Frikë para nisjes për Katar, te Franca dy sulmues nuk mbyllin stërvitjen

Frikë para nisjes për Katar, te Franca dy sulmues nuk mbyllin stërvitjen

Franca ka programuar nisjen për në Katar ditën e mërkurë, mirëpo në seancën e fundit stërvitore, trajneri Didier Deschamps mori disa sinjale negative nga dy sulmuesit e tij. Fjala është për Christopher Nkunku dhe Karim Benzema.

Lojtari i Leipzig u detyrua të linte stërvitjen përgjysmë ndërsa u pa duke çaluar për shkak të një problemi në këmbën e majtë. Pritet që në orët e ardhshme, sulmuesi t’i nënshtrohet testeve të cilat mund të përcaktojnë edhe shkallën e dëmtimit si dhe nëse bëhet fjalë për diçka serioze që mund të vinte në dyshim pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës.

Nga ana tjetër, një “shije të hidhur” lë edhe gjendja fizike e Benzema. Fituesi i Topit të Artë, gjithashtu u largua para kohe nga stërvitje i shoqëruar nga fizioterapisti i kombëtares. Sulmuesi i Real Madrid prej disa kohësh vuan shqetësimet fizike, megjithatë në këtë rast, sipas menaxherit të lojtarit bëhet fjalë thjesht për një kujdes dhe program të veçantë që ndjek Benzema.

Prezenca e tij në ndeshjen hapëse të Botërorit pritet të mos vendoset në diskutim me “Gjelat” që rrugëtimin e tyre drejt mbrojtjes së trofeut e nisin më datë 22 nëntor ndaj Australisë teksa janë shortuar në Grupin D së bashku me Danimarkën dhe Tunizinë.