` . Fundi i dekadencës politike dhe prapakthimi i diplomacisë - TV SHENJA

Fundi i dekadencës politike dhe prapakthimi i diplomacisë

Në raportin e CIA-s janë cituar këto fjalë të Enver Hoxhës: “Qeveria e
Shqipërisë do të forcojë më tej miqësinë me Jugosllavinë me lidhje të forta
ekonomike, politike e kulturore”. Këtë po thotë edhe kryeministri i tanishëm i
Shqipërisë për të përligjur “minishengenin ballkanik” dhe për të qortuar të
gjithë ata që e kundërshtojnë atë, si në Shqipëri edhe në Kosovë.

Shkruan: Abdi BALETA,
Tiranë

Janë dy dukuritë më shqetësuese për shqiptarët në këtë fillim të dekadës së
tretë të shekullit XXI. Nga fundi i viteve 1980-të e fillimi i viteve 1990-të vëzhguesit
politikë filluan të magjepseshin nga teza e politologut amerikan Frensis
Fukujama mbi “FUNDIN E HISTORISË” (fillimisht një artikull, pastaj libri “The
End of History and the Last Man”). Të befasuarit nga kjo tezë shtronin edhe pyetjet:
“Si, paskemi mbërritur papritmas në fundin e historisë? Po më tej çdo tëndodhë?!”
Vetë autori do të fillonte shpejt të përpunonte sqarime plotësuese se “fjala
nuk ishte për një fund apokaliptik, por për fundin e një ndeshjeje ideologjike
midis liberal-demokracisë perëndimore dhe asaj komuniste e sistemit të socializmit
real, ku e para fitoi mbi të dytën dhe hapi rrugën për vendosjen e një rendi të
ri botëror” (Vepra dyvëllimëshe “The Origins of Political Order”, 2012 dhe
“Political Order and the Political Decay”, 2014). Kjo nis me kapitullin
“Domosdoshmëria e Politikës”, çka nënkupton se edhe triumfi i liberal-demokracisë
në shkallë botërore nuk shënon mbarimin e proceseve politike.

Pak vite më vonë (pasi ishte zbehur fetishi i “fundit të historisë”) një
tjetër studiues amerikan i zhvillimeve ndërkombëtare, Xhon Mershaimer, ka bërë vlerësimin:
“Në Perëndim besohej gjerësisht se SHBA–të duhej ta përhapin liberal-demokracinë
në gjithë botën dhe të ndërtojnë institucionet ndërkombëtare. Kjo supozon se politika
e riformatimit të botës sipas imazhit të Amerikës do të mbrojë të drejtat e
njeriut, të sjellë paqen dhe ta bëjë botën të sigurt për demokraci. Por, nuk ka
ndodhur kështu. Përkundrazi, SHBA-të u bënë një shtet shumë i militarizuar që bën
luftëra dhe minon paqen, dëmton të drejtat e njeriut dhe kërcënon vlerat
liberale edhe brenda vendit” (John J. Mershaimer, “The Great Delusion. Liberal
Dreams and International Realities “, 2018). Ky studiues statusin ndërkombëtar
të SHBA-ve e cilëson si “liberal hegemony”, si “militarizëm liberal”. Ndërkaq studiuesi
Graham Allison, duke analizuar 19 raste luftërash midis shteteve të fuqishme, qysh
nga lufta e Peloponezit midis Athinës e Spartës, ka përpunuar idenë se një burim
i përhershëm i luftërave mbetet sfida që një fuqi në ngjitje i bën pozitës së
një fuqie hegjemone tashmë ekzistuese. Ai nxjerr përfundimin se fuqia e tanishme
mbizotëruese në marrëdhëniet ndërkombëtare, SHBA, nuk mund ta tolerojë në
pasivitet sfidën që mund t’ia bëjë dikush tjetër, më konkretisht Kina e sotme në
fuqizim të vrullshëm. Allison-i parashtron një mori variantesh të një lufte të
mundshme, por jo të pashmangshme midis SHBA-së e Kinës (“Destined for War. Can
America and China Escape Thucydedes’s Trap, 2017?”). Allison-i ka shkruar: “Unë
bashkohem me optimistët për sa i përket Amerikës, por edhe brengosem se
demokracia amerikane po shpërfaq simptoma fatale. Këto simptoma i vërejmë në rënien
e etikës publike, në korrupsionin e legalizuar e të institucionalizuar, në
elektoratin me përgatitje të dobët dhe me orientim të mangët… Sikurse paralajmëronte
në mënyrë profetike Linkolni, një shtëpi që është ndarë përbrenda nuk mund të
mbahet në këmbë” (Destined for War. Can America and China escape Thucidedes’s
Trap” 2017, f. 238).

Pra, nuk ndodhi ai “fund i lumtur” që paralajmërohej para tri dekadash. Vëzhguesit
e komentuesit shqiptarë, të pastërvitur për t’u marrë si duhet me debate të
tilla, treguan etje e gatishmëri vetëm për të gëlltitur pa përtypur formulimet
e huaja dhe trumbetuan parullat se tashmë bota e nacionalizmave dhe e sovraniteteve
shtetërore kishte marrë fund, se me triumfin e liberal-demokracisë perëndimore
do të zgjidheshin si me magji edhe problemet e vështira të shqiptarëve. Por, u
pa se Mershaimer-i përsëri përcjell mesazhin se liberal-demokracia nuk po e
arrinte fitoren e pakthyeshme në shkallë ndërkombëtare, kur argumenton se
liberal-demokracia ka pësuar dështime zhgënjyese, se historia ka bërë një rikthim
të shpejtë. Ai dhe Allison-i po arsyetojnë se edhe diplomacia e standardeve që
quheshin të konsumuara po bën prapaktheu. Nacionalizmi, realizmi, idealizmi, hegjemonizmi,
vasalizmi, politika e përdorimit të forcës ose ruajtja e ekuilibrit të forcave
e të stabilitetit, qoftë dhe nëpërmjet intervencionit, janë edhe tani dukuri e
faktorë të pranishëm në politikë e në diplomaci dhe rregullatorë të zhvillimeve
ndërkombëtare.

Shqiptarët vazhdojnë t’i ndjejnë dhimbshëm në kurriz efektet negative të këtyre
dukurive. “Shqipëria ka qenë gjithmonë një gur shahu në politikën e fuqive të
tjera dhe nuk ka pasur pavarësi apo sovranitet në politikën e jashtme.” Ky vlerësim
është bërë në vitin 1947 në një raport të Shërbimit Sekret Amerikan (gazeta
“Sot”, 14.2.2020). E tillë është edhe sot gjendja e Shqipërisë, e Republikës së
Kosovës dhe e kombit shqiptar. Gazeta “Sot” e ka botuar raportin e CIA-s nën një
titull mjaft domethënës “Amerikanët zbulojnë tentativat për bashkimin e Shqipërisë
me Jugosllavinë. Partia Komuniste e Enver Hoxhës në varësi direkte nga Tito”.
Tani në shtypin shqiptar ka shumë shkrime që e dënojnë varësinë e kryeministrit
të Shqipërisë, Rama, nga politika e presidentit të Serbisë, Vuçiq, sidomos lidhur
me krijimin e “minishengenit ballkanik”, një projekt karikatural i Serbisë së
Madhe, që homologu i tij, kryeministri i ri i Kosovës, Kurti, e hedh poshtë dhe
e quan “Jugosllavia e katërt”. Në raportin e CIA-s shkruhet: “Në rast të krijimit
të një Federate Ballkanike, Shqipëria do të përfshihet si pjesë e Jugosllavisë
ose si anëtare e veçantë bashkë me Jugosllavinë, Bullgarinë e ndoshta Maqedoninë”.
Nga ky projekt i atëhershëm kanë mbetur vetëm disa copa për t’u ngjitur. Justifikimet
shqiptare për një bashkim të tillë raporti i CIA-s më 1947 i nxirrte nga një
fjalim i Enver Hoxhës: “Miqtë e vërtetë të Shqipërisë janë Bashkimi Sovjetik, që
është mbrojtës i popujve të vegjël, dhe Jugosllavia, e cila respekton pavarësinë
dhe sovranitetin e popullit shqiptar.” Në teorizimet e tij për “minishengenin ballkanik”
kryeministri i Shqipërisë, Rama, duket se po përqafon fort një parullë të hershme
enveriane se “pa ‘Jugosllavinë motër’ nuk mund të ketë Shqipëri të pavarur e të
zhvilluar”. Rama i tha Albin Kurtit në Tiranë se “integrimi i madh shqiptar nuk
mund të bëhet pa integrimin në minishengenin ballkanik”. Më vonë, Rama ka
theksuar se do apo nuk do Albini, “minishengeni ballkanik” do të bëhet dhe
qenka i mirë si parapërgatitje për një integrim të mëvonshëm (nuk dihet se kur)
në BE. Pra, formulat e kohës së Enverit se “rruga e Shqipërisë për në Moskën
socialiste kalon nga Beogradi”, edhe pse tani flitet për një tjetër kahje rrugëtimi,
“në fjalorin politik të Ramës është bërë autostradë e shqiptarëve drejt Brukselit
e Bashkimit Europian”. Greqia me siguri do të bëhet xheloze për këtë, sepse përgjatë
tri dekadash rresht ka ngulur këmbë që rruga e Shqipërisë për në Europë të kalojë
vetëm nga Athina, me çka kanë qenë pajtuar me radhë të gjithë pushtetarët
shqiptarë. Në konferencën e shtypit që mbajtën gjatë takimit në Tiranë për “minishengenin
ballkanik”, presidenti i Serbisë me ton urdhërues iu drejtua kryeministrit të
Shqipërisë që të bëhej trim e të mposhtë kundërshtimet shqiptare rreth këtij projekti,
ndryshe mundtë ketë edhe luftë midis serbëve e shqiptarëve. Kryeministri i Shqipërisë
vazhdon t’i përmbahet kësaj direktive. Çfarë prapakthimi i guximshëm i diplomacisë së sotme të Shqipërisë tek
diplomacia e Enver Hoxhës në vitet 1945-‘48(!).

Në raportin e CIA-s janë cituar këto fjalë të Enver
Hoxhës: “Qeveria e Shqipërisë do të forcojë më tej miqësinë me Jugosllavinë me
lidhje të forta ekonomike, politike e kulturore”. Këtë po thotë edhe kryeministri
i tanishëm i Shqipërisë për të përligjur “minishengenin ballkanik” dhe për të
qortuar të gjithë ata që e kundërshtojnë atë, si në Shqipëri, ashtu edhe në
Kosovë. Madje, Rama shpreh zemërim të pakontrolluar se po i bien kot në qafë
kur thërret: “Më quajnë tradhtar, po ku është tradhtia këtu?” Ai nuk mban parasysh
se njihet një lloj i veçantë i tradhtisë që quhet “tradhtia intelektuale”. Ai
duket nuk është njohur me shprehjen e Çezare Zavatinit se “tradhti është edhe
largimi nga realiteti”. Rama po largohet gjithnjë më shumë nga realiteti
politike diplomatik shqiptar, i marrëdhënieve Shqipëri-Serbi dhe, sidomos, i
marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Politika e diplomacia shqiptare gjatë tri dekadave
të fundit ka këmbëngulur në
tezën mashtruese se “zgjidhja e çështjes shqiptare bëhet vetëm me integrimin
europian të Shqipërisë”. Ndërkaq Rama haptazi po e tradhton edhe këtë formulë mashtruese,
duke e zëvendësuar me një edhe më të keqe, se çështja zgjidhet me integrimin në
një minishengen me Serbinë e Maqedoninë. Rama kujton se ka thënë një fjalë të madhe
për të paralizuar reagimet e qortuesve të tij: “Duhet të ecim përpara, nuk mund
të ecim kështu duke mbajtur sytë mbrapa”. Shumë vite më parë kam lexuar një
shprehje të saktë që e hedh poshtë këtë tezë të Ramës: “Ai që mbyll sytë për të
shkuarën nuk mund të shohë asgjë nga e tashmja” (Revista sovjetike “Kohët e
Reja”, nr.41/1990, f.40). Mirëpo, Rama nga një anë thotë të mbyllim sytë për të
kaluarën, nga ana tjetër i kthen mbrapa proceset politiko-diplomatike me Serbinë
tek vitet e të para të komunizmit (1945-‘48). Në raportin e CIA-s lexojmë
“Tashmë Shqipëria dhe Jugosllavia kanë nënshkruar paktin gjithëpërfshirës ekonomik,
një protokoll për rihapjen e trafikut kufitar, një traktat miqësie dhe asistence
reciproke, marrëdhënien e aviacionit civil dhe, siç raportohet, një marrëveshje
sekrete ushtarake… marrëveshjet me Jugosllavinë, veçanërisht ajo ekonomike
ishin një përfshirje de facto e Shqipërisë
në Federatën Jugosllave”. Kësi situate krijojnë tani marrëdhëniet ekonomike
tregtare në kuadër të “minishengenit ballkanik”, ku Serbia do të ketë pozitën komanduese
ekonomike dhe epërsinë ushtarake dhe, për më tepër, nuk ka ndër mend të anëtarësohet në NATO.

Pse ky prapakthim diplomatik shqiptar?! Sepse duket
që Rama është pajtuar me një skemë ndërkombëtare që t’i imponohet Kosovës statusi
i kolonisë së përhershme ekonomike të Serbisë, siç u përcaktua qysh në tekstet për
Marrëveshjen e Rambujesë në vitin 1999. Koloni ekonomike e Serbisë po bëhet
edhe Shqipëria. Edhe politika amerikane duket se ende nuk po e kristalizon qartë
vijën e saj lidhur me marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Duhet parë me shqetësim qëndrimi i ambasadorit
amerikan në Berlin, Grenell, që fshikullon diplomacinë kosovare me deklaratat
se taksa për mallrat nga Serbia duhet të hiqet menjëherë, pa kurrfarë kushti,
madje pa zënë më në gojë fjalën reciprocitet. Kjo fjalë përdoret për të përcaktuar
natyrën më të pranueshme të qetë të marrëdhënieve midis shteteve, por për të
nuk ekziston ndonjë përkufizim standard. Ende nuk dimë se çfarë do të kuptohet
me reciprocitet në fjalorin e Albin Kurtit përderisa Kosova është shtet që nuk
njihet nga Serbia, figuron si pjesë e Serbisë në kushtetutën serbe dhe nga Serbia
dëgjohen vetëm përbetime se kurrë nuk do të njohë Kosovën si shtet i pavarur e sovran.
Pra, nuk ekzistojnë kurrfarë premisash bazë e shpresash serioze që në bisedimet
diplomatike Kosovë-Serbi të ketë reciprocitet. Ndërkaq reciprociteti në marrëdhëniet
ekonomike tregtare e financiare varet nga fuqia ekonomike e secilës palë. Taksa
e vendosur nga qeveria Haradinaj ka pasur më shumë vlerë politike se ekonomike,
si shprehja më e spikatur deri tani e sovranitetit të Kosovës.

Në takimet e Munihut për sigurinë, kryeministri i
Kosovës bëri një deklaratë me shumë kuptim e rëndësi, kur falënderoi bashkësinë
ndërkombëtare se e ndihmoi Kosovën të shpëtonte nga Serbia dhe lëshoi thirrjen
që tani bashkësia ndërkombëtare ta ndihmojë Serbinë të shpëtojë nga Kosova, pra
të largohet nga qëndrimet e saj absurde. Presidenti i Serbisë u kundërpërgjigj
se Kosova është e do të mbetet pjesë e Serbisë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit
të Sigurimit. Kështu, diplomacia ndërkombëtare e mori qartë mesazhin se në Munih
praktikisht filluan e mbaruan aty për aty bisedimet që u kërkohen me ngulm t’i
rifillojnë Kosovës e Serbisë.

Askush deri tani nuk ka qenë në gjendje nga
diplomacia ndërkombëtare të thotë qartë se përse duhet të rinisin me ngut bisedimet
Kosovë-Serbi dhe çfarë marrëveshje konkrete përfundimtare pritet të arrihet.
Serbia është e interesuar vetëm ta vazhdojë avazin e vjetër “bisedime po, marrëveshje
jo”. Albin Kurti ende nuk e ka zbërthyer plotësisht idenë për heqjen e taksës
me plotësimin e reciprocitetit. Por, partneri i tij në qeverisje, LDK, e bëri të
qartë qëndrimin nëpërmjet formulës së Isa Mustafës: “Nuk e humbasim Amerikën për
hir të taksës ndaj Serbisë”, çka shpreh mirënjohjen pa kufi ndaj mikut më të
madh të shqiptarëve, SHBA. Por, është Mershaimer-i që na ka kujtuar: “Edhe
aleatët e ngushtë me kalimin e kohës dalin anash, shtetet nuk kanë miq të përhershëm…
Lordi Palmerston i tha parlamentit britanik më 1848 ‘ne nuk kemi aleatë të përjetshëm,
ne nuk kemi armiq të përjetshëm. Interesat tona janë të përhershme e të përjetshme
dhe detyra jonë është të ecim sipas këtyre interesave’” (f. 134). Detyra e
diplomacive shqiptare mbetet që aleatëve e miqve të mëdhenj t’ua parashtrojë me
forcë lutjen që edhe interesat shqiptare të mos dëmtohen në pafundësi e në
skajshmëri. Gjasat janë që taksa të hiqet, siç ka përcaktuar ambasadori Grenell,
i cili nuk e përmend më premtimin që duhet ta bëjë Serbia se nuk do ta vazhdojë
fushatën që të tërhiqen njohjet e pavarësisë së Kosovës.

Si për ironi, këto ditë plasi sherri fatkeq i përgënjeshtrimit
nga Xhamajka të lajmit se ky shtet e kishte njohur pavarësinë e Kosovës. Ironia
u bë më therëse, sepse presidenti i Kosovës e kishte përshëndetur “njohjen xhamaikane”
me një entuziazëm si të ishte njohja kineze ose ruse. Politika dhe diplomacia e
Kosovës duket se po vuajnë shumë nga “sindromi i ngecjes së njohjeve ndërkombëtare”
të pavarësisë dhe nga kompleksi i frikës se Serbia po i bind, njërin pas
tjetrit, shtetet që t’i tërheqin njohjet e bëra. Politika e propaganda në Kosovë
nuk kanë përse të bien në psikozë shkrehëse. Rregullat për njohjen ndërkombëtare
janë përpunuar me kohë. Tërheqja e njohjes është non sens: “Njohja është, normalisht, një veprim i njëanshëm sipas të
drejtës ndërkombëtare, por deklarata për njohjen mund të bëhet dhe me një
traktat… efektiviteti i ndarjes së një shteti (nga një tjetër) është kriteri më
i rëndësishëm… Njohja nuk e krijon një shtet. Ajo konfirmon nëse një entitet ka arritur shkallën
e shtetshmërisë. Ekzistenca politike e shtetit është e pavarur nga njohja prej
shteteve të tjera. Edhe para se të njihet, shteti ka të drejtë ta mbrojë
integritetin e vet dhe pavarësinë…”. Njohja e një shteti është, pra, veprim i
njëanshëm dhe i parevokueshëm. Në “Encyclopedia of International Law”, të përgatitur
nga Max Planck Institute në Gjermani, nga ku kam nxjerrë fjalitë e mësipërme, fjala
revokim përmendet vetëm njëherë në një kontekst krejt anësor: “Pikëpamja se
njohja de facto mund të tërhiqet
(revokohet) pa ndryshuar rrethanat nuk duket se është e konfirmuar nga praktika
e shteteve”. Pra,tërheqja e njohjes ndërkombëtare nuk qenka praktikuar as në rastet
e njohjes de facto. Fjalën e thënë
mund ta hash, por jo ta asgjësosh më. Është për t’u habitur si ambadadori
Grenell ose presidenti i Francës premtojnë ta bindin Serbinë ta ndalë fushatën
për të detyruar shtete të tjera ta tërheqin njohjen e Kosovës. Diplomacia e Kosovës
nuk ka pse të ngopet me lugë bosh. Njohja e Kosovës nga Serbia do të bëhet një gangrenë
më e thellë e më afatgjatë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi se gangrena e mbajtjes
së Ligjit të Luftës midis Greqisë e Shqipërisë, edhe sikur të sajohet një
formulë hileqare, me të cilën të spekulojnë të dy palët se e arritën objektivin
që kishte secila.

Edhe fjalët e ambasadorit amerikan Grenell “Dua
pajtim por me ekonomi, jo me politikë” duhet t’i presim me shumë shqetësim. Këto
fjalë janë vërtet në përputhje me doktrinën e liberal-demokracisë, se ndërvarësitë
ekonomike shërbejnë shumë për të mënjanuar armiqësitë politike midis shteteve. Mershaimer-i
i ka renditur bukur meritat e dobitë e kësaj doktrine liberal-demokrate si
rregullator politik. Por, ai rendit edhe raste kur kjo ndërvarësi ekonomike
politikisht nuk mund të funksionojë. Në rastin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe
asnjë “ndërvarësi ekonomike” nuk e luan dot rolin e shuarjes së armiqësive
politike. Këtë fakt, si duket, e ka parasysh edhe diplomati tjetër amerikan
Palmer kur thotë se ai synon që kapërcimin e gjendjes së nderë në marrëdhëniet
Kosovë-Serbi ta kapërcejë në rrugë politike. Rrjedhimisht, minishengeni nuk
mund të vlerësohet si zgjidhje praktike me shumë vlerë. Kur bëhet fjalë për pajtimet
e miqësitë shqiptaro-serbe, lëvdatat për minishengenin janë më shumë blof se
politikë. Pavarësisht nga dy rrugë të ndryshme që pëlqejnë Grenelli dhe Palmeri,
politika e SHBA-ve tani duket se do të ushtrojë trysni më të madhe mbi Kosovën.

Në raportine CIA-s të vitit 1947 është edhe kjo fjali:
“Dalja e Shqipërisë si një zar i Jugosllavisë dhe i BRSS-së solli ndryshime të thella në
politikën e saj të jashtme”. Mirëpo, fatkeqësisht tani duhet të vëmë re se edhe
angazhimi i Shqipërisë tërësisht në krahun e politikës perëndimore nuk po e
mbron atë plotësisht nga rreziku i një sakrifikimi të ri për hir të
stabilitetit konjuktural në Ballkan dhe për të ndjellur Serbinë të ikë nga
vatha ruse e të afrohet në stanin perëndimor. Edhe kjo është prapakthim diplomatik.

Për ta përshkruar mjerimin politik që po kalon
Shqipëria më duket se hyn mjaft në punë mendimi i Fukujamës që: “Dekadenca
politike ndodhë atëherë kur sistemi politik dështon në përshtatjen e tij ndaj
rrethanave që ndryshojnë” (2012). Në Shqipëri sistemi pas-komunist, që u pagëzua
“demokratik”, nisi me dështime në përshtatjen me rrethanat që po ndryshonin
vrullshëm. Përshtatja ishte shumë e ngadaltë dhe jo radikale gjatë 5 viteve të shpresës
tek qeverisja e PD-së (1991-‘96). Ndodhi kthimi mbrapa në vitet e qeverisjes
nga revanshizmi social-komunist 1997-2005. Zhvillimet hynë në rrugë edhe më të
keqe kur filloi qeverisja e bandokracisë me alternim pushtetor (PD-PS) në vitin
2005 që vazhdon ende.

Fukujama ka arritur edhe këtë përfundim: “Varfëria
e vazhdueshme shpesh ushqen lloje të tjera të mosfunksionimit shoqëror, si
bandat, narkotrafiku dhe ndjesia e përgjithshme e pasigurisë te njerëzit e
zakonshëm”. Të gjitha këto shfaqje të shëmtuara të dekadencës politike sot i vëmë
re në Shqipëri. Objektivisht, politika që është bërë deri tani në Shqipëri për
30 vjet e ka prekur nivelin e fundmë të kësaj dekadence të turpshme. Këtë po e kuptojnë
dhe thonë njerëzit hapur. Por, e keqja e madhe është se nuk duken në horizont
forca shoqërore ose politike që të ngjallin shpresë reale për t’i dhënë fund kësaj
dekadence të politikës dhe për ta filluar ringritjen politike të shoqërisë e të
shtetit.

Këtë po e shohim sidomos në zhvillimet gjatë muajit
të fundit (shkurt 2020) në Shqipëri, që praktikisht po e kthejnë vendin tek
gjendja e trazuar e shkurtit të vitit 1991 dhe tek rreziku i rrënimit të plotë
politik e institucional të shtetit e të pushtetit, si në pranverën e vitit
1997. Në Shqipëri po bëhet një luftë egër dhe e çmendur për pushtet: nuk
mendohet as për demokraci, as për shtet të së drejtës, as për problemet madhore
kombëtare. Shqiptarët po ushqehen nga forcat politike dhe propaganda me
gjithfarë historish të shëmtuara nga e kaluara komuniste dhe rrumpalla paskomuniste.
Në Shqipëri prej një muaji kryetari i shtetit flet e kërcënon vetëm për mobilizim
popullor rreth tij për ta shpartalluar një “tentativë për grusht shteti”, që
thotë se e ka organizuar dhe po e kryen vetë qeveria. Qeveria, nga ana tjetër,
vazhdon ta intensifikojë propagandën e saj të kundërt dhe proceset ligjore për
shkarkimin e kryetarit të shtetit, që i ka nisur prej kohësh. Opozita e PD-së, që e nxori veten nga sistemi
politik parlamentar në pranverën e vitit 2019 dhe që provoi për disa muaj me radhë
të bënte përmbysjen revolucionare me dhunë të qeverisë, tani ka mbetur si e
hutuar e nuk di më nga t’ia mbajë, të dalë vendosmërisht në krah të presidentit
në “revolucionin presidencial” dhe “betejën popullore” përmbysëse më 2 mars
2002 apo të vazhdojë të kërkojë kompromise të reja me qeverinë, si në maj të
vitit 2017.

Për t’i kuptuar më mirë këto që po ndodhin duhet të
rikthehemi tek historia e disa zhvillimeve të shkurtit 1991, sidomos pas rrëzimit
të shtatores së Enver Hoxhës më 20 shkurt në Tiranë, që shënoi ndarjen e madhe të
shoqërisë shqiptare nga e kaluara diktatoriale komuniste. Dy ditë pas kësaj
ngjarjeje, më 22 shkurt, u vu në lëvizje një plan për grusht shteti kundër
demokracisë në Tiranë. Kam qenë njëri nga tre përfaqësuesit e forcave politike
opozitare në shtabin operativ të atij grushti shteti, ku janë bërë debate të
ashpra për 5 orë me ushtarakët e një “Komiteti të Shpëtimi Publik”, që kërkonin
ta detyronin opozitën e sapongritur shqiptare të nënshkruante një dokument që
ushtrisë t’i ngarkohej misioni për të rivendosur “rendin e prishur” pas rrëzimit
të shtatores së Enverit dhe për ta rivendosur një shtatore tjetër të Enverit (në
uniformë
ushtarake) po në atë vend ku ishte ajo që u rrëzua. Ai grusht shteti (ku edhe sipas
librit të fundit të Nexhmije Hoxhës figurë qendrore ishte bërë ministri i Mbrojtjes
i asaj kohe, grekofoni Kiço Mustaqi) në gusht të vitit 1991 do të ngjante si
provë e përgjithshme për grushtin e shtetit, që u bë në Moskë për rrëzimin e
Gorbaçovit dhe rikthimin e sundimit të egër sovjetik. Ashtu si Gorbaçovi në Rusi,
edhe Ramiz Alia në Shqipëri në shkurt të vitit 1991 bënte lojë të dyfishtë midis
krahut demokrat dhe krahut konservator të politikës shqiptare. Grushti i shtetit
i vitit 1991 në Tiranë nuk shkoi dot deri në fund, sepse mobilizimi masiv
popullor ia preu rrugën. Por, ai grusht shteti ndikoi që Partia e Punës (komuniste),
që ishte në pushtet t’i fitonte zgjedhjet e 31 marsit 1991. Në Rusi ndodhi më
ndryshe. Forcat progresiste, të prira nga Boris Jelcini, e mposhtën grushtin e
shtetit dhe i forcuan pozitat. Dy vjet më vonë, në tetor 1993, në Rusi ndodhi
një tjetër grusht shteti, në krye të të cilit ishte zëvendëspresidenti,
kryetari parlamentit dhe një pjesë e madhe e deputetëve. Presidenti i Rusisë,
Jelcin, që ishte i zgjedhur direkt nga populli, jo nga parlamenti, zgjodhi rrugën
e përballjes përfundimtare. Ai shpalli dekretin për shpërndarjen e parlamentit.
Kjo u pasua nga ballafaqimi me armë midis palëve. Por, Jelcini pati në krah
strukturat e përdorimit të ligjshëm të dhunës shtetërore (përveç Gjykatës Kushtetuese)
dhe me mbështetje popullore arriti të mposhtte puçistët.

Tani në vitin 2020, presidenti i Shqipërisë, që përballet
me procedurat e ligjshme të shkarkimit, ka hedhur dorashkën për ndeshjen përfundimtare
dhe kërcënon se më 2 mars do ta shpallë dekretin për shpërndarjen parlamentit dhe
me ndihmën e një “Besëlidhje shqiptare”, të krijuar sipas thirrjes së tij dhe nën
drejtimin e bashkëshortes së tij, “shqiponjat presidenciale” do t’i shpërndajnë
“sorrat qeveritare” e do t’i japin fund “murtajës qeverisëse” në Shqipëri.

Nëse presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, po frymëzohet
nga modeli Jelcin i vitit 1993 për zgjidhjen e krizës politike dhe pushtetore në
Shqipëri, mendoj se gabon politikisht dhe praktikisht. Ky model rus i vitit
1993 nuk mund t’i shërbejë Shqipërisë në vitin 2020. Presidenti Meta nuk e bën
dot ligjërisht shpërndarjen me dekret presidencial të parlamentit shqiptar, sepse
4 rastet kur duhet të shpallet një dekret i tillë janë të përcaktuar në mënyrë
taksative në Kushtetutën e Shqipërisë dhe nuk janë lënë në gjykim të kryetarit
të shtetit.

Nëse Ilir Meta është frymëzuar vërtet nga “modeli
Jelcin”, si zgjidhje e krizës politike, mendoj se nuk e ka lexuar me vëmendje
librin e Jelcinit. Ilir Meta nuk e gëzon në Shqipëri atë reputacion që në Rusi e
gëzonte Boris Jelcini në atë kohë. Meta nuk e ka atë mbështetje që e pati
Jelcini nga strukturat e përdorimit të dhunës shtetërore. Mbi të gjitha, Meta
nuk e gëzon atë simpati e mbështetje nga vendet e rëndësishme demokratike, siç
i kishte atëherë Jelcini. Po të lexohet si duhet libri i Jelcinit, vlen shumë për
ta kuptuar të keqen që vjen nga frymëzimi i politikanëve e pushtetarëve
shqiptarë prej modeleve ruse në përgjithësi. Për mua kureshtja është më nxitëse
se pritshmëritë se çfarë do të ndodhë më 2 mars. Atë ditë do të shohim se sa
ndryshon blofi politik nga budallallëku pushtetor, por nuk do të kemi zgjidhje
krize. Veçse deri atë ditë shqiptarët do të torturohen egërsisht nga rrugaçëria
politike dhe propagandistike.