Gafë trashanike e arbitrit dhe VAR, riluhet Juventus-Salernitana?

Gafë trashanike e arbitrit dhe VAR, riluhet Juventus-Salernitana?

Juventus barazoi mbrëmjen e së dielës me rezultatin 2-2 ndaj Salernitanës. Një sfidë e cila prodhoi polemika të shumta duke qenë se bardhezinjtë e përmbysën sfidën në minutat shtesë falë një goli të Milik. Megjithatë, pak sekonda pas një feste të çmendur me polakun që mori edhe kartonin e dytë të verdhë pasi hoqi fanellën, arbitri Marcenaro vendosi të anuloj golin për një pozicion jashtë loje të Leonardo Bonuccit.

Mbrojtësi u konsiderua si një lojtar që ndikoi në aksion duke i hequr mundësinë e reagimit portierit, edhe pse ishte një vendim tejet i diskutueshëm. Nervat e torinezëve nuk mbajtën me Cuadradon dhe Allegrin që u ndëshkuan me kartonë të kuq prej protestave, edhe pse një video e publikuar pas përfundimit të ndeshjes xjerr blof VAR teksa shfaqet Candreva që mban në lojë pikërisht Bonuccin.

Një gabim trashanik në epokën e VAR, ndërsa në Itali tashmë po flasin për mundësinë që ndeshja të riluhet për shkak të gabimit teknik. Edhe pse një hipotezë e tillë është vështirë e realizueshme duke qenë se në precedentët e mëparshëm të kampionatit italian, kur është kryer një gabim teknik, ndeshjet nuk janë riluajtur.

Mjafton të kujtojmë ndeshjen e sezonit të kaluar mes Spezia dhe Lazio kur Acerbi shënoi në pozicion jashtë loje dhe i shpëtoi gjykimit të VAR, megjithatë ndeshja nuk u riluajt. Protokolli është i qartë edhe në të tilla raste, e pavarësisht gabimeve teknike në fushë nga arbitri apo VAR, në fund rezultati që prodhohet nga 90-minutëshi nuk mund të ndryshojë.

Kështu, pavarësisht faktit që Juventus ka të drejtë të protestojë dhe ankohet, sërish do të duhet të kënaqet me vetëm një pikë nga sfida shtëpiake ndaj Salernitanës.