Gjenocidi dhe krimet serbe në Kosovë (1998-1999)

Gjenocidi dhe krimet serbe në Kosovë (1998-1999)

Duhet theksuar se, gjatë kohës së luftës në Kosovë, femrat shqiptare kanë qenë të rrezikuara që të dhunohen në çfarëdo situate dhe gati në çdo vend të Kosovës. Dhunimet e grave e të vajzave shqiptare nuk ishin akte të rralla e të izoluara, të kryera nga individë të forcave serbo-jugosllave, por ishin akte të organizuara mirë nga Serbia dhe u përdorën qëllimisht si instrument për të terrorizuar popullsinë civile. Kjo formë e dhunës u përdor si armë lufte dhe instrument i spastrimit etnik sistematik.

Shkruan: Jusuf OSMANI, Prishtinë

Vitet 1998-1999 ishin vitet e vrasjeve, djegieve dhe të masakrimeve të qindra e të mijëra qytetarëve të pafajshëm e të pambrojtur, vite të vrasjeve, të djegieve dhe të masakrimeve edhe të fëmijëve, grave e pleqve… vite të zhdukjes së dhjetëra, qindra e mijëra familjeve shqiptare… vite të vrasjes dhe masakrimeve të një populli të tërë. Faktet dëshmuan se pikërisht këtë e parashihte faza e fundit e skenarit të çmendur serbomadh kundër shqiptarëve të Kosovës – skenarit për vrasjen dhe zhdukjen e një populli të tërë nga trojet e veta shekullore.

Në Kosovë agresori pushtetar serb bëri krime kundër njerëzimit, të cilët ishin të përmasave aq të mëdha, saqë ka të bëjë me elementet e gjenocidit. Gjenocidi është krim i planifikuar dhe i organizuar nga pushteti me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të identitetit, zhdukjes së shenjave të kulturës shpirtërore dhe materiale, në mënyrë që të bëhet ndërprerja e zhvillimit normal të procesit historik në jetën e një populli. Gjenocidi është vrasja e qëllimshme e njerëzve në baza etnike, nacionale, racore, religjioze ose (nganjëherë) politike, si dhe veprime të tjera të qëllimshme që çojnë në eliminimin fizik të ndonjë populli. Ndërkaq, në krimin :kundër njerëzimit: bëjnë pjesë: vrasja, shfarosja, marrja rob, dëbimi, burgosja, torturimi, dhunimi, ndjekja mbi baza politike, racore e fetare dhe veprimet e tjera jonjerëzore. Krimet në luftën e Kosovës përfshinin dëbimin e popullatës, masakrat, pastrimin etnik, dhunimet, plaçkitjet, helmimin e puseve, fshehjen e kufomave, fshirjen e identitetit, keqpërdorimin e civilëve dhe puna e dhunshme, shkatërrimin e vendbanimeve dhe minimin e terrenit. Krimi në Kosovë ishte masë e paraparë dhe e planifikuar nga Serbia, përkatësisht nga qarqet e saj politike, shkencore, kulturore dhe ushtarake.

Gjenocidi e krimi në Kosovë, i zbatuar nga agresori pushtetar serb, ka qenë veprim që kanë qenë në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Viktimat kanë qenë civilët, fëmijët, pleqtë, gratë, personat e sëmurë edhe të pambrojtur, objektet fetare, historike, kulturore etj., që dëshmohen me faktet që do të prezantohen në këtë vepër. Përveç kësaj, viktimat janë persona të cilët, individualisht apo kolektivisht, kanë pësuar dëme, duke përfshirë lëndimet fizike ose psikike, vuajtje shpirtërore, humbje ekonomike ose kufizime të konsideruara të të drejtave të tyre themelore, përmes veprimeve ose mosveprimeve që paraqesin shkelje të rënda të të drejtave njerëzore, të pranuara me të drejtën ndërkombëtare ose shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare.

Vrasjet në vijimësi kanë qenë një nga format më të rënda të realizimit të projektit serbomadh për Kosovën. Por, përderisa gjatë viteve të fundit të represionit serb në Kosovë, vrasjet ishin raste sporadike dhe kryesisht individuale, gjatë dy vjetëve të fundit, dhe sidomos gjatë vitit 1999, vrasjet u bënë fenomen masiv – vrasje masive dhe të përditshme që rrezikonte gjithë shqiptarët pa dallim. Rastet e vrasjeve masive në Kosovë janë të shumta. Ato ishin masakra të vërteta.

Vrasjet e qëllimshme dhe të paligjshme të civilëve – ekzekutimet pa gjyq – ishin një pjesë e rëndësishme e fushatës “së spastrimeve”. Në gjithë Kosovën u vranë civilë nga policia serbe, nga ushtarët dhe nga forcat paramilitare të implikuara në vrasjet e stilit “ekzekutim në vend”, të cilët dihej mirë se nuk ishin luftëtarë dhe ndër të cilët kishte shumë gra dhe fëmijë. Sipas “Human Rights Watch”, vrasjet në përgjithësi kishin tri motive të qarta. E para, ishte përshpejtimi i procesit “të spastrimit” nëpërmjet kërcënimit dhe ngjalljes së frikës. E dyta ishte eliminimi i individëve që dyshoheshin se luftonin në radhët e UÇK-së ose e ndihmonin atë, dy gjëra që shpeshherë ishte vështirë të dalloheshin nga njëra-tjetra. Ndër individët e vënë në shënjestër kishte udhëheqës të shquar politikë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe biznesmenë të pasur. E treta ishte kryerja e vrasjeve për hakmarrje: disa masakra u kryen pasi forcat serbe dhe jugosllave pësuan humbje nga ana e UÇK-së. Vrasjet nuk ishin rezultat i rastësishëm i dhunës së forcave qeveritare. Përkundrazi, ato ishin planifikuar me kujdes dhe vinin në jetë operacionet serbe.

Masakrimet, vrasjet masive, dhunimet e vajzave dhe të grave të reja, djegiet dhe shkatërrimet masive të vendbanimeve, të ekonomisë dhe pronës nuk u mjaftonin forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, por për t’i humbur gjurmët e krimeve, ata hapnin varreza masive dhe individuale akoma të paindetifikuara (N.N), në Kosovë dhe jashtë Kosovës, në Serbi. Ka shumë raste kur kufomat janë varrosur, por pas disa ditëve janë zhvarrosur dhe dërguar në vende të panjohura.

Shumë shqiptarë të vrarë në Kosovë, më saktë trupat e pajetë të tyre, janë zhvendosur jashtë Kosovës, me qëllim të zhdukjes së shenjave të krimit të kryer. Kjo është vërtetuar në hapjen e varrezave të shumta nëpër Serbi. Përveç kësaj, dyshohet se shumë kufoma të shqiptarëve janë djegur në furra të shkritoreve, siç flitet edhe në atë të Zveçanit.

Në luftën e agresorit serb u vranë shumë të rinj, fëmijë. Sipas të dhënave të grumbulluara për numrin e fëmijëve të vrarë dhe të pagjetur, por të rënë edhe dëshmorë në Kosovë në periudhën janar 1998 – 12 qershor 1999 janë gjithsej 1.284 fëmijë shqiptarë deri 18 vjeç. Ndërkaq, deri në moshën 5-vjeçare kanë pësuar 247 fëmijë, duke mos llogaritur ata të cilët kanë vdekur menjëherë pas lindjes dhe nuk ishin të pagëzuar, si dhe ata së barkë të nënës së vrarë. Janë vrarë edhe shumë femra shqiptare. Sipas shënimeve me të cilat posedojmë, në periudhën janar 1998 deri më 12 qershor 1999 në Kosovë janë vrarë ose zhdukur 1.721 femra të moshave të ndryshme. Disa prej tyre kanë rënë edhe dëshmore. Në luftë pësuan edhe shumë të moshuar dhe invalidë. Në bazë të të dhënave që kemi arritur t’i grumbullojnë, në Kosovë janë vrarë ose zhdukur 1.843 persona mbi moshën 65-vjeçare, që mund të konsiderohen pleq. Disa persona të moshuar kanë rënë si dëshmorë në altarin e lirisë.

U vranë familje të tëra, sepse objekt i sulmit dhe vrasjeve ishte edhe familja shqiptare si bërthamë e entitetit shqiptar të Kosovës. Vrasjet të shumta pati edhe nëpër burgje të Kosovës dhe jashtë saj. U vranë edhe shumë intelektualë dhe veprimtarë politikë e humanitar. Pati edhe vrasje të inskenuara dhe mburoja njerëzore. Gjatë dhe pas luftës pati edhe shumë vdekje nga pasojat e luftës. Pas luftës pësuan edhe shumë persona nga minat e vendosura nga agresori serb.

Arrestimet e, më vonë, zhdukja e shqiptarëve para dhe gjatë luftës në Kosovë mbetet dukuri shqetësuese për familjet e të pagjeturve dhe të tërë popullit të Kosovës e më gjerë. Nuk dihet se ku janë të pagjeturit. A janë nëpër burgje, kampe të përqendrimit apo të vrarë në varreza masive. Kjo kategori është ndër kategoritë më të rënda të viktimave në Kosovë. Siç dihet, shumë persona në Kosovë janë rrëmbyer dhe janë dërguar në drejtime të panjohura, kryesisht në burgjet dhe kampet e përqendrimit në Serbi. Ata persona të rrëmbyer e të pagjetur janë kryesisht meshkuj të moshës së re. Rrëmbimi i tyre u bë në sytë e dëshmitarëve të shumtë, të cilët rrëfejnë se ata u rrëmbyen nga paramilitarët dhe policët serbë, u ndanë nga kolona njerëzish kur po dëboheshin me dhunë në Shqipëri ose Maqedoni të Veriut. Një numër i tyre u morën nëpër shtëpitë e tyre, në prani të familjarëve.

Format kryesore të zhdukjes së personave dhe të mënyrës së zhdukjes së qytetarëve të Kosovës në vitet 1998 e 1999 janë: vrasja dhe varrosja në varrezat masive dhe individuale; vrasja dhe varrosja në vende të panjohura; vrasja dhe djegia e kufomave; vrasja dhe bartja e kufomave dhe hedhja e tyre në lumenj; vrasja e familjeve të tëra dhe zhdukja e gjurmëve të mbetjeve mortore të tyre; ndarja, vrasja dhe zhdukja vetëm e meshkujve të familjeve të caktuara; vrasja dhe zhdukja e gjurmëve të të burgosurve të likuiduar; nxjerrja e individëve nga rreshti i qytetarëve të kapur e të depërtuar dhe vrasja dhe zhdukja e gjurmëve të tyre; hedhja në puse e të gjallëve dhe të vrarëve e zhdukja e gjurmëve të puseve të këtilla; marrja e foshnjave nga nënat dhe zhdukja e gjurmëve të tyre (mundësia e përvetësimit të foshnjave), etj.

Në Kosovë janë vrarë, janë ende të pagjetur, si dhe kanë rënë dëshmorë gjithsej 11.737 shqiptarë ose të ndonjë nacionaliteti tjetër (boshnjakë, romë etj.). Mirëpo, sipas të dhënave të KMDLNJ-së, nga janari i vitit 1998 e deri më 12 qershor 1999 në Kosovë janë vrarë 281 civilë serbë të paarmatosur (211 meshkuj, 70 femra). Të zhdukur janë 123 civilë serbë (99 meshkuj, 24 femra).

Ndër format sistematike të krimit e të spastrimit etnik, krahas vrasjeve e masakrave, dëbimeve, djegieve, rrënimeve, plaçkitjeve, kidnapimeve, burgosjeve etj. nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe, ishte edhe dhunimi i mijëra femrave shqiptare. Këto dhunime janë krime më të tmerrshme e më të pandriçuara, për të cilat mund të flitet vetëm përafërsisht. Dhunimet janë të rënda për çdo popull në botë, e posaçërisht për popullin shqiptar të Kosovës, sepse morali është vlera më e ndjeshme e qenies së tij.

Dhunimet, sipas të drejtës ndërkombëtare dhe Statutit të Tribunalit të Hagës, janë vepra penale, të cilat radhiten në krime kundër njerëzimit. Forcat policore, ushtarake, e sidomos ato paramilitare, kishin përdhunuar dhe mbi këto raste nuk mund të flitet vetëm për cenim të integritetit fizik dhe psikik të femrës, por para së gjithash edhe për cenim direkt të integritetit moral dhe shpirtëror të popullit, andaj edhe kjo formë e dhunës dënohet me të gjitha rregullat ndërkombëtare. Dhunimet seksuale, që i bënë forcat policore-ushtarake dhe paramilitare serbe kundër femrave shqiptare kanë pasur karakter poshtërues, politik e hakmarrës, që kanë pasur karakter të thyerjes morale dhe shpirtërore të popullit shqiptar, andaj populli e konsideron këtë dukuri ndër format më të dhembshme e më të rënda të krimeve të luftës në Kosovë.

Duhet theksuar se, gjatë kohës së luftës në Kosovë, femrat shqiptare kanë qenë të rrezikuara që të dhunohen në çfarëdo situate dhe gati në çdo vend të Kosovës. Dhunimet e grave e të vajzave shqiptare nuk ishin akte të rralla e të izoluara, të kryera nga individë të forcave serbo-jugosllave, por ishin akte të organizuara mirë nga Serbia dhe u përdorën qëllimisht si instrument për të terrorizuar popullsinë civile. Kjo formë e dhunës u përdor si armë lufte dhe instrument i spastrimit etnik sistematik.

Paramilitarët serbë merrnim me dhunë femrat e reja shqiptare dhe i dërgonin në vende të caktuara, ku i dhunonin. Në mesin e të përdhunuarave ka pasur të mitura, studente, nuse, gra shtatzëna, gra të moshuara etj. Kishte raste që i dhunonin edhe para anëtarëve të familjes, burrit, fëmijës, babës, nënës etj. Në shumë raste, pas dhunimit, edhe i vritnin me qëllim të humbjes së gjurmëve. Shumë femra rezistonin, por pësonin dhe vriteshin. Femrat i merrnin në familje ose në kolonë gjatë ikjes së popullatës.

Në një raport të Fondit Ndërkombëtar të OKB-së për Popujt e Rrezikuar (FNUAP), i publikuar më 25 maj 1999, në Gjenevë, ndër të tjera, thuhet: „Ushtarët serbë për çdo ditë ngarkonin me kamionë nga 30-50 femra të reja shqiptare, të cilat i dërgonin në drejtime të panjohura, ku i dhunonin për disa ditë me radhë në ndërtesa ushtarake ose vendbanime të tjera të ushtarëve serbë. Nëse ato refuzonin marrëdhëniet seksuale me ushtarët dhe eprorët serbë, i vrisnin ose i digjnin në prezencën e të tjerave, për t’i frikësuar dhe nënshtruar më lehtë femrat e tjera”.

Komisionerja e OKB për të Drejtat e Njeriut, Mery Robinson, në raportin e saj përkitazi me dhunimet, që kanë kryer forcat serbe gjatë luftës në Kosovë thotë: „Dhunimet në shumë qendra të Kosovës janë kryer kryesisht nga paramilitarët e Arkanit dhe nga policët shtetërorë serbë”.

Sipas të dhënave të marra në terren, përkatësisht vizitës së fshatrave, u dhunuan seksualisht shumë femra shqiptare. Numri i tyre është i madh, mirëpo, për shkak të vetë natyrës dhe prekshmërisë (mentalitetit shqiptar), shumë nga këto kanë heshtur ose nuk janë publikuar. Mirëpo, sipas një raporti të një organizate humanitare, thuhet se është e trishtueshme të dëgjosh tregimet e disa të mbijetuarave. Numri më i madh i tyre nuk flet kurrë dhe i mbajnë “plumbat” e turpit për tërë jetën. Numri i femrave të dhunuara, sipas statistikave, kap shifra të ndryshme, varësisht nga organizatat e ndryshme që kanë bërë hulumtime për këtë. Ato shifra sillen nga dy mijë deri në dhjetëra mijëra!

Shumë organizata ndërkombëtare joqeveritare dhe ekspertë të ndryshëm manipulojnë me shifrën se afër 20.000 femra shqiptare janë dhunuar nga pjesëtarët e forcave serbe në ditët e luftës. Mirëpo, sipas një burimi tjetër, kjo shifër sillet rreth 2.018 femra të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

Sipas analizës së OSCE-së, dhunimet gjatë luftës në Kosovë nga forcat paramilitare, ushtarake dhe policore serbe janë bërë në këto forma: dhunimet pas kidnapimit, të kryera në vende publike; dhunimet në shtëpitë ku kanë jetuar femrat; dhunimet në grupe që i kanë bërë pjesëtarët e njësive paramilitare; dhunimet gjatë kohës së sulmit në fshat; dhunimet në konvoje; dhunimet në shtëpi; mbajtja e femrave në robëri seksuale; dhunimet para vrasjeve; dhunimet e kombinuara me forma të tjera të torturës dhe keqtrajtimit; dhunimet pas kidnapimeve; dhunimet dhe dhuna seksuale në lidhje me zhvatje të parave; dhunimet publike, para personave të tjerë dhe forma të tjera të dhunimit.

Për të penguar masakrat e mëtejshme, bota progresive, duke i parë krimet që po bënte makineria policore-ushtarake e paramilitare serbe ndaj një populli të pafajshëm, si dhe falë ndërgjegjësimit të qeverive të vendeve demokratike të botës, në radhë të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të Anglisë, por edhe të vendeve të tjera anëtarë të NATO-s, për të evituar një tragjedi njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve, më 24 mars 1999 u bë intervenimi i NATO-së, në krye me SHBA-të. Aeroplanët e NATO-s, pak pas orës 20.00, hodhën bombat e para në caqet ushtarake serbe në territorin e Kosovës dhe pastaj edhe të Serbisë. Kjo ishte një ngjarje e madhe historike për popullin shqiptar të Kosovës e më gjerë. Në qershor të vitit 1999, menjëherë pas mbarimit të luftës, Bill Klinton, kryetari i SHBA-ve, ishte falënderuar dhe kishte deklaruar se „NATO i pengoi tentimet dhe paramendimet sistematike për pastrimin etnik dhe gjenocidin”.

Sulmet, nga ajri, të NATO-s mbi Serbinë, e konfirmuan arsyeshmërinë e bindjes së shqiptarëve se kriza në Kosovë nuk mund të përfundonte pa ndërhyrjen e forcës ndërkombëtare. Ato, po ashtu, e konfirmuan edhe arsyeshmërinë e të gjithë atyre faktorëve, të cilët kishin shprehur bindjen se Millosheviqi njeh vetëm gjuhën e forcës. Ndërhyrja e NATO-s në luftën e Kosovës u bë shpresë dhe kusht që tragjedia dhe mizoritë e pushtetit serb në Kosovë, të filluara si në Bosnjë, së paku të mos përfundonin si atje. Ky akt kishte domethënie historike për shqiptarët dhe për perspektivën e tyre. Kjo domethënie konsiston në faktin se në historinë shqiptare, anën e tyre e morën fuqitë më të mëdha të botës.

Përveç krimeve, dhunimeve, dëbimit masiv nga vendlindja të popullatës shqiptare, u shkatërruan edhe shumë objekte banimi dhe ndihmëse, shkolla, xhami dhe shumë objekte të tjera ekonomike dhe infrastrukturore. Nga atdheu i tyre u shpërngulën më se 1 milion shqiptarë të Kosovës, të cilët u vendosën kryesisht në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, e nga aty në vise të ndryshme të botës.

Në fund mund të konstatojmë se populli shqiptar, rinia e tij, përherë iu kishte kundërvënë këtij terrori e kësaj dhune, kjo në forma të ndryshme. Në dhjetëvjetëshin e fundit të shek. XIX, përkundër dhunës, terrorit e gjenocidit shtetëror serb, ai ka arritur ta organizojë në një shkallë të lartë qëndresën dhe jetën institucionale legjitime dhe demokratike në Republikën e Kosovës. Mirëpo, me ndryshimin e rrethanave politike në ish Jugosllavi, luftërat që zhvilloheshin në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, edhe Kosovës i kanosej një rrezik shumë më i madh. Andaj patriotët shqiptarë u rreshtuan në radhët e UÇK-së, duke vazhduar traditën e të parëve në luftë për liri e pavarësi, luftën për të mbrojtur familjen dhe atdheun. Kjo ushtri nuk lindi vetëm si kundërpërgjigje ndaj dhunës serbe në Kosovë, por ajo është krijesë e popullit të Kosovës që nga periudhat më të hershme historike.