë për fqinjësi të mirë, ndonëse Maqedonisë ia hapën dyert për në NATO dhe BE, janë akceptuar si cenim i interesave kombëtare dhe rrënim i shtyllave identitare maqedonase, ndaj refleksi i tyre në këto zgjedhje ka qenë një enigmë e madhe. Andaj dhe fitorja pas gjithë këtyre flet se votuesit maqedonas nuk e kanë dënuar LSDM-në, ashtu siç ka pritur VMRO-ja, për “tradhti të interesave kombëtare”. Por, këtu është edhe paradoksi i vullnetit gjithëpopullor: nëse në zgjedhjet e kaluara, pas zbulimit të gjithë atyre aferave e keqpërdorimeve të qeverisë së Gruevskit, qytetarët ia dhanë votën përsëri Gruevskit, ndodhi njësoj edhe në këto zgjedhje – pas gjithë atyre vendimeve të rënda dhe disa rasteve komprometuese, qytetarët nuk e penalizuan LSDM-në.

Në bllokun etnik shqiptar ajo që e bën befasuese fitoren e BDI-së është se ajo u arrit pasi kundër saj garuan jo vetëm të gjitha partitë shqiptare, por dhe të dy partitë maqedonase (ato partitë tjera minore s’po i zëmë fare), saqë krejt ishin bërë gati për një qeverisje të ardhshme pa BDI-në. Tash, me 15 deputetët e vet, BDI-ja jo vetëm se u bë faktori i pashmangshëm i qeverisjes së ardhshme në cilindo kombinim, por dhe rrezikon një krizë politike me këmbënguljen e vet për kryeministrin shqiptar, që o mund të çojë në zgjedhje të reja ose vërtet – pas pamundësisë për të bërë qeveri Zaevi ose Mickovski – mandati t’i kalojë Naser Ziberit, me shumë të panjohura se çka pastaj!

Nëse i peshojmë fitoret e fituesve, atëherë mund të kenë të drejtë ata që vlerësojnë se humbësi më i madh mund të jetë pikërisht fituesi i zgjedhjeve, LSDM-ja, e cila me gjithë strategjitë dhe diskursin politik e emotiv, nuk arriti ta çojë BDI-në në opozitë, edhe pse asnjëherë nuk ishin të qarta motivet përse e dëshiron këtë gjë! Në këtë mënyrë, siç vërejti një analist tjetër, BDI-në e shkarkon nga barra për të insistuar që të hyjë me çdo kusht në qeveri me fituesin e bllokut maqedonas, sepse ai fitues ishte ai që dy vjetët e fundit të qeverisjes i kishte bërë shumë obstruksione, kulmi i së cilës ishte kjo fushatë kundër parazgjedhore kundër saj, edhe pse në bashkëqeverisjen e tyre kishin shumëçka të ndajnë vlerat e arritura bashkë (BE, NATO, fitorja në zgjedhje presidenciale dhe, më parë, edhe në ato lokale si koalicion …). Një gjë është e qartë – BDI-ja nuk e nisi e para zënkën. Ajo vetëm u mbrojt nga sulmet e papritura. Por, tash është më komode në pozitën e vet, nëse natyrisht, Zaevi nuk iu qaset metodës së “tetë deputetëve” (me garanci për lirim akuzash e ndoshta dhe diçka tjetër…) që ta eliminojë BDI-në nga kombinimet për qeveri.

2.Faktori “34 deputetë shqiptarë”, ose: BDI-ja luajti edhe për Aleancën Shqiptare dhe Alternativën!

 

Megjithatë, në fitoren e LSDM-së, ka një nyjë dhe ajo mund të thuhet se është “fitore e Pirros”, sepse një parti tjetër që fitoi tri herë më pak deputetë, BDI-ja, duket më fituese se vetë fituesi kryesor. Kjo, mbase, konsiston me befasinë më të madhe të pluralizmit, në një kohë kur supozohet se një numër i madh votuesish nga mjediset shqiptare kanë migruar (duhet demografët të bëjnë krahasim edhe me pjesët tjera të vendit si qëndron ky fenomen), partitë shqiptare dalin me numrin më të madh deri tash: 28 dhe duke i shtuar katër deputetët e Lëvizjes Besa që i fitoi në koalicion me LSDM-në dhe dy deputetët e LSDM-së, bëhen 34! Për pak një e treta e parlamentit!

Fitorja e BDI-së, shtimi i përfaqësimit edhe të koalicionit ASH-Alternativa dhe numri më i madh i deputetëve shqiptarë, janë faktorë që flasin se, më shumë se partitë, në këto zgjedhje fituan shqiptarët. Nëse fituan shqiptarët me strategji ose me rrethana objektive, kjo duhet të shihet. Duhet thënë se BDI-ja luajti në strategjinë e vet më efektive deri tash. Me një shuplakë “vrau” më shumë “miza”! Në situatë kur shumë nga çështjet e hapura që i përkasin statusit të shqiptarëve janë zgjidhur, kësaj radhe ajo hodhi si karremin kryesor idenë e kryeministrit shqiptar. Në shikim të parë utopik, por për garë mjaft efektiv dhe mobilizues, sepse gjatë fushatës, gjersa të tjerët merreshin me politikat e saj të deritashme, ajo merrej me argumentimin se si ka ardhur koha që barazia të shprehet edhe përmes shansit që qeverinë ta udhëheqë një kryeministër shqiptar. Joshëse gjithsesi. Kjo për elektoratin shqiptar u bë tema kryesore, por në aspektin taktik sikur kishte prekur arushën për hunde dhe nxiti reaksion të pashembullt, por dhe të pakuptimtë, te partneri i koalicionit, i cili idenë e kryeministrit shqiptar e refuzoi me një “assesi!” të fortë, që sigurisht do ta kishte hutuar atë pjesë të elektoratit shqiptar që më 2016 ia kishte dhënë votën. Si është e mundur ai që ka ardhur në pushtet me ndihmën e shqiptarëve dhe të një partie shqiptare, të jetë kundër që një shqiptar të vijë në krye të qeverisë?! Zaevi jo vetëm që nuk e korrigjoi vetën pasi ta ketë kuptuar pozicionimin e gabuar, por vazhdoi edhe më tutje, madje në stilin nacionalist të VMRO-së, i kërkoi Mickovskit dhe ai vetë ia garantoi atij që nëse fiton, t’ia japë 12-13 deputetë, vetëm e vetëm të pengohet ideja e BDI-së!

Duke komentuar strategjinë parazgjedhore të BDI-së, në një shkrim timin pata vënë në dukje se “kryeministri shqiptar” praktikisht ishte betejë për votuesit shqiptarë, gjegjësisht për t’i kthyer ata votues që para katër vitesh ia kishin dhënë votën LSDM-së. Bëhej fjalë për një numër të supozuar prej 40 gjer më 70 mijë votues, që do të kishin rënduar në çdo peshojë. Rezultati i kësaj strategjie u pa me 15 deputetët e BDI-së, por hajrin ia panë edhe dy partitë rivale, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, që dolën me 12 deputetët. Katër-pesë deputetët më shumë seç ndoshta kanë pritur optimistët më të mëdhenj të shtabeve partiake! Edhe BDI-ja do të jetë befasuar më vonë, sepse fill pas mbylljes së kutive, u ngut të shpallë fitoren me 12 deputetë të sigurt me një shpresë edhe për një plus, kurse doli me tre më tepër!

Mirëpo, analizat tregojnë se mobilizimi i votuesve shqiptarë ishte i dyfishtë, i atyre që e përkrahën BDI-në për ta realizuar ëndrrën (“pse jo”) dhe i partive të tjera shqiptare, që të mos fitojë BDI-ja, me shumicë u dhanë votën Aleancës dhe Alternativën, duke e lënë mangut LSDM-në për dhjetëra mijë votues të kalkuluar e duke mos i mjaftuar as koalicioni me Lëvizjen Besa për t’i mbajtur votuesit e 2016-tës, me të cilët atëherë kishte siguruar 49 deputetë. T’i kishte 49 deputetë, Zaevi vërtet do ta çonte në opozitë BDI-në, ashtu siç e kishte fushatën parazgjedhore, por nuk i ka.

3.Faktori “El Çeka” si bumerang?

 

Në këto zgjedhje vazhdoi një trend i filluar nga ato të mëparshmet – përdorimi i përgjimeve telefonike komprometuese për oponentët politikë. Nëse në ato të kaluarat ato kishin rënë në dorën e Zaevit dhe me emetimin e tyre patën krijuar një opinion negativ për qeverisjen e Gruevskit dhe, madje, ia hapën rrugën për ta defaktorizuar atë, kësaj radhe ato u devalvuan në shkallë të cenimit të sigurisë kombëtare, pasi më askush nuk di se në dorë të kujt janë ato materiale dhe si janë siguruar! I përdor kujt t’i teket! Ato u përdorën nga LSDM-ja ose media të afërta me të për të komprometuar liderin e VMRO-së, por çuditërisht, edhe anasjelltas, VMRO-ja nxori shumë biseda të Zaevit me bashkëpunëtorë, që e cenonin imazhin e tij, madje edhe të tilla që cenonin imazhin e tij te shqiptarët, për çka lideri i BDI-së i thotë se duhet të kërkojë falje. Natyrisht, përmbajtja e këtyre përgjimeve nuk mund të kishte tjetër, pos dyshime për korrupsion dhe keqpërdorime, si dhe dyshime në pastërtisë morale të liderëve të tyre.

Çudi ose jo, këtyre dy partive iu përsërit ajo që dikush ia kishte kurdisur BDI-së para një ose dy vitesh me ato bisedat e famshme të El Çekës, me biseda private. Dilema që ka mbetur tash e atëherë është se prej nga ato përgjime që i kishte siguruar LSDM-ja dhe ia kishte dorëzuar Prokurorisë Speciale Publike, të arrinin në dorë të një individi?! Prandaj shumëkush është i prirë të mendojë se burimi i tyre ishte LSDM-ja, që e kishte nisur një fushatë të pashpjegueshme kundër BDI-së, për t’ia nxirë imazhin në sytë e publikut dhe për ta dobësuar forcën e saj politike. Për çudi, në këto zgjedhje El Çeka, si duket, kishte marrë “pushim” veror dhe nuk pati këso përgjimesh për BDI-në, andaj ato u drejtuan kundër dy rivalëve kryesorë të bllokut politik maqedonas. Dhe, nëse do të kishin konsekuencë organet e ndjekjes, ato duhet të shërbejnë si indicie për të hulumtuar vërtetësinë e tyre.

4.“Faktori Albin” në ndihmë partive që nesër mund t’i shuajë!

 

Një analist shkroi se vërtet fituesi më i madh i zgjedhjeve është BDI-ja, por as ajo nuk duhet të jetë më rehat, sepse rezultati i dy partive tjera shqiptare ia ka rrezikuar seriozisht pozitën për një të ardhme jo shumë të largët. Në të vërtetë, nëse jemi objektivë, të gjitha parakushtet kanë qenë në favor të “ndryshimit”: edhe fushata dhe dëshira e flaktë e Zaevit, edhe përshtypja e përgjithshme se BDI-ja ka qenë “si tepër” në pushtet, edhe koalicioni i partive shqiptare “sipas rekomandimeve” edhe të vetë BDI-së “që të mos shpërndahet” shumë vota shqiptare… Por, çka nuk funksionoi në strategjinë për ta përmbysur? Apo edhe ndonjë strategji më gjeniale se kjo klasikja që e patën Aleanca dhe Alternativa, duke e kritikuar pushtetin e deritashëm të BDI-së (“fushatë negative” ndaj oponencës), do ta jepte të njëjtin rezultat? Një nga shpjegimet mund të jetë te “faktori befasi” që bëri BDI-ja me strategjinë e “kryeministrit shqiptar” dhe mosmarrja e saj me oponentët, por me idetë e veta dhe, e dyta, te bagazhi politik i Ali Ahmetit, si lider i pakontestueshëm. Një bagazh të tillë, që lidhet para së gjithash me luftërat që kanë bërë shqiptarët në Ballkan këto dy deceniet e fundit, nuk mund ta rrënojë ende askush duke gjuajtur gabimet në qeverisjet e deritashme, sepse duken se meritat peshojnë më shumë se dështimet që ia përmendin oponentët.

Lidhur me strategjinë e dy partive opozitare shqiptare, është edhe pamjaftueshmëria e përkrahjes së hapur të Albin Kurtit si lider i Vetëvendosjes, të cilën, në kontekst të raporteve midis subjekteve shqiptare, për çka si fenomen pata shkruar që para tre vjetësh po në revistën Shenja, është më tepër se diskutabil. Sepse, përzierja e subjekteve shqiptare nga një vend në tjetrin përherë hap dilema, sepse nuk dihen a bëhen për shkak të preferencave individuale të liderëve të tyre, për shkak të afërsisë programore (LVV-ja majtiste përkrah dy parti pak a shumë djathtiste, si paradoks!)… Kjo temë është elaboruar me më shumë shembuj e argumente në atë shkrimin e përmendur, por ajo që është hendikep për dy partitë që patën fatin ta gëzojnë përkrahjen e Albin Kurtit, sepse nëse nuk e arritën qëllimin kësaj radhe, një përkrahje të dytë nga popullariteti i Albin Kurtit nuk do të vijë pas katër vjetësh! Jo sepse ai nuk do të dojë, por pse me krijimin e ekspoziturës së LVV-së në Maqedoni, ai do të ketë kë të përkrahë. Nga ana tjetër, edhe më të vogla mund t’i bëjë shanset për një mobilizim kaq të madh votuesish si kësaj radhe, sepse popullariteti i Albin Kurtit edhe në Maqedoni do të bëjë që të tërheqë shumë votues, madje edhe të Aleancës e Alternativës dhe nëse shikojmë nga ana pragmatike, mund të jetë faktor për defaktorizimin e tyre. Me fjalë tjera, krijimi i LVV-së për Maqedoni, që sigurisht do të forcojë bllokun opozitar, s’do të le shumë vend për alternativa: ose do të duhej të bënin koalicion me te, duke zvogëluar forcën secila prej tyre ose edhe më keq: të shkrihen në të duke humbur identitetin e tyre si parti. Rruga tjetër do të ishte të harrojnë këtë përkrahje që ua dha Albini dhe t’i shpallin luftë pikërisht LVV-së së tij në Maqedoni, duke e trajtuar si oponencë që synon të zë vendin e tyre.

4.Apasiev ose lindja e ekstremit të majtë

 

Paramendoni se kush ka garuar ndër vite: DOM-i i Lubço Georgievskit, LD e Pavle Trajanovit, Dostoinstvo e Stojanço Angellovit, të gjelbërit e Liljana Popovskës, Socialistët e Xingos, një parti e Lube Boshkovskit, ajo partia pro-putiniste e Janko Baçevit…, dhe një sërë partish të reja (e profesorëve të njohur, Mirjana Najçevska e Jove Kekenovski, një parti e Stojan Ristovskit)… dhe asnjëra nuk ka qenë në gjendje të nxjerrë një deputet të hajrit, ndërsa për herë të parë del “E Majta” e një farë Dimitar Apasievit, me një imazh që përmbledh djallëzinë e Rasputinit me idetë e Leninit dhe fiton dy deputetë dhe thotë madje se e kanë grabitur edhe për pesë të tjerë! Gjithë të përmendurit e tjerë duhet doemos të jenë tepër të frustruar nga ky fakt dhe të rrahin mendjen se si Apasievi arriti ta prekë nervin e votuesve që t’ia japin votën dikujt që haptas ka thënë “të gjithëve do t’ju pushkatoj”(“site ke ve strelam”) dhe të bëjë atë që s’e arritën ata. Mbi të gjithë, më i frustruari duhet të jetë Janko Baçevi, i cili qëkur luan në letrën anti-NATO e pro-Rusisë (me idenë e tij që Maqedonia të shpallet pjesë e Federatës Ruse!), por as më parë e as në këto zgjedhje nuk arriti ta kthejë vëmendjen e votuesve sa të hyjë në parlament. Prandaj, dy deputetët e Apasievit duhet të jenë çështje edhe për sociologët, sepse përderisa në disa vende të tjera ishin forcuar disa parti të ekstremit të djathtë (Austri, Francë…), këtu fiton një parti e ekstremit të majtë. Duke dëgjuar deklaratat para dhe pas zgjedhjeve, nuk duhet dyshuar në “shoun” e majtistëve maqedonas në parlament.

5.Qeveri e brishtë, pa “Shumicë Badenteri”

Emigma më e madhe pas zgjedhjeve do të jetë mënyra se si do të krijohet koalicioni i ri qeveritar, gjë që është lënë pas festës së Ilindenit (2 Gushtit). Në situatën e balancuar midis dy partive maqedonase, opsioni më i lehtë do të ishte po qe se njëra nga ato parti arrin t’i përfshijë të gjitha partitë shqiptare. Nëse i përjashtojmë dy deputetët e ekstremit të majtë, të cilët as vetë nuk duan e as do të ishte mirë dikush t’i marrë në koalicion, LSDM-së do t’i mjaftonin vetëm 15 deputetët e BDI-së, që do të ishte një qeveri ala Hoti në Kosovë, me vetëm 61 deputetë. Për të mos qenë qeveri e brishtë, e cila mund të lëkundej nga çdo dridhje më e vogël dhe për të mos shkuar sërish në zgjedhje në kohë pandemie, partitë shqiptare do të duhej t’i tejkalojnë animozitetet e tyre, sepse, fundja, politika është kompromis.

Një karakteristikë e qeverisë së ardhshme sigurisht do të jetë mungesa e shumicës së Badenterit, sepse as me të gjithë 28 deputetët e partive shqiptare nuk arrihen dy të tretat, që do të ishin tepër të nevojshme për ndonjë ndryshim qenësor në të mirë të shqiptarëve, siç do të ishte kthimi i gjuhës shqipe në Kushtetutë pa kategorizimin e 20-përqindëshit.