Fitore me “poker”, Bayerni dhe Nagelsmann rigjejnë buzëqeshjen në kampionat

Fitore me “poker”, Bayerni dhe Nagelsmann rigjejnë buzëqeshjen në kampionat

Bayern Munchen rikthehet pas katër javësh te fitorja në Bundesliga. Skuadra e Julian Nagelsmann mposhti 4-0 Bayer Leverkusen dhe momentalisht është ngjitur në vendin e dytë me 15 pikë, dy më pak se kryesuesit e Unionit të Berlinit.

Goli i parë i kësaj përballjeje u realizua në minutën e tretë. Jamal Musiala dhuroi një asist për Leroy Sane dhe ky i fundit dërgoi topin në rrjetë. Kampionët në fuqi të Gjermanisë, nuk u ndalën dhe dyfishuan rezultatin në minutën e 17’.

 

Talenti Musiala mori një asist nga Thomas Muller dhe nisi festën me shokët e ekipit, duke u ngjitur në kuotën e pesë golave në Bundesliga (golashënuesi më i mirë i Bayernit në kampionat për momentin).

Musiala nuk u ndal dhe në minutën e 39’ regjistroi asistin e dytë në këtë ndeshje. 19-vjeçari dha një pasim për Sadio Mane, i cili nuk gaboi me gjuajtjen e tij, duke rigjetur golin që i mungonte prej pesë javësh.

Ylli senegalez realizoi një tjetër gol në pjesën e dytë (56’), por teknologjia VAR e anuloi për pozicion të parregullt të sulmuesit. Në fund pati festë edhe për Thomas Muller, i cili gjashtë minuta nga fundit përfitoi nga gafa e portierit Lukas Hradecky dhe vulosi suksesin me “poker” të Bayernit.