Galliani fluturon drejt Madridit, synon afrimin e sulmuesit të Realit

Galliani fluturon drejt Madridit, synon afrimin e sulmuesit të Realit

Monza siguroi ngjitjen për herë të parë në elitën e futbollit Italian, teksa tashëm Adriano Galliani po punon intensivisht për të ndërtuar një skuadër që të jetë e denjë për të siguruar mbijetesën në Serinë A.

Kështu pas firmës me Andrea Ranocchian, klubi nga Brianza ka arritur marrëveshjen edhe me portierin Alessio Cragno, i cili do të vijë nga Cagliari në huazim me detyrim blerjeje, në rast sigurimi të mbijetesës.

Cragno do të kryejë vizitat mjekësore të hënën dhe do të firmosë një kontratë 3-vjeçare me Monzën, ku do të përfitojë një pagë prej 1.2 milionë eurosh në sezon, teksa me të, Galliani blindon portën, pasi bëhet fjalë për një 28-vjeçar që numëron mbi 150 ndeshje në Serinë A.

Ndërkohë, Galliani pritet të zbarkojë këtë fundjavë në Madrid, ku do të takohet me mikun e tij të vjetër, Florentino Perez. Synimi i drejtuesit të Monzës është që të marrë në huazim sulmuesin spanjoll Borja Mayoral, i cili e njeh mirë Serinë A, pasi ka qenë më parë edhe pjesë e Romës.

Vetë dëshira e spanjollit është të qëndrojë në La Liga, megjithatë Galliani do të provojë të bindë fillimisht Perezin për huazimin e më pas edhe Mayoral, duke i ofruar një rol të rëndësishëm në projektin e klubit të sapongjitur në elitë.