Gazpromi redukton furnizimet me gaz – Gjermania thotë se arsyeja është për të ‘mbajtur lart çmimin’

Gazpromi redukton furnizimet me gaz – Gjermania thotë se arsyeja është për të ‘mbajtur lart çmimin’

Ditët e fundit Gazpromi rus ka reduktuar furnizimet me gaz për Gjermaninë e Evropën. Praktikë e njohur që Rusia e pakëson furnizimin, thotë ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck. Ai bën thirrje që të kursehet energji.

Vazhdojnë problemet në furnizimin me gaz nga Rusia. Pas Gjermanisë, edhe vende të tjera kanë njoftuar reduktim të furnizimit me gaz nga Rusia. Çekia, Sllovakia dhe Austria bëjnë të ditur se ka parregullsi me furnizimin me gazin rus. Edhe Franca u njoftua të premten, se nuk furnizohet me gaz nga Gazprom.
Koncerni italian, ENI bëri të ditur se merr aktualisht 65 për qind të sasisë së gazit nga Gazprom. Sipas ambasadorit rus në BE mund të ketë madje ndërprerje të plotë të furnizimit me gaz përmes “Nord Stream I”, për shkak të punimeve në gazsjellës.

Habeck: Duhet reaguar me mençuri

Për ministrin gjerman të Ekonomisë, Robert Habeck kjo arsye nxirret në krye për të “mbajtur lart çmimin e gazit dhe për të reduktuar hap pas hapi sasinë e gazit”.

Ai shton se, “mënyra si vepron Gazprom, që e reduktoi edhe njëherë të enjten sasinë e furnizimit përmes gazsjellësit ‘Nord Stream II’ në Gjermani, është pjesë e një praktike që vërehet prej disa javësh.

Habeck theksoi se duhet reaguar me mençuri dhe maturi, e megjithatë të mos harrojmë se “ndodhemi në një matje forcash me Vladimir Putinin”.
“E vërteta e hidhur është se Gjermania është ende e varur nga gazi rus”, shton Habeck.
Por ministri gjerman nuk sheh një lidhje të drejtpërdrejtë mes vizitës në Kyiv të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe reduktimit të furnizimeve të gazit.

“Ka ‘shumë politikë’ në atë që koncerni Gazprom ka reduktuar furnizimet e gazit. Nëse vërtet ka një lidhje të drejtpërdrejtë me një rast akut, ky do të ishte spekulim i pastër. Kjo përfshin edhe kushtet teknike të ‘Nord Stream I’”, tha ai gjatë një vizite në Bremerhaven, por ai nuk shikon një lidhje të drejtpërdrejtë të vizitës së tre krerëve evropianë në Ukrainë.

Të kursehet energji

Habeck u ka bërë thirrje firmave gjermane dhe qytetarëve që të kursejnë energji. Ende është i siguruar furnizimi me gaz së afërmi, me gjithë shkurtimet e fundit të sasisë së furnizimit përmes Gazprom, është shprehur ai për televizionin ARD.

Por që kjo situatë të mbetet kështu është mirë që rezervat e furnizimit të jenë të mbushura në dimër. Ai u bëri thirrje qytetarëve për kursim. Nëse nuk mbushen rezervat mbi mesataren, duhet që në rast emergjence me ligj të vendoset kursimi i gazit. Kjo nuk është e nevojshme për momentin. Me aktualisht 56 për qind rezervat janë të mbushura mirë, megjithëse gjendja është keqësuar. /Deutsche Welle/