Gabimet taktike të presidentëve amerikanë si “shkak” i luftës në Ukrainë dhe pasojat

Gabimet taktike të presidentëve amerikanë si “shkak” i luftës në Ukrainë dhe pasojat

Obama, në përpjekje për ta mbajtur premtimin parazgjedhor se në mandatin e tij Amerika nuk do të hapë luftë të re, lejoi pa asnjë rezistencë aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë dhe bëri marrëveshje me diktatorin e Sirisë, Asad, me pretendimin se dreqin e futni në shishe, por harroni t’ia mbyllni kapakun.

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Qëkur Rusia e sulmoi Ukrainën, një shtet të pavarur dhe sovran, nuk kanë ndaluar ligjërimet dhe dënimet për thyerjen e të drejtës ndërkombëtare pas një invazioni të paparë deri më tani në kontinentin e vjetër. Janë harxhuar tonelata për të shtjelluar arsyet e këtij konflikti, si në aspektin e të drejtës ndërkombëtare, njashtu edhe gjeopolitike, ideologjike, e deri në civilizuese e fetare. Ligjërimet nuk janë as pa arsye e as pa domethënie. Teza qendrore e të gjitha debateve sikur fillon dhe mbaron me pyetjen: a kemi rend ndërkombëtarë dhe, nëse ekziston, deri kur apo si duhet të duket një rend i ri botëror?

Fakt i pamohueshëm është se rendi ndërkombëtar ekzistues është i tejkaluar, pasi ai mund të paraqes një rend, por jo edhe të drejtë ndërkombëtare. Pushteti efektiv, në organizatën më të madhe botërore, Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), edhe gjatë gjeneratës së tretë pas Luftës së Dytë Botërore u mbetet fituesve të kësaj lufte. Dikush pa arsye serioze trashëgon një të drejtë, ndërsa të tjerët, gjithashtu pa arsye, edhe më tej e paguajnë dënimin e baballarëve dhe të gjyshërve të tyre që në një moment të caktuar historik kanë qenë në anën e gabuar. Gjeografia është statike, por zhvillimi ekonomik e tekniko-teknologjik, si dhe ai demografik, janë dinamikë dhe ndikojnë në rrjedhat politike globale. Andaj, si të tillë, duhet të përfillen nëse do të kishim dashur një rend botërorë më të drejtë. Destruksioni konstruktiv, moto që shpesh e përdorë presidenti rus, Vlladimir Putin, si argument për vendosjen e një rendi të ri multipolar kundrejt atij amerikan, që sipas ti nuk është asgjë, pos hegjemoni e Perëndimit karshi të tjerëve, jo se nuk ka bazë teorike. Për më tepër, kjo nga disa qendra të reja të zhvillimit në botë në mos përkrahet, shihet si mundësi. Efikasiteti i ulët i OKB-së në tejkalimin konfliktit Ukrainë-Rusi, nga disa vende është parë si mundësi e mirë për të ngritur çështjen e reformave më të thella në këtë organizatë.

Megjithatë, në këtë rast nuk do të ndalemi rirreshtimet e reja gjeopolitike e as në reformën e mundshme të OKB-së, por duam të tërheqim vëmendjen se politikat e pamenduara mirë të lojtarëve globalë ndikojnë në zhvendosjet gjeopolitike deri në detronizim të rendit botëror. Kur flas kështu, i kam parasysh tre gabimet taktike të tre presidentëve amerikanë: Obama, Tramp dhe, së fundmi, Bajden.

Obama, në përpjekje për ta mbajtur premtimin parazgjedhor se në mandatin e tij Amerika nuk do të hapë luftë të re, lejoi pa asnjë rezistencë aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë dhe bëri marrëveshje me diktatorin e Sirisë, Asad, me pretendimin se dreqin e futni në shishe, por harroni t’ia mbyllni kapakun.

Trampi i kuptoi gabimet e presidentëve paraprakë, të Bushit të Ri dhe Obamës (i pari, në shenjë hakmarrjeje, e sulmoj Afganistanin pa asnjë arsye, si edhe Irakun, ndërsa vend se t’i demokratizojë, këto vende i çorientojë dhe si efekt i fundit lindi Shteti Islamik). Trampi e kuptoi më së miri se koha e Amerikës si polic botëror ka mbaruar, andaj promovoj idenë “Amerika e para” ose “nuk ka aleanca mbi vlera të përbashkëta, por mbi interes të përbashkët”. Ai paralajmëroi tërheqjen nga këto vende, bile edhe prej Europe, për t’u lidhur me Arabinë Saudite dhe shtet përreth saj. Tërheqjen nuk e realizoi, por krijoj huti, pasiguri dhe bota për herë të parë e ndjeu mungesën e Amerikës si ruajtëse e rendit botëror.

Bajdeni nuk bëri asgjë tjetër, pos që i vuri në zbatim pretendimet e Trampit, u tërhoq nga Afganistani pa parapërgatitje dhe pa ide se çfarë pas tërheqjes. Drama e hedhjes së njerëzve prej avioni në kërkim të shpëtimit ia humbi reputacionin në skenën ndërkombëtare si aktor global, që sot vështirë e kthen edhe se e pretendon atë. I traumatizuar nga ky rast, ai bëri gabimin e dytë – e paralajmëroi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por nuk bëri shumë që ta parandalojë. Sot situata është më tepër në duart e natyrës sesa të politikës. Dimri duket se do ta vendosë fituesin në terren. Të kujtojmë se Rusia dy herë e ka fituar “Europën” (Napoleonin dhe Hitlerin) pikërisht me taktikën “Dimri i Sibirit”. “Lejo të depërtojnë thellë në territor dhe prite dimrin, sepse dimri është aleati rus”.

Se kriza është serioze së fundi na e kujton Viktor Orbani kur deklaron se të gjithë ata që mendojnë se lufta Ukrainë-Rusi mund të ketë një fund pa një marrëveshje amerikano-ruse, gabohen. Aludimi është i qartë: nuk bëhet fjalë për luftë lokale e bilaterale, por për përplasje Perëndim-Lindje, Amerikë dhe Rusi.

Në funksion të sqarimit se si politikat e pamenduara mirë mund të ndikojnë në rrjedhat globale, do të mundohemi që shkakun e konfliktit të fundit ta shtjellojmë përmes një piste të patrajtuar deri tani. Do ta shtrojmë pyetjen: si e “inkurajoi” Gjermania Putinin që ta sulmojë Ukrainën dhe sa është kjo një “luftë” në heshtje ndërmjet Amerikës dhe Europës, më drejt Gjermanisë, në përpjekje për ta kthyer këtë të fundit nën orbitën e vetë të ndikimit, pse jo edhe të kontrollit?

Kur flasim për “inkurajimin” dhe “luftën në heshtje”, kemi parasysh se kriza financiare e vitit 2008, që në Europë u ndje diku pas vitit 2009, e dobësoi vijën euro-atlantike në llogari të vijës euro-aziatike. Të kujtojmë se shtetet që më së keqi e ndjenë këtë krizë financiare ishin ato që dilnin në Atlantik ose që përmes Mesdheut kishin lidhje më të hapur me kontinentin e ri. Kjo ndikoi në mënyrë indirekte në tërheqjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, gjë që e la Amerikën pa ndikim të drejtpërsëdrejti në këtë bashkësi shtetesh. Ish presidenti amerikan, Donald Tramp, me politikën e tij izocionaliste dhe deklaratat se ai nuk do t’i mbronte pa kushtëzime shtetet europiane, ndikoi dukshëm në inkurajimin e forcave centrifugale në këtë vend dhe në vendet e tjera europiane. Kërkesa e tij për ndarje së paku 2% të bruto prodhimit vendor për mbrojtje, ta kujton thënien “sa para, aq muzikë”, “sa do të paguani, aq do të mbroheni”.

Atëherë dhe sot Gjermania paraqet për Europën elefant ekonomik, kurse për politikën globale një xhuxh ushtarak. E gjendur në këto rrethana, Gjermania do të ketë pasur shumë dilema. E pozicionuar në qendër të Europës edhe e mbrojtur nga deti me aleat, si rrezik të vetëm do ta kishte parë Rusinë, përskaj faktit se me aleatë të NATO-s, por me një aleancë ambivalente të painteresuar për sigurinë europiane. Pa ushtri dhe mbrojtje të saj, në rast se do të kishte një tërheqje të amerikanëve, siç deklaronte kohë pas kohe Tramp, ajo do të gjendej para një rreziku potencial. Figurativisht, Gjermania, me të edhe Europa, do të duhej të jetonte me një ari që i kërcëllon dhëmbët diku pas bregut, ndërsa ti je armatosur vetëm me thikë. Aluzioni me ariun ka të bëjë me përshkrimin që ia bënte Kegani Europës kur ajo kundërshtonte intervenimin e Amerikës në Irak. Atëherë ai kishte deklaruar: “Ne amerikanët kemi armë dhe nuk duam të jetojmë me frikë e ariut, andaj ne do ta luftojmë para se ai të na sulmojë”.

Në këso rrethana, ky vend do të kishte dy zgjidhje të këqija: të mësohet të jetojë me këtë frikë, duke e joshur tërbimin e tij me gjësende që ia ka kënda “ariut” apo të hidhet në përqafim të Trampit, duke i ndarë industrisë ushtarake amerikane 2% të BPV-së, që janë qindra miliardë dollarë, pasi ajo vetë nuk ka të zhvilluar një industri të tillë. Merkeli e zgjodhi rrugën më pragmatike – joshje dhe vigjilencë. Joshja ishte ndaj Rusisë, pasi ajo si përgjegjëse për stabilitetin e Europës gjatë krizës financiare u përcaktua të blej gaz nga ky vend, kurse vigjilenca e detyronte që gradualisht ta rrisë buxhetin ushtarak me pretendime që ta ngrejë industrinë e vet ushtarake dhe një ditë të formohen forca të armatosura europiane. Me çmimin e ulët të gazit rus, ajo për vete dhe Europën garantoi mirëqenie dhe stabilitet politik, por siç do të deklarojë Borelli, duke referuar analizës të profesorit Olivie Shmit, “ne i ndamë burimet e prosperitetit tonë nga burimet e sigurisë sonë”. Çmimi i mirëqenies gjermane ishte varësia nga gazi rus – një nevojë ekzistenciale, që sot përdoret si armë nga Putinit kundër Perëndimit.

Nëse këto ishin pasojat nga ky kurs i gabuar gjeopolitik, zgjidhja alternative nuk ishte me më pak rreziqe. Një armatim i shpejtë eventual i Gjermanisë do ta shtronte pyetjen nëse kemi Gjermani europiane apo Europë gjermane? Kjo nuk është hipotezë boshe, por dilemë reale, pasi edhe ashtu gjatë krizës u krijua bindja se Gjermania e dominon Europën ekonomikisht dhe e kontrollon financiarisht. Një perceptim i tillë me siguri, në rrethanat e krizës së rëndë financiare, por edhe asaj të pandemisë, do të ngjallte traumat e vjetra për hegjemoni gjermane mbi popujt e kontinentit. Si pasojë, izolacionistët dhe konstitucionalistët do ta sfidonin seriozisht Unionin Europian, veçanërisht pas iniciativë së Britanisë së Madhe për dalje nga kjo bashkësi. Tanimë është e njohur se gjatë pandemisë COVID-19 jo pak shtete të Europës, veçanërisht të Ballkanit Perëndimor, e ndjenë mungesën e Gjermanisë dhe praninë e Kinës e të Rusisë. Në një moment, në Itali flamuri europian u lëshua në tokë për t’u ngritur ai kinez.

Viti 2014 ishte gabim fatal i SHBA-së dhe Perëndimit, kur pothuajse pa asnjë ndëshkim i mundësuan Putinit ta aneksoj Krimenë. Hamendësimi i Obamës për të marrë hapa konkretë dhe për ta rritur çmimin e luftës që e hapi në Siri, ishte vetëm vazhdimësi e kësaj strategjie. Lënia e Turqisë, një anëtare e NATO-s, pa përkrahje kur kjo e fundit e rrëzoi aeroplanin ushtarak rus gjatë shkeljes së integritetit territorial të këtij vendi sot është fatura që e paguan Perëndimi. Hezitimi i prodhoi dy efekte anësore: një e pezmatoi Turqinë me aleatët e saj dhe e detyroi atë të afrohet me Rusinë dhe, dy, Gjermania mori leksion shumë të keq: “nëse kjo sot i ndodh Turqisë, pse nuk mund të më ndodhë nesër mua?” “Andaj më mirë të jem “mik” me ariun e lënduar sesa armik.” Situata e krijuar sipas ligjit të kaosit, por edhe me politikat e Trampit, i zhvendosën tërësisht gurët gjeopolitikë. Realiteti i krijuar e aktualizoi thënien e njohur të sekretarit të parë të NATO-s, për arsyet e themelimit të kësaj organizate, “America in, Russia out, Germany down” (Amerika brenda, Rusia jashtë, Gjermania poshtë) tashmë në një kontekst të ri. Tanimë Gjermania ishte ekonomikisht “up” (lart), por edhe Rusia “in” (brenda) përmes gazit në Europë, kurse Amerika “out”. Turqia u bë më e afërt me Rusinë sesa Amerikën ose të dyja frontet e NATO-s, ai Europës Qendrore dhe krahu i Jugut, u dobësuan.

Çka duhet bërë? Mençuri është që handikapin të shndërrosh në përparësi. Intervenimi i Rusisë në Ukrainë, veçanërisht rezistenca e ukrainasve dhe qëndrimi stoik i presidentit Zelenski, pas një habie dhe paniku të shfaqur në Europë dhe Amerikë, u pa si shans nga administrata Bajden.

Një fitore, qoftë edhe simbolike e Ukrainës kundër Rusisë, pas një përkrahjeje të hapur nga Amerika, do të ishte mundësi e jashtëzakonshme për ta larë fytyrën nga turpi i tërheqjes nga Afganistani. Në të njëjtën kohë, situata mund të shihet si mundësi për ta konsoliduar aleancën ushtarake, duke i tërhequr nën orbitën e vet Gjermaninë dhe Turqinë. Së fundmi, izolimi i Rusisë, para reformave të mundshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, do të mund të shfrytëzohej si përparësi komparative për Amerikën. Si efekt anësor, në plan afatmesëm, reformat e mundshme në OKB do të mundohet të mbarojnë me një rend të ri botëror, që do ta ruajë dominimin perëndimor. Në të kundërtën, mundësia që të imponohet një botë multipolare me topitje të tehut të ndikimit perëndimor bëhet reale. Nuk duhet lënë pa cekur as opsionin e tretë, të një botë bipolare Lindje Perëndim, Kinë versus Perëndim. Votimi i rezolutës kundër agresionit rus me 143 vendeve pro dhe vetëm 5 kundër në Asamblenë e OKB-së shihet si një izolim i Rusisë dhe triumf i Amerikës dhe Perëndimit. Për këtë rezultat Lavrovo do të deklarojë: “vetëm shantazhi dhe kërcënimet e hapura i mundësuan Perëndimit të marrë rezultatin e dëshiruar”.

Nëse realizohet alternativa e parë, që Turqia dhe Gjermani të mbeten fuqishëm nën ombrellën amerikane, kjo nënkupton që Perëndimi duhet të përcaktohet të ngrihet në civilizim dhe jo të mbetet vetëm kulturë. Gjegjësisht, nëse Bashkimi Europian do të mbetet në kufijtë e kontinentit, ai do të mbetet në nivelin e kulturës. Ndërkaq, nëse e kalon Mesdheun, do të ngrihet në civilizim. Në rastin e parë do të jetë bashkësi judeo-kristinae, ndërsa në të dytin do të ngrihet në judeo-kristiane-islame. Në variantin e parë do të kemi më tepër multipolarizëm, ndërsa  në variantin e dytë më shumë bipolarizëm ose monoteizëm versus konfuçianizëm.

Takimi i fundit në Pragë, nën moton “Komuniteti Politik Europian”, i mbajtur më 6 tetor 2022, me iniciativë të Francës, ku mori pjesë edhe Turqia, dhe u promovua si unitet europian, nuk jep sinjale për një civilizim perëndimorë. Lëvizjet etnonacionaliste, izolacioniste e islamofobe janë ende shumë të fuqishme në Europë. Rrjedhimisht, gjasat janë që të kemi shumë më tepër multipolarizëm sesa bipolarizëm dhe më së paku hegjemoni perëndimore ose unipolarizëm.