Gafa dhe keqardhje në Tel Aviv, Shqipëria dhuron fitoren dhe vendin e parë

Gafa dhe keqardhje në Tel Aviv, Shqipëria dhuron fitoren dhe vendin e parë

Shuhet ëndrra për të bërë ndoshta hapin më të madh në historinë e futbollit shqiptar. Kombëtarja Shqiptare dështon në misionin për të siguruar vendin e parë në grupin përkatës të Ligës së Kombeve ku përjashtimi i Rusisë u duk si një asist për skuadrën e drejtuar nga Edoardo Reja por dritaren më prestigjoze, atë të divizionit A e ka hapur Izraeli që mundi 2-1 kuqezinjtë edhe në “Bloomfield Stadium” duke përfituar nga gafa e Hysajt e rastet e humbura të Armando Brojës.
Barazimi i përkohshëm i Uzunit mund të konsiderohet nota më e bukur e mbrëmjes kuqezi ku ranë në sy ulje-ngritjet e skuadrës së Rejës që u ndez vetëm pas shënimit të golit në minutën e 88-të por pësoi sërish nga një tjetër gafë, ajo e Mihajt në kohën shtesë.
Një Shqipëri jo shumë e qartë në Tel Aviv ku skuadra ndryshoi shumë, nuk kishte vazhdimësi ndërsa Edoardo Reja ishte i paqartë me ndërrimet që e bënë edhe më kaotike situatën për një skuadër që e nisi ndeshjen me rreshtimin me 4 në mbrojtje dhe e mbylli me 3 e për më tepër la në stol për më shumë se 60 minuta një lojtar krijues si Nedim Bajrami.
Sa pranë golit ishte në dy raste Armando Broja ndërsa Ylber Ramadani i toleroi sërish vendasit që nga ana e tyre bënë ndeshjen e zakonshme, duke nisur që nga vërshëllimat në momentin e himnit, provokimet e vazhdueshme dhe deri tek goli që lindi nga këmbët e Elseid Hysajt dhe vula që i vendosi ndeshjes Mihaj me një tjetër gafë që ndali entuziazmin e Shqipërisë me 6 minutat e shtesës ku shpresonte të shënonte edhe një gol tjetër.
Gabimi i mbrojtësit të Lazio-s favorizoi izraelitët që ndryshe nga Broja, e shfrytëzuan rastin dhe u zvarritën në fushë sa herë iu dha mundësia për ta vonuar lojën.
Humbje që e mban Shqipërinë në vendin e fundit të grupit B2 me 1 pikë duke bërë që ndeshja e fundit me Islandën pas tre ditësh të jetë thjesht sa për statistika pasi asnjë prej dy skuadrave nuk rrëzohet në divizionin C.
Izraeli, përveç faktit që edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve do të luajë me kombëtaret më të forta të kontinentit, siguron edhe biletën e finales katërshe play-off për një biletë në Euro 2024.