Fitoi derbin e zjarrtë të Madridit, flet Ancelotti: Jemi shumë konkurrues, perfeksioni nuk ekziston në futboll

Fitoi derbin e zjarrtë të Madridit, flet Ancelotti: Jemi shumë konkurrues, perfeksioni nuk ekziston në futboll

Trajneri i Real Madridit ka analizuar fitoren e skuadrës së tij në derbi dhe është shprehur i kënaqur, por kërkues me lojtarët e tij. Ai vlerësoi brazilianin Rodrygo, që zëvendësoi në sulm Karim Benzema dhe zhbllokoi shifrat e bardha me një gol të mrekullueshëm:

“Ai dhe Valverde janë lojtarë shumë të veçantë. Kanë aftësitë e futbollistit modern, i cili duhet të luajë në pozicione të ndryshme, duhet të ketë fizik, teknikë. Të dy kanë përparuar shumë. Jemi të kënaqur me ta, sepse po bëjnë shumë mirë”.

Trajneri italian iu përgjigj me qetësi “shigjetave” të kolegut Simeone, se Real Madridi luajti me qasje thellësisht mbrojtëse: “Me Simeone u përshëndetëm para ndeshjes, zakoni i tij është i mirë. Nëse Diego thotë se ne jemi mbrojtur mirë dhe ulët, i them faleminderit.

Ky është një kompliment. Unë mendoj se skuadra e ka zëvendësuar mirë Karim. Ne kemi bërë mirë, të gjithë ata që kanë luajtur në këtë pozicion kanë bërë mirë. Sot Rodrygo shënoi një gol spektakolar. Futbolli ideal është të shënosh shumë gola dhe të mos pësosh, perfeksioni nuk ekziston”.

Skuadra e “Don Carlo” po funksionon mirë edhe pa bomberin e vet kryesor, Karim Benzema: “Sikurse ka dalë, skuadra jonë është shumë konkurruese edhe pa Karim, lojtarin më të rëndësishëm. Ka gjëra që mund të përmirësohen, është normale, por realiteti është se nuk mund të kërkoj më shumë nga kjo skuadër. Ne kemi fituar çdo ndeshje deri më tani, jam shumë i lumtur dhe krenar që i stërvis këta lojtarë”.

Disa fjalë edhe për rivalët katalanas: “Barcelona po bën shumë mirë, po ashtu edhe ne. Atletico Madridi ka humbur ndaj nesh. Ky sezon është shumë i çuditshëm, nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë pas Kupës së Botës. Çfarë ndodhi me Atléticon mund të ndodhë edhe me ne. Është një kampionat më konkurrues”.