Gishtin në kokë!

Gishtin në kokë!

Është e njohur thënia se – kush si politikan i ri nuk është idealist, ai s’ka zemër, por kush edhe pas vitesh nuk transformohet në realist, ai s’ka tru.

Shkruan: Mersel BILALLI, Gostivar

Historiku i definimit të statusit të Kosovës fillon me të ashtuquajturin Grup të Kontaktit, i cili përbëhej nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe Rusia, e që më pas u shndërrua në “Trojka” (SHBA, Bashkimi Europian dhe Rusia), e cila udhëhoqi negociatat gjatë vitit 2007. Pas mossuksesit, procesi u mor në dorë të diplomacisë së BE-së nga Ketrin Ashton dhe Federika Mogerini, por të cilat po ashtu përfunduan pa sukses. Provuan ta ecin procesin edhe Metju Palmer, së bashku me Miroslav Lajçak, por sërish suksesi mungoi.

Kah fundi i vitit 2020 ata për një kohë u zëvendësuan nga Riçard Grenell, i dërguar special i presidentit amerikan Donald Tramp, të cilët si zgjidhje ofronin këmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo çështje ishte kundërshtuar ashpër nga BE-ja, sidomos nga Gjermania, si precedent që do ta hapte kutinë e Pandorës në shumë mjedise tjera.

Paraprakisht rrotulloheshin ide për Kosovën me autonomi thelbësore sipas modelit të Hong Kongut. Ajo do të përfshinte kompetenca maksimale të Kosovës, përveç në fushën e politikës së jashtme dhe monetare, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Por, pa dilemë se ka pasur edhe ide të tjera. Megjithatë, duket se më e balancuar ishte ideja e diplomati finlandez dhe njëherazi i dërguar i posaçëm i OKB-së, Marti Ahtisari. Baza e këtij plani ishte “pavarësia e mbikëqyrur”. Ky plan, edhe pse u hodh poshtë nga Këshilli i Sigurimit (me veton ruse), megjithatë ai mbeti dokument bazë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Më pas, ishte Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, që iu dorëzua Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në fund të nëntorit 2008, e që përmbante një plan prej gjashtë pikash për UNMIK-un dhe vendosjen e EULEX-it. Mendohej se policia dhe doganat, si dhe sistemi gjyqësor në zonat e banuara me serbë në Kosovë, të ishin “nën ombrellën” e OKB-së, kurse në zonat e banuara me shqiptarë, policia, doganat dhe gjyqësori do të punonin me EULEX-in.

Por, disa vite më vonë, mollë sherri u bë Asociacioni i Komunave Serbe me kompetenca të veçanta ekzekutive (Zajednica), e cila u miratua me Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2011. Që atëherë, “Zajednica”, mbetet termin tepër i eksploatuar sidomos nga Albin Kurti gjersa ai ishte opozite, e që tani i thyhet për koke edhe atij personalisht, por edhe gjithë Kosovës.

Teksti i Ahtisarit përmban edhe një pjesë që flet për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë. Në Qeverinë e Kosovës serbëve u garantohet një pozitë ministrore dhe një zëvendësministër, ndërsa ligjet nuk do të miratohen nëse edhe serbët nuk i votojnë. Mitrovica do të ndahej në dy komuna – veriore dhe jugore. Që nga viti 2008, Kosova është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore dhe FIFA, por jo edhe e Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, procesi i njohjeve kohëve të fundit sikur është ndalur, madje ka pasur edhe do revokime misterioze të njohjeve. Ndër vendet e Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur Kosovën janë Spanja, Sllovakia, Qiproja, Greqia dhe Rumania, ndërsa kur bëhet fjalë për fuqitë botërore, ato janë Rusia, Kina, Brazili dhe India. Tani, 15 vjet pas Planit të Ahtisarit, Serbia dhe Kosova akoma mbeten shumë larg marrëveshjes përfundimtare.

Me Hashim Thaçin, me të cilin në vazhdimësi presidenti Vuçiq këmbente kritika dhe gjuajtje verbale, në fakt ata kishin kontraktuar një këmbim territoresh si bazë për zgjidhjen e gjendjes mes Kosovës dhe Serbisë. Në vitin 2018, Vuçiqi ishte dakorduar në parim për një zgjidhje që prekte kufijtë ekzistues mes dy shteteve. Jozyrtarisht qe thënë se të katër komunat e veriut do t’i bashkoheshin Serbisë, ndërkaq Kosovës do t’i jepej pjesa më e madhe e Preshevës dhe disa fshatra të Bujanocit. Ndërkaq Ujmani do të trajtohej bashkërisht. Asaj kohe zgjidhja prezantohej si “demarkacion” mes të dyja vendeve, ani se demarkimi nënkupton saktësimin e kufirit dhe jo devijimin radikal të tij apo shkëmbimin e territoreve. Pas këtij projekti qëndronin persona të rëndësishëm të presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Tramp, në krye me Grenellin  Mbështetësit e kësaj ideje thoshin se këmbimi i territoreve do t’u jepte fund mosmarrëveshjeve që mbi 10 vjet e mbajnë situatën pezull, qëkur Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia. “Ndryshimet e kufijve mund të duken diçka pa shije.”, thotë Xhejms Ker Lindsej, një specialist për Ballkanin nga Shkolla Ekonomike e Londrës. Por, po të kishte një marrëveshje midis dy palëve, do të hapej rruga për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin. Kështu, Prishtina do të lejohej më në fund të ishte anëtare e OKB-së.

Me të drejtë mendohej se zgjidhja do ishte qëndrueshme, pra në rast se do arrihej një marrëveshje për këmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë, sepse në këtë proces të përfshiheshin vetëm territoret homogjene nacionale, përkatësisht komunat me shumicë shqiptare e serbe. Kusht, po ashtu, ishte që territore në këmbim të jenë vetëm komunat kufitare e jo edhe ato brenda Kosovës që fizikisht nuk janë të lidhura me rajonet kufitare. Pasi, përfshirja e këtyre enklavave do të krijonte vatra të reja potenciale të krizës ekonomike, politike, e të sigurisë, mendonin asaj kohe autorët e studimit “Efektet demografikë dhe socialë të skenarëve të ndryshëm në normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës”, botues i të cilit ishte Fondi për Shoqëri të Hapur.

Sipas disa sondazheve të prezantuar asaj kohe nga Instituti Kërkimor për Çështje Europiane dhe të Zhvillimit (RIDEA), në konferencën “Zëri i Popullit rreth Finales së Madhe” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar kështu procesit të dialogut mes këtyre dy shteteve, që asaj kohe më së shumti ndërmjetësohej nga Bashkimi Europian, status quo-në e asaj kohe mes Kosovës dhe Serbisë e mbështesin vetëm 16 për qind e qytetarëve të anketuar, derisa vetëm 10 për qind kanë treguar përkrahje për idenë e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, me kompetenca ekzekutive, në këmbim të njohjes de facto të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Dështimi i këmbimeve të territoreve, në një masë, i ngarkohet presidentit të asaj kohe Hashim Thaçit, i cili nuk kishte organizuar struktura për prezantim afirmativ të këtij procesi. Ai vet shkonte nëpër medium duke deklaruar se pala shqiptare do merrte disa pjesë nga Serbia dhe se s’do jepte asgjë si kundërshpërblim. Kjo nga shumë njerëz ndjehej si ofendim i inteligjencës. Andaj plani dështoi, ndërsa me ardhjen e Bajdenit as që mund të ringjallej.

Tani jemi në një ngërç serioz, pasi Kurti vështirë se e tejkalon vetveten që të përfitojë Kosova. Ai akoma e ka hipotekën e distancës ndaj SHBA-së. Disa herë ka potencuar se ne s’jemi meksikanë në kufij me SHBA-në, por europianë. Pra, shtetin për momentin e udhëheq një lider, që dukej si një shpresë e madhe për Kosovën edhe në planin e brendshëm edhe në atë ndërkombëtar. Por, ai vetëm vazhdon të dëshmojë se është një politikan i shkathtë, por jo edhe një pushtetar i mirë. Ka një thënie që thotë se “kush nuk është idealist si politikan i ri, ai s’ka zemër, por kush edhe pas shumë vitesh nuk transformohet në realist, ai s’ka tru”.

Për fat të keq, Kurti me kapriçot e tij personale, nga një pozicion i mirë bisedues, për një kohë shkaktoi dështim serioz në pozicionet biseduese të Kosovës, në rend të parë duke e shndërruar një problem banal (atë të targave), që është si nga një çështje teknike margjinale, në një problem qendror të bisedimeve me Serbinë. Me atë, ai shembi shumëçka nga ajo që për dy dekada ishte arritur. Lëshimi i institucioneve nga ana e serbëve e dëmton dukshëm pozicionin bisedues të palës kosovare. Kjo i erdhi palës serbe si një dhuratë nga qielli dhe si duket i krijoi një pozicion dukshëm të mirë. Për herë të parë nga bashkësia ndërkombëtare fajësohet pala kosovare, kurse lavdërohet ajo serbe, edhe pse pritej që ajo ta hedhë marrëveshjen. Pra, kur dihej se pala serbe akoma s’kishte mundësi të brendshme opinionale që ta pranojë marrëveshjen, çka i duhej Kurtit t’i bënte temë qendrore targat, duke marrë samarin mbi shpinë të vete dhe mbi shpinë të gjithë Kosovës?  Me të, duket se ai e përforcoi tezën e kahmotshme se një politikan ambicioz duhet të jetë në gjendje të parashikojë se çfarë do mund të ndodhë nesër, brenda një jave, brenda një muaji apo brenda një viti, e që më pas, si të vijë në pushtet, të shpjegojë se pse ato nuk ndodhën!

Situata u soll gjer aty sa Borelli të tërhiqej nga pozicioni dhe ndërmjetësimi të dështonte, kurse përgjegjësia do t’i mbetej Kosovës. Por, si duket presioni i madh amerikan e bëri të veten. Zëdhënësi i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, pat deklaruar se çdo pretendim se Bashkimi Europian po heq dorë nga propozimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është i vërtetë. Sipas tij, ky propozim për normalizimin e marrëdhënieve ‘është mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Këtë deklaratë Stano e bëri pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq arritën një marrëveshje për çështjen e targave në një takim urgjent të thirrur nga Bashkimi Europian në Bruksel. Stano tha se “Bashkimi Europian është ende plotësisht prapa këtij propozimi dhe inkurajon palët që të bien dakord për tekstin sa më shpejt që të jenë gati t’i dëshmojnë komunitetit ndërkombëtar se janë gati për një zgjidhje europiane”. Ai shtoi se “Është thelbësore që palët të shmangin përshkallëzimin, i cili kërkon veprim të menjëhershëm nga të dyja palët – Kosova të mos vendosë gjoba dhe Serbia të mos lëshojë targa makinash KM (Mitrovica e Kosovës). Sepse, nuk mund të ketë negociata për normalizimin e marrëdhënieve në prania e kërcënimit të dhunës.”, tha Stano.

Sipas profesorit Danijel Server, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është një “çështje shumë më e rëndësishme” dhe nga deklaratat e zyrtarëve ai ka konstatuar se Serbia e ka refuzuar propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. “Sigurisht që çështja e targave në vetvete nuk ia vlen si rrezikim dhune, që autoritetet në Prishtinë mund të mos jenë në gjendje ta kontrollojnë. Pasojat tashmë kanë qenë negative, me tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës”, tha Serveri. Sipas mendimit të tij, Prishtina duhet të mendojë se si “ta qetësojë situatën dhe të parandalojë që Bashkimi Europian ta fajësojë atë për kolapsin e negociatave për një çështje të vogël, kur çështja më e madhe është ajo që ka vërtet rëndësi”.

Kurti, madje, e akuzoi Borrellin në Bruksel se ai iu përshtat qëllimit të Serbisë për targat, ndërsa qëllimin e madh e hoqi nga agjenda, i pavetëdijshëm se ishte vetë ai që përmes targave e eliminoi “qëllimin e madh”, duke e dëmtuar në esencë procesin negociator.

Informatat më të reja flasin për atë se Kurti parimisht ka dhënë pëlqim për projektin franko-gjerman, por si duket kjo është bërë si rezultat i presionit, madje edhe kërcënimit amerikan. Politikan i ndërgjegjshëm nuk e sjell situatën gjer këtu, me qëllim që të mbrohet nga shkrirja e dozës së patriotizmit që ai e ka ndërtuar në imazhin e tij, çështje që si duke ai gjithherë e ka pasur problem qendror. Por, në këso procesesh të rënda për popullin dhe shtetin, etiketa e “tradhtarit” është ajo ma e drejta. T’i kujtojmë “patriotët” Martiqi dhe Babiqi nga “Srpska Kraina” në Kroaci që refuzuan Planin Z-4, që serbëve të atjeshëm u jepte diçka më shumë se një republikë (madje entitet me elemente konfederale, me valutën të tyre). Ata refuzuan dhe pastaj vijoi eksodi nga “Oluja” kroate. Pra, nuk është mirë që Kurti, duke e ruajtur imazhin e vet patriotik, ta dëmtojë Kosovën. Sepse rejtingu momental i politikanëve është materie tejet fluide – fare lehtë tani mund ndodhë që votuesit të ndërgjegjësohen dhe t’i votojnë mu ata që premtojnë më pak, pasi me ata do dëshpëroheshin më pak.

Tani duhet pasur parasysh faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të shkojnë në variantin që të arrihet vetëm një kënaqësi. Ata do të balancojnë. Të njëjtën që e bënë me Japoninë pas bombardimit atomik, një shtet të cilin tani e kanë partner të afërt. Njësoj si me Gjermaninë, Vietnamin, Irakun, pra ata duan në taborin e tyre ta afrojnë edhe Serbinë. Posaçërisht tani kur zhvillohet konflikt i ashpër mes Rusisë dhe Ukrainës, kur Rusia dëshiron destabilizimin e këtij rajoni me qëllim defokusimi. Por, dështimi rus në Ukrainë sikur e bind Serbinë se s’ka opsion tjetër më të favorshëm se Perëndimi. Pra, këto janë konturat themelore brenda të cilave do arrihet marrëveshja. Duhet kuptuar se pikërisht tani është fare lehtë të jesh një politikan i ndershëm, sepse konkurrenca është e vogël