Futbollisti Pogba: O Zoti im, mbroje popullin e Gazës

Futbollisti Pogba: O Zoti im, mbroje popullin e Gazës

Futbollisti i kombëtares së Francës, Paul Pogba ka dërguar mesazh ngushëllimi për familjet e të vrarëve në sulmet e fundit të Izraelit në Gaza, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pogba, i cili së fundmi u transferua në skuadrën italiane, Juventus, dënoi sulmet ndaj Gazës në profilin e tij në rrjetet sociale.

Duke shpërndarë një fotografi të disa prej fëmijëve të vrarë në sulme, Pogba shkroi: “O Zoti im, mbroje popullin e Gazës”.

Ministria palestineze e Shëndetësisë më herët tha se të paktën 43 palestinezë, përfshirë 15 fëmijë dhe 4 gra u vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës ndërsa 311 persona u plagosën.

Izraeli të premten nisi një ofensivë ushtarake në Rripin e Gazës duke pretenduar “kërcënim të drejtpërdrejt për sulm” nga grupi i Xhihadit Islamik.

Tensionet në rajon u rritën pasi ushtria izraelite sulmoi qytetin e pushtuar Jenin të Bregut Perëndimor më 1 gusht. Më pas ushtarët izraelitë plagosën dhe më pas arrestuan Bessam Saadi, udhëheqësin e Xhihadit Islamik në Jenin.