Franca mund të përballet me ndërprerje disaorëshe të energjisë gjatë dimrit

Franca mund të përballet me ndërprerje disaorëshe të energjisë gjatë dimrit

Familjet franceze mund të përballen me ndërprerje të energjisë deri në dy orë në ditë nëse kriza energjetike përshkallëzohet gjatë dimrit, thuhet në deklaratën e operatorit kombëtar të energjisë elektrike të vendit, transmeton AA.

RTE prezantoi tre skenarë për dimrin e ardhshëm, duke theksuar se vetëm në skenarin më të keq mund të ketë ndërprerje disaorëshe të energjisë.

Gjatë muajve të dimrit, RTE parashikon disa “sinjale të kuqe” në platformën online EcoWatt, thuhet në deklaratën e operatorit.

EcoWatt është një platformë online që tregon në kohë reale konsumin e energjisë elektrike në Francë dhe gjithashtu mund të dërgojë SMS për konsumatorët, duke i paralajmëruar ata në rast emergjence.

Sistemi përdor tre ngjyra: jeshile (normale), portokalli (sistemi i tendosur elektrik) dhe të kuqe, që do të thotë situatë “shumë e tendosur”.

Rreziku i ndërprerjes së energjisë elektrike mund të shmanget duke ulur konsumin me 1- 5 për qind në skenarin e mesëm dhe deri në 15 për qind në skenarin më të keq, sipas operatorit.

RTE më tej tha se shumica dërrmuese e situatave të cenueshme do të ndodhin midis orës 8:00 dhe 13:00 sipas orës lokale dhe në mbrëmje ndërmjet orës 18:00 dhe 20:00.

Skenari më i keq nënkupton se nëse reduktimet vullnetare të kompanive nuk janë të mjaftueshme, familjet do të përjetojnë ndërprerje të planifikuara të energjisë deri në dy orë në mbrëmje ose herët në mëngjes gjatë muajve të dimrit.

RTE njoftoi se në asnjë rast nuk do të ketë rrezik për ndërprerje në Francë, pra humbje të plotë të kontrollit mbi rrjetin elektrik.