Giroud shpëton Milanin, perla e Maldinit nuk i mjafton Spezias

Giroud shpëton Milanin, perla e Maldinit nuk i mjafton Spezias

Theo Hernandez zhbllokoi ndeshjen në minutën e 21’. Asist i bukur i Ismaël Bennacer dhe gol i kapitenit, i dyti për të në Serie A këtë sezon, ndërkohë që pesë minuta më parë Rade Krunic goditi traversën.

Ekipi mik priti momentin e vet dhe ai erdhi në minutën e 59’. Daniele Maldini, të cilin Milani e huazoi këtë sezon te Spezia, realizoi një gol shumë të bukur, duke rikthyer baraspeshën. 21-vjeçari nuk festoi golin e parë sezonal përballë ekipit të zemrës.

Vjet gjeti golin e parë në Serie A në sfidën Spezia-Milan (1-2), ndërsa sonte ndodhi e kundërta, me djalin e Paolo Maldinit që shënon në “San Siro” me fanellën e Spezias. Sandro Tonali gjeti golin në minutën e 65’, por VAR-i e anuloi për një faull.

Djemtë e Stefano Piolit nuk u demoralizuan dhe siguruan fitoren falë golit të Oliver Giroud një minutë përpara fundit. Asist i bukur i Tonalit dhe veprim fantastik akrobatik i sulmuesit francez, i cili harroi se kishte një të verdhë, hoqi fanellën dhe la ekipin me një lojtar më pak në minutat e mbetura, që gjithsesi nuk prodhuan asgjë dhe ndeshja përfundoi me festë kuqezi.