Francë, aktivisti kryesor i “Jelekëve të verdhë” do të gjykohet muajin e ardhshëm

Francë, aktivisti kryesor i “Jelekëve të verdhë” do të gjykohet muajin e ardhshëm

Zyra e prokurorëve të Parisit ka bërë të ditur se një nga figurat kryesore të lëvizjes franceze “Jelekët e verdhë” do të gjykohet më 15 shkurt për “organizim të protestës së paautorizuar”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e prokurorëve të Parisit njoftoi se Eric Drouet, një shofer kamioni 33-vjeçar, u arrestua nga policia të mërkurën për organizimin e një demonstrate në Parisin qendror pa e deklaruar atë.

Pas lirimit të tij ditën e djeshme, Drouet u tha gazetarëve se arrestimi i tij ishte politikisht i motivuar. Ai tha se nuk mund të kuptonte pse zyrtarë të lartë ishin të pranishëm në marrjen në pyetje, duke shtuar se demonstrimet do të vazhdojnë.

Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, mbrojti arrestimin e Drouet-it, duke thënë se “ai veprim quhet respektimi i sundimit të ligjit”.

“Është normale që kur të shkelni ligjet e republikës të përballeni me pasojat”, tha Maire për radion France Inter.

Kheops Lara, avokati i Drouet-it, arrestimin e tij e quajti “krejtësisht të pajustifikuar dhe arbitrar”.

Kreu i partisë së majtë franceze “Insoumise”, Jean-Luc Melenchon, po ashtu kritikoi arrestimin e Drouet-it.

“Abuzimi i pushtetit. Një polic i politizuar që synon dhe ngacmon udhëheqësit e lëvizjes ‘Jelekët e verdhë’ “, shkroi Melenchon në llogarinë e tij në Twitter.

Rreth 50 aktivistë u tubuan të mërkurën vonë në sheshin Concorde në bulevardin Champs-Elysees për të përkujtuar 10 personat që kishin humbur jetën gjatë muajve të protestave në Francë, si dhe për të përkujtuar ata që mbetën të plagosur.

Menjëherë më pas, policia arrestoi Drouet-in së bashku me një grup aktivistësh në bazë të një demonstrimi “të paautorizuar”.

Drouet po ashtu u arrestua gjatë një demonstrate të “Jelekëvë të verdhë” më 22 dhjetor.

Në Francë, dënimi për organizimin e një demonstrate pa leje zyrtare është deri në gjashtë muaj burg dhe një gjobë prej 7.500 eurosh.

Protestat e “Jelekëve të Verdhë”

Protestat e “Jelekëve të verdhë”, të cilat filluan në reagim ndaj rritjeve të diskutueshme të taksave të karburanteve të paraqitura nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe evoluan në një kryengritje kundër tij, po vazhdojnë pavarësisht thirrjes së qeverisë për t’i ndalur ato.

Që nga 17 nëntori, mijëra protestues të veshur me xhaketa të verdha të ndritshme, të quajtur “Jelekët e verdhë”, tubohen në qytetet kryesore franceze, duke përfshirë Parisin, për të protestuar ndaj rritjes së taksave dhe përkeqësimit të situatës ekonomike në Francë.

Në mes të dhjetorit, nën presion nga javët e protestave, Macron njoftoi një rritje të pagës minimale dhe po ashtu u largua nga rritja e taksave të karburanteve.

Të paktën 10 persona u vranë dhe më shumë se 1.000 të tjerë janë plagosur gjatë protestave, ndërkohë mbi 4.500 janë arrestuar.