` . Gashi: Ju premtoj administratorëve, nuk guxon askush t'i prekë - TV SHENJA

Gashi: Ju premtoj administratorëve, nuk guxon askush t’i prekë

Administrata është e stërngarkuar për shkak se nuk është mirë e sistematizuar, tha kryetari i Alternativës, Afrim Gashi. Ai në emisionin ‘Enter’ në TV SHENJA shtoi se me një sistematizim të mirë, edhe do të hapen vende pune por edhe do të funksionalizohet administrata. I pyetur se nëse vijnë në pushtet, a do t’i largojnë nga puna administratorët e punësuar nga BDI-ja, Gashi u shpreh i bindur se kjo nuk do të ndodhë, madje tha se askush nuk do të guxojë t’i prek administratorët shqiptarë.

“Ky do të ishte mëkati më i madh që mund ta bëj një parti. Unë po ju drejtohem këtu përmes ekraneve tuaja të gjithë administratorëve edhe ju them me sinqeritetin më të madh, askush, askush nuk do të guxojë t’i prekë ata. Secili që është në punë në administratën e shtetit, le të ndjehet i sigurt, le të ndjehet i sigurt se nuk i kanë borxh ata asnjë partie, madje edhe partisë që i ka punësu, e aq më tepër që ne si koalicion dhe si parti shqiptare, kur të vijmë t’i largojmë nga punë, jo që t’i largojmë por do t’i avancojmë. Në bazë të ligjit për avancim dhe ligjit për administratë publike, ne do t’i trajtojmë shqiptarët në mënyrën e barabartë dhe në bazë të ligjit dhe do t’i avancojmë të gjithë shqiptarët që janë me shumicë bashkëpunëtorë të rinj”, deklaroi Gashi. /SHENJA/