Franca zhgënjen edhe ndaj Kroacisë, Danimarka fiton dhe ruan vendin e parë

Franca zhgënjen edhe ndaj Kroacisë, Danimarka fiton dhe ruan vendin e parë

Franca vijon të zhgënjejë në Nations League. Kombëtarja e drejtuar nga Didier Deschamps u mposht 0-1 nga Kroacia, me ballkanasit morën një fitore të madhe në Paris, teksa goli i vetëm i sfidës u realizua nga Luka Modric.

Kapiteni i kroatëve zhbllokoi shifrat pas vetëm pesë minutash lojë falë një ekzekutimi të saktë nga pika e bardhë e penalltisë, një finalizim që rezultoi i mjaftueshëm për Kroacinë që të marrë tri pikët.

Danimarka shkëlqeu sërish në sfidën ndaj Austrisë. Danezët mundën 2-0 austriakët në një ndeshje plot ritëm, entuziazëm dhe emocione në ‘Parken Stadion’ duke u konfirmuar si forca e parë e grupit 1 të Ligës A.

Golat e vetëm të sfidës u realizuan në pjesën e parë, me të besuarit e Hjulmand që morën avantazhin në minutën e 21′ nëpërmjet realizimit të Jonas Wind. ‘The Danish Dynamite’ nuk e uli për asnjë moment ritmin dhe shënoi edhe të dytin në të 37′ falë golit të Skov Olsen.

Islanda dhe Izraeli u ndalën në një barazim 2-2, fotokopje e sfidës së parë ndërmjet përfaqësueseve, një rezultat që i shkon për shtat kombëtares së Shqipërisë që mbetet në lojë sa i takon vendit të parë në Grupin e 2 të Ligës B.

Islanda kaloi dy herë në avantazh por nuk arriti të menaxhonte kryesimin në të dyja rastet. Në këtë situatë, Izraeli mbetet në vendin e parë me 5 pikë, Islanda shkon në kuotën e 3 pikëve, që ndiqen nga Shqipëria me vetëm një pikë që tashmë ka gjithçka në duart e saj.