Garë për të parin e shqiptarëve në Ballkan

Garë për të parin e shqiptarëve në Ballkan

Ka kohë që Rama dhe Kurti janë në një lloj gare për kontroll politik mbi gjeografinë etnike shqiptare, të shtrirë në pesë shtete. Deri më tani kjo garë ka qenë asimetrike – Rama ishte kryeministër kurse Kurti lider i një partie opozitare në ngritje. Së këndejmi, përpjekja e Kurtit për të dobësuar ndikimin e Ramës në Kosovë, apo edhe për të rritur ndikimin e tij jashtë kufijve të Kosovës, dukej tepër ambicioze.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Gjatë vizitës së tij në Lezhë në mars të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk u prit nga asnjë zyrtar i Tiranës. Ai ishte i shoqëruar vetëm nga përfaqësues politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Kjo vizitë ishte realizuar menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ku VV e Kurtit fitoi bindshëm zgjedhjet. Kjo u komentua si një intensifikim i garës politike midis Kurtit dhe homologut të tij nga Tirana, Edi Rama.

Ironia e kësaj vizite ishte se në Lezhën e Besëlidhjes, ku para 577 vjetësh ndodhi bashkimi i parë i shqiptarëve nga ana e Skënderbeut, u vulos përçarja dhe hendeku midis Ramës dhe Kurtit.

Me Kurtin ishin vetëm Shaip Kamberi nga Presheva, Nik Gjeloshaj nga Tuzi dhe Ziadin Sela nga Maqedonia e Veriut. Si kryeministër në ardhje, Kurti dha shenjat e para se nga politika populliste do të bjerë në atë reale kur u përgjigj në pyetjen lidhur me projektin e bashkimit kombëtar, një temë që VV e kishte trajtuar që nga fillimi. Tani Kurti thotë se Kushtetuta e Kosovës nuk ia lejon diçka të tillë, por se ky është një proces që do të vijë me kohën.

 

Rivaliteti Kurti-Rama

 

Ka kohë që Rama dhe Kurti janë në një lloj gare për kontroll politik mbi gjeografinë etnike shqiptare, të shtrirë në pesë shtete. Deri më tani kjo garë ka qenë asimetrike – Rama ishte kryeministër kurse Kurti lider i një partie opozitare në ngritje. Së këndejmi, përpjekja e Kurtit për të dobësuar ndikimin e Ramës në Kosovë, apo edhe për të rritur ndikimin e tij jashtë kufijve të Kosovës, dukej tepër ambicioze. Në traditën politike të shqiptarëve etnikë në rajon dhe përtej, Shqipëria dhe pushtetarët e saj kanë qenë ata që kanë mbajtur të ashtuquajturën “vulë patriotike”. Me atë kanë ngritur apo rrënuar parti e figura të caktuara politike.

Tani duket se ka një moment të ri. Kurti është një kryeministër i ri me plot energji për të qeverisur madje disa mandate radhazi, kurse Rama fillon mandatin e tretë, mbase të fundit të kryeministrit. Ndikimi i Tiranës te qarqet politike në Prishtinë, Shkup e Tetovë, Preshevë dhe Ulqin e Tuz nuk është i fuqishëm si më parë dhe është në rënie. Tirana shpesh ka keqpërdorur problemet e shqiptarëve jashtë shtetit për nevoja të politikave të brendshme apo edhe për të fituar favore për vet shtetin, gjë që ka zbehur fuqinë e paternaliste të autoritetit të kryeqendrës politike shqiptare. Trajtimi i shqiptarëve etnik jashtë Shqipërisë ka qenë periodik, jokonzistent dhe egocentrik. Kjo mund të ilustrohet me faktin se Shqipëria është vendi i dytë pas Serbisë me më shumë barriera ekonomike ndaj Kosovës, gjë që pamundëson tregtinë e lirë midis dy shteteve mike. Apo edhe me faktin se, si qendër e kulturës shqiptare, Tirana nuk ka asnjë kënd kulturor në Shkup apo Tetovë, që do të shërbente si urë lidhëse midis krijuesve nga të dy shtetet që i përkasin të njëjtës matricë kulturore.

A do të imponojë Kurti një ndikim më serioz dhe më të qëndrueshëm në qendrat të gjeografisë shqiptare, pritet të shihet. Natyrisht, ky ndikim nuk duhet bërë për motive folklorike apo populiste, aq më pak për nevoja të brendshme zgjedhore. Ky ndikim duhet të jetë konstruktiv në dimensionin e evropianizimit dhe pajtimit të Ballkanit dhe produktiv për shtetet ku shtrihet etnia shqiptare.

Për dallim nga Rama dhe pararendësit e tij, që shtrinin ndikimin nëpërmjet partneriteteve të pashpallura me parti të caktuara jashtë kufijve të Shqipërisë, Kurti ka një qasje tjetër – të konkurrencës në sferën publike, madje edhe në zgjedhje. PS ka partneritet tradicional me partitë që dolën nga Lidhja Popullore e Kosovës (LPK), si PDK në Kosovë apo BDI në Maqedoninë e Veriut, por asnjëherë nuk ka hapur zyra apo themeluar subjekte që do t’i konkurronin ato. Në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe PD, duke përkrahur të djathtën shqiptare në Prishtinë apo Tetovë.

Deri më tash Kosova nuk ka pasur ndonjë ndikim kualitativ mbi kampin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Në fillim të viteve të 90-ta partia e vetme shqiptare PPD ishte pjesë e Këshillit Koordinues, të drejtuar nga LDK-ja e Ibrahim Rugovës. Por, më vonë rrugët u ndanë pasi PPD mori sinjal që të ardhmen ta kërkojë në skenën e përbashkët politike të Maqedonisë së Veriut. Më vonë ka pasur partneritete të ndryshme midis partive shqiptare nga të dyja anët e kufirit, por në të shumtën e rasteve ato janë imponuar nga të qenurit në pushtet dhe nga interesat që ndërlidhen me këtë pozitë.

Ndikimi i Kurtit në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut nuk besoj se do të prodhojë rezultatet e pritura brenda një harku të ngushtë kohor. Duket se ky ndikim fillon nga një rreth i ngushtë i mbështetësve fanatik të Kurtit, që më pas të shtrihet te pjesa tjetër e shqiptarëve, e në fund të kanalizohet si vullnet politik. Pra, është një maratonë, siç ishte projekti i VV në Kosovë. Kjo nga shkaku se nuk është definuar baza e bashkëpunimit dhe vlerat mbi të cilat duhet të ngritët ndikimi. Nëse PS kishte ndikim te partitë e dala nga organizata majtiste LPK kurse PD te partitë e djathta, VV mëton të bëjë grumbull të gjithë të pakënaqurit me Ramën në Tiranë apo me Ahmetin në Shkup. Një formulë e zbatuar në Kosovë, por rëndë e realizueshme në Maqedoninë e Veriut shkaku i ndërlikueshmërisë së skenës politike të ndarë në blloqe etnike.

 

Bashkimi etnik i shqiptarëve

Bashkimi kombëtar është i pamundur përderisa Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete më pak të zhvilluara të Evropës, me ekonomi të pazhvilluar dhe me fuqi ushtarake të kufizuar. Këto tre përbërës të fuqisë së një subjekti i bëjnë të dyja shtetet të varura nga agjendat e përcaktuara nga të fuqishmit. Të fuqishmit bëjnë atë që duhet bërë, më pak të fuqishmit e pranojnë atë që duhet pranuar. Ky është definicioni i qasjes realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku Shqipëria e aq më pak Kosova janë lojtarë gati të parëndësishëm.

Tema e bashkimit kombëtar ka qenë përherë një fetish i politikës shqiptare në Ballkan. Më shpesh si kauzë për mobilizime zgjedhore sesa një projekt i strukturuar si strategji që zbatohet. Para së gjithash është një mjet manipulimi, propagande dhe zhvendosje e vëmendjes. Nuk ka shtet në Evropë etnia e së cilës nuk shtrihet në shtetin fqinj. Megjithatë, sot ende kemi shtete të zhvilluara të cilët kanë ndërtuar identitetin e kombit modern në bazë të komponentës qytetare-gjeografike, e jo siç e shohim ne – mbi bazë të etno-centrizmit. Etnia (populli) gjerman shtrihet në Austri, Zvicër, Luksemburg, Belgjikë, Poloni, Çeki, Hungari, Francë dhe shtetet baltike. Kjo nuk ka penguar të ketë një bashkim real etnik, duke krijuar një hapësirë kulturore dhe një treg të përbashkët ekonomik. I njëjti model është imundur edhe te shqiptarët e Ballkanit. Procesi i Berlinit e bën të mundur këtë, kurse Open Balkan mund të jetë një përplotësues i atij procesi. Mjafton politika të mos i eksploatojë planet dhe dëshirat nga shtresat historike të së kaluarës.