(FOTO) Indonezianët ndezin zjarre në disa ditë protesta kundër rritjes së çmimeve të karburanteve

(FOTO) Indonezianët ndezin zjarre në disa ditë protesta kundër rritjes së çmimeve të karburanteve

Mijëra protestues iu bashkuan sot demonstratave të disa ditëve në kryeqytetin indonezian Xhakarta, kundër vendimit të qeverisë për rritjen e çmimeve të energjisë.

Protestat kundër rritjes së çmimeve janë përhapur në disa qytete të arqipelagut me shumicë muslimane.

Protestuesit kërkonin anullimin e vendimit të qeverisë për rritjen e çmimeve, duke thënë se kjo lëndon popullatën që sapo doli nga pasojat e rënda ekonomike të pandemisë.

Autorititetet kishin bllokuar rrugët që shkonin në drejtim të pallatit presidencial teksa demonstruesit shumica muslimanë, mbanin flamurë kombëtarë dhe islamikë, shkruan rrjeti AFP.

Çmimet e karburanteve u rritën me rreth 30% prej muajit të kaluar që kur administrata e presidentit Joko Vidodo vendosi të anullojë subvencionet, sipas tij për të mbushur deficitin kombëtar.

Çmimi i benzinës u rrit nga 51 cent në 67 cent për litër, ndërsa i naftës nga 35 cent në 46 cent, sipas AFP.

Protestat në disa qytete kryesore të Indonezisë janë kryesuar nga punëtorët e studentët, por kanë ardhur duke u ashpërsuar.

Organizatori Ahmad Khozinudin tha në fjalën e tij se popullsia po vuante pasojat e COVID-19 dhe rritja e çmimeve shton problemet e tyre.

Ai shtoi se qeveria e Vidodo “nuk është kujdesur për varfërinë në vend”, dhe se “ka shkelur premtimin ndaj popullit për të mos rritur çmimet e karburanteve”.

Protestuesit që brohorisnin “Zoti është i madh” dhe “Ne jemi me punëtorët”, bllokuan disa rrugë të kryeqytetit.

“Vendimi i qeverisë për rritjen e çmimeve të karburanteve është i padrejtë!” tha protestuesi Budi Darma.

“Kjo sjell rritjen e çmimeve të mallrave të tjera si ushqimet bazë dhe lëndon drejtpërdrejt më të varfrit”, shtoi ai.