Fillesat e gjenocidit serb mbi shqiptarët

Fillesat e gjenocidit serb mbi shqiptarët

Zanafillën e nacionalizmit serb e gjejmë në fillimet e shekullit XIX, kur idetë iluministe europiane filluan të depërtojnë në hapësirën ballkanike. Që atëherë te serbët u zgjuan ndjenjat e tyre për emancipim kombëtar, çlirim nga sundimi osman, por edhe restaurim të perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit.

Shkruan: Fehari RAMADANI, Tetovë

Gjatë shekullit XIX, në Europë lindën dhe u zhvilluan lëvizjet nacionaliste, të cilat shpejt u përhapën edhe në Gadishullin Ballkanik. Në këtë pjesë të Europës ato evoluuan në përgatitjen dhe zhvillimin e revolucioneve kombëtare, që si rrjedhojë patën dhe formimin e shteteve të pavarura kombëtare.

Sapo fituan autonominë ose pavarësinë e tyre (gjatë shek. XIX), disa nga popujt e Ballkanit filluan të zhvillonin politikën e spastrimit etnik dhe fetar në territoret që tanimë u ishin njohur atyre, e që në shumicë banoheshin nga popullsi tjetër. Elitat e reja politike u udhëhoqën nga ideja se “çdo komb duhet të përfshihet në një shtet dhe çdo shtet duhet të përfshijë një komb të vetëm”. Grupet e vogla, cilado qofshin ato (kombëtare ose fetare) duhej të zgjidhnin njërin nga tre opsionet: të asimiloheshin/konvertoheshin, të shpërnguleshin drejt vendeve të tjera ose të përballeshin me rrezikun e zhdukjes masive.

Zanafillën e nacionalizmit serb e gjejmë në fillimet e shekullit XIX, kur idetë iluministe europiane filluan të depërtojnë në hapësirën ballkanike. Që atëherë te serbët u zgjuan ndjenjat e tyre për emancipim kombëtar, çlirim nga sundimi osman, por edhe restaurim të perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit.

Politika e jashtme e Serbisë u frymëzua nga programet kombëtare, me përmbajtje nacionaliste. Programet e para pushtuese serbe ishin ato të Sava Tekiljas dhe të mitropolitit të Karllovcit, Stefan Stratimiroviq. Që para zhvillimit të Kryengritjes së Parë Serbe, Tekilja në autobiografinë e tij propozonte dëbimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani dhe vendin e saj ta zinte një Perandori Sllavo-Serbe. Programi i dytë ishte memorandumi i mitropolitit Stratimiroviq, i vitit 1804, në të cilin bëhej fjalë për çlirimin e popullit serb dhe që iu dërgua për miratim perandorit rus, Aleksandrit I. Memorandumi i propozonte carit që ai të kërkonte nga Porta e Lartë që “të gjitha viset, ku jetojnë serbët” të pavarësoheshin dhe ky shtet të vihej nën protektoratin rus.

Politika “çlirimtare” e Serbisë u shoqërua edhe me elemente shoviniste dhe gjenocidi. Serbët udhëhiqeshin nga ideja për ndërtimin e një shteti etnik me religjion ortodoks brenda kufijve të të cilit nuk do të kishte vend për popujt e tjerë. Ata ishin të prirë të mos duronin elemente të tjera etnike apo fetare brenda kufijve të shtetit të tyre. Në vazhdën e këtij qëndrimi, princi serb Millosh Obrenoviq, qysh gjatë sundimit të tij të parë (1815-1839), bëri përpjekje të mëdha që t’i shpërngulë shqiptarët dhe myslimanët nga territori i Serbisë autonome. Ai porosiste vartësit e tij që t’i ndërmerrnin gjitha veprimet e mundshme për t’i blerë tokat dhe shtëpitë e shqiptarëve. Kështu, përmes presionit qeveria serbe arriti të realizonte shpërnguljen e një numri jo të vogël të shqiptarëve nga Quprija e Aleksinci. Një politikë e tillë krijoi premisat për përforcimin e elementeve dhe të ideve shoviniste te serbët.

Inkurajimi për dëbimin e shqiptarëve dhe jotoleranca ndaj besimeve dhe gjuhëve të tjera demonstrohet edhe nga i ashtuquajturi “Kanuni Vasojeviq”, i vitit 1829. Njëra nga dispozitat e këtij kanuni nxiste dhe legalizonte rrënimin e gjitha veprave të kulturës myslimane. Kjo tendencë barbare do të bartet, rrjedhimisht, në gjitha projektet dhe programet e organizatave nacionaliste serbe. Në këtë mënyrë, vepra me vlera të rralla të arkitekturës islame do të zhdukeshin si rezultat i politikës sistematike të kulturocidit serb gjatë historisë më shumë se njëqindvjeçare.

Në vitin 1844, njëri ndër politikanët më autoritativ serb të mesit të shek. XIX, Ilija Garashanin, në fshehtësi hartoi një plan ambicioz për zgjerimin e shtetit serb. Nën pretekstin e çlirimit të sllavëve të jugut nga sundimi osman, u projektua krijimi i një shteti të madh. Ky plan, i njohur me emrin Naçertanija (Projekti), i hartuar nga ministri i Brendshëm serb, parashikonte që brenda kufijve të Principatës së Vogël Serbe të përfshiheshin territoret që gjatë mesjetës i kishin takuar Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit. Naçertanija parashikonte që në të ardhmen Serbia domosdoshmërisht të siguronte dalje në det. Të gjitha territoret e banuara nga sllavët e jugut ajo i quante serbe dhe, për më tepër, duke anashkaluar karakterin gjuhësor e kulturor, synonte që brenda Serbisë të përfshiheshin edhe territore shqiptare. Pjesa e Shqipërisë Veriore dhe Kosova, të cilën Garashanini e pagëzoi “Stara Srbija” (Serbi e Vjetër), do të bëheshin pjesë e Serbisë së Madhe.

Ilija Garashanini tregonte interesim të veçantë për jetën kulturore të serbëve në Kosovë, prandaj dërgoi dy mësues serbë në Prizren në vitin 1866. Misioni i tyre do të ishte përhapja e ideve serbe në mesin e pakicës serbe dhe të krishterëve joserbë. Në vazhdën e kësaj politike, në Beograd u themelua një komitet për organizimin e propagandës serbe, i cili arriti të themelonte 61 shkolla në rajonet e “paçliruara”, në jug të shtetit të atëhershëm serb. Në vitin 1873, një anëtar i këtij komiteti, Millosh Millojeviqi, hapi një shkollë në Beograd për fëmijët e territoreve të “paçliruara” ku çdo të diel mbaheshin fjalime dhe ligjërime të zjarrta, duke glorifikuar historinë serbe. Kështu ata i ushqenin fëmijët me nacionalizëm ekstrem dhe urrejtje për këdo që nuk ishte serb dhe ortodoks.

Mundësia për realizimin e projekteve nacionaliste, të hartuara që nga fillimi i shek. XIX, qeverisë serbe i jepet gjatë Krizës Lindore të viteve 1870-të. Zhvillimi i luftës ruso-osmane (1877-1878), krijoi kushte të përshtatshme për udhëheqjen politike serbe që të fillonte me realizmin e projekteve të saj për krijimin e Serbisë së Madhe. Fitoret e njëpasnjëshme të ushtrisë ruse mbi atë osmane i mundësuan ushtrisë serbe të pushtonte territore të shtetit osman. Qeveria serbe u angazhua në maksimum të pushtonte sa më shumë territore dhe gjithashtu për t’i paraqitur ato si toka serbe bëri përpjekje maksimale që popullsinë joserbe dhe, veçanërisht atë myslimane, krahas vrasjes së një pjese të saj pjesën tjetër, ta detyronte të largohej nga shtëpitë e veta.

Serbia i konsideronte shqiptarët myslimanë të njëjtë me osmanët, prandaj si të tillë nuk mund të kishin fat më të mirë se turqit. Gjatë luftës së viteve 1877-1878, ushtria serbe vuri përpara gjithë popullatën myslimane: turqit, çerkezët, tatarët, boshnjakët dhe shqiptarët. Madje, ata nuk kursyen as hebrenjtë. Dhjetëra mijëra familje, për t’i shpëtuar vdekjes, u detyruan të largoheshin nga vendbanimet e tyre. Ata morën rrugën drejt territoreve që ende ishin pjesë e shtetit osman, në qendra të tilla të mëdha, siç ishin Prishtina, Shkupi, Manastiri etj., atje ku ende nuk kishte arritur ushtria serbe.

Qeveria serbe kishte investuar vazhdimisht në edukimin e brezit të ri në frymë nacionaliste. Shkolla luante rolin kryesor. Auditorët u shndërruan në qendra propagande. Mësuesit serbë u flisnin nxënësve me urrejtje për popujt tjerë, veçanërisht për myslimanët dhe shqiptarët, të cilët i konsideronin si shkaktarë të të gjitha të këqijave që u kishin ndodhur serbëve në të kaluarën. Ata paraqiteshin si simbol i regresit dhe pengesë e progresit. Kjo propagandë kishte për qëllim që kur ata të rriteshin të ishin të gatshëm që të luftonin kundër pjesëtarëve të këtij grupi fetar dhe etnik. Propaganda drejtohej pikërisht kundër këtyre dy popujve, sepse territoret që pretendoheshin të pushtoheshin, banoheshin nga popullsia shqiptare, ndërsa ishin pjesë e shtetit osman. Prandaj, qeveria serbe duhej ta përgatiste popullsinë e saj që të luftonte kundër atyre në mënyrë që t’i realizonte synimet e saj ekspansioniste mbi territoret e “Serbisë së Vjetër”. Shprehja e Vuk Brankoviqit “se turqit janë vrasësit e Jezus Krishtit” kishte zënë vend të rëndësishëm në kokën e secilit ushtar serb. Të frymëzuar me armiqësi, ushtarët serbë nuk mund të kishin mëshirë ndaj popullsisë josllave, aq më tepër ndaj asaj myslimane. Në memorien e tyre ishte ngulitur thellë ideja e urrejtjes ndaj turqve dhe myslimanëve. “Turku, përkatësisht myslimani, ishte simbol i të gjitha të këqijave për serbët”. E gjithë kjo propagandë kishte për qëllim që ushtarët serbë të ishin të pamëshirshëm ndaj popullsisë joserbe të territoreve të pushtuara. Një pjesë e tyre do të vriteshin, kurse ata që do të mbeteshin gjallë, të tmerruar nga mizoritë e ushtrisë serbe, do të detyroheshin të shpërnguleshin. Vetë autorët serbë dëshmojnë se qeveria e tyre kishte për qëllim t’i shpërngulte shqiptarët, pasi synimi i saj ishte “ta bënte Serbinë shtet etnikisht të pastër”.

Politika shtetërore e Beogradit ishte të krijonte territore të “pastra” etnike. Prandaj gjatë luftës së viteve 1877-1878, Serbia i dëboi shqiptarët nga qindra vendbanime të tyre. Ajo i shpërnguli me dhunë shqiptarët e fshatrave të rrethit të Prokuples, të Vrajës, të Leskocit e të Nishit, si dhe të vet qyteteve të këtyre rretheve.

Të dhënat që ofrojnë konsujt europianë dëshmojnë se shkalla e vdekjeve në rajonin e Nishit, të pushtuar nga Serbia, ka qenë e lartë. Në vitet 1877-1878, në aksionet për spastrimin etnik të territoreve të pushtuara në sanxhakun e Nishit dhe të Pirotit, u vranë gra, pleq e fëmijë. Sipas disa të dhënave, numri i të vrarëve nga serbët arrinte në 70.000 vetë. Në ato vite, numri i myslimanëve të vrarë në Gadishullin Ballkanik sillej nga 250.000 deri në 300.000 njerëz.

Sipas dëshmive të oficerëve serbë, gjatë marshimit nëpër territoret e reja, ata kishin hasur njerëz të prerë në fytyrë, veprime këto të kryera nga njësitet që kishin kaluar më herët në ato lokalitete. Disa në ditarët e tyre shkruanin se kishin gjetur “kufoma fëmijësh të ngrirë brenda shtëpive të mbuluara nga akulli”, se kishin parë me sytë e tyre “kufoma njerëzish të mbetura rrugëve edhe ato të ngrira dhe të mbuluara nga bora e madhe e dhjetorit”. Sipas gazetës “Srpske Novine” (Српске новине), në prill 1878, nga rrënojat e shtëpive ishin nxjerrë dhe varrosur në varreza kolektive 2.886 kufoma. Grabitja e stolive ishte diçka e zakonshme. Shumë kufomave u ishin prerë gishtërinjtë. Në fshatin Vllasë ishin gjetur 3 drapërinj të përgjakur, që ishin përdorur për prerjen e kokave të viktimave, të cilat gjendeshin aty afër të ngrira. Tmerri që përjetoi popullsia civile e territoreve të pushtuara i detyroi ata që, për të shpëtuar veten dhe familjen, të largoheshin nga vatrat e tyre, duke lënë shtëpitë e kafshët që posedonin dhe pasuritë tjera. Ata u detyruan që të ecnin në këmbë rrugëve të mbuluara nga bora dhe akulli, këmbëzbathur, të zhveshur e pa ushqime, duke bartur fëmijë të vegjël në krah. Sipas disa dëshmive, disa shqiptarë, të tmerruar nga dhuna e ushtrisë pushtuese serbe, duke u përpjekur që të largoheshin sa më shpejt nga shtëpitë e tyre, foshnjat i kishin harruar në djep. Përveç metodave të vrazhda që përdorën pushtuesit, gjendja e popullsisë së shpërngulur vështirësohej edhe nga kushtet e vështira klimatike të dimrit. Krahas vrasjeve të vazhdueshme, të kryera nga ushtria pushtuese serbe, shumë shqiptarë të arratisur me shpresën se do të shpëtonin veten dhe familjet e tyre nga vrasjet, vdiqën rrugës pa arritur në destinacion. Acari i madh i dimrit 1877-1878, shkaktoi skena trishtuese vdekjesh.

Një akt tjetër barbar që praktikohej nga ushtarakët serbë ishte përdhunimi i grave dhe vajzave shqiptare dhe myslimane në territoret e sapopushtuara. Llogaritet se gjatë asaj kohe u përdhunuan 3.500-4.000 femra. Përdhunimet kryheshin nga oficerët e ushtrisë. Këto veprime çnjerëzore jo vetëm të ushtarëve, por edhe të oficerëve serbë, do të përsëriten edhe gjatë luftërave të mëvonshme që i zhvilloi Serbia kundër popujve dhe shteteve të tjera. Skena të njëjta përdhunimesh do të ndodhin edhe gjatë Luftërave Ballkanike (1912-1913), e madje edhe në vitet ’90-të të shek. XX, si në Bosnjë dhe Hercegovinë, ashtu edhe në Kosovë.

Në fund të vitit 1877 dhe në fillim të vitit 1878, Serbia e shpërnguli dhunshëm popullsinë shqiptare nga qindra fshatra të sanxhakut të Nishit. “Myslimanët u dëbuan nëpërmjet kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj jetës dhe pronës së tyre”, raportonte ushtruesi i detyrës së konsullit britanik në Edrene, E. Calvert. Në vitet 1877-1878, të gjithë myslimanët, me përjashtim të romëve, u dëbuan nga rajoni i Luginës së Moravës, ku kishte pasur qindra fshatra shqiptarësh, si dhe nga qytetet Prokuple, Leskoc, Vrajë. Një mësues serb në Leskoc do të kujtonte më vonë se myslimanët ishin dëbuar në dhjetorin e vitit 1877, në një acar të madh: “Skajeve të rrugës, në Grykën e Gudelicës, deri në Vrajë e Kumanovë, mund të shihje kufoma, fëmijë të braktisur dhe pleq të ngrirë nga acari”. Ata që kishin marrë ndonjë pasuri të vogël me vete, ishin detyruar ta lenin rrugës për ta vazhduar më lehtë rrugëtimin. Shumë fëmijë kishin mbetur rrugës. Disa kishin vdekur e pjesa tjetër ishin gjysmë të vdekur.

Qeveria serbe ishte e interesuar që ata banorë joserbë, që kishin mbetur gjallë, t’i largonte sa më shpejt nga territoret e pushtuara. Prandaj vetë pushtuesit u kujdesën ta ndihmonin atë popullsi të largohej nga vatrat e saj. Autoritetet shtetërore u siguruan qerre, saja dhe kafshë tërheqëse për ta ndihmuar shpërnguljen e popullsisë, shumica e së cilës ishin shqiptarë autoktonë. Duke e larguar popullsinë shqiptare dhe myslimane nga territoret e zaptuara, Serbia shpresonte ta kishte më të lehtë t’i aneksonte ato vise. Kongresi i Berlinit, që do të mblidhej për të diskutuar çështjet që kishin lindur si pasojë e luftës ruso-osmane dhe vendosjen e kufijve të rinj në Ballkan, më me lehtësi do ta pranonte kërkesën e qeverisë së Beogradit për t’i njohur asaj një territor, në të cilin jetonte popullsi serbe sesa një territor me popullsi të përzier ose të banuar në shumicë nga popullsi joserbe. Studiuesi serb, Jovan Haxhi-Vasiljeviqi, në lidhje me arsyet e shpërnguljes së shqiptarëve nga territoret e sanxhakut të Nishit, ka shkruar: “Motivet për t’i shpërngulur arnautët ishin ato që synonin për të paralizuar kërkesat e Portës në Kongresin e Berlinit, në mënyrë që ajo atje të mos ia arrinte qëllimit që ato toka prapë t’i kthente nën sundimin e saj…”. Autorë të tjerë serbë, si M. Spasiq dhe M. Miliçeviq, janë shprehur se një pjesë e shqiptarëve ishin larguar kur ushtria serbe i kishte pushtuar ato territore, ndërsa një pjesë tjetër pushteti i kishte shpërngulur me dhunë. Oficerët dhe ushtarët porositeshin se “sa më shumë shqiptarë të shpërnguleshin, aq më e madhe do të jetë merita juaj për atdhe”.

Vendbanimet me popullsi shqiptare të rretheve të Toplicës, Leskocit, Kurshumlisë, Prokuples dhe Vrajës u shkretuan plotësisht, ndërsa popullsia shqiptare u masakrua në mënyrën më barbare dhe u detyrua të shpërngulej nga trojet amtare. Këtë mision e kryen ushtria dhe bandat çetnike serbe, kjo sipas një plani të paramenduar nga mbreti i Serbisë, Millan Obrenoviq, i cili parashikonte spastrimin e territoreve me popullsi shqiptare dhe aneksimin e tyre nga shteti serb. Sovrani serb dëshironte ndërtimin e një shteti të pastër etnik. Prandaj, kërkonte dëbimin e shqiptarëve nga territoret e pushtuara. Në proklamatat që i kishte drejtuar ushtrisë, ai u bënte thirrje ushtarëve që “sa më pak arnautë (shqiptarë) të mbeteshin nën Serbinë, aq më i madh do të ishte shërbimi juaj ndaj atdheut”. Me urdhër të komandantëve ushtarakë serbë u vranë dhe u masakruan mijëra shqiptarë, veçanërisht ata të moshës mbi 12-vjeçare. Të tjerët u detyruan të shpërnguleshin, të zhveshur e të zbathur drejt tokave të cilat ende nuk ishin pushtuar nga serbët.

Armata serbe vazhdoi t’ua vë zjarrin shtëpive myslimane dhe shqiptare, t’i rrënojnë, t’i keqtrajtojnë, t’i fyejnë, prangosin dhe me duart e lidhura pas shpine. Ata e torturonin secilin prej tyre. Oficerët serbë ua bënë të ditur shqiptarëve se nëse nuk do largoheshin brenda 10 ditësh, do të pushkatoheshin të gjithë. Për këtë arsye pothuajse të gjithë shqiptarët që jetonin në Nish, me ndonjë përjashtim të vogël, u detyruan të iknin e të shpëtonin së paku jetën e fëmijëve dhe të familjeve të tyre, ta braktisnin vendin, duke marrë me vete vetëm ato që mund t’i bartnin, duke lënë një pjesë të madhe të plaçkave të shtëpisë, si dhe çdo pronë: shtëpitë, orenditë shtëpiake si dhe pronat. Serbët vrisnin shqiptarët kudo që i takonin, në pazar, në rrugë etj. Në komunën e Balinocit të gjitha shtëpitë e shqiptarëve ishin djegur.

Para aneksimit të Nishit nga Serbia, në atë qytet ekzistonte një treg i njohur me emrin “Arnaut Bazar” (Tregu shqiptar). Gjithashtu, sipas dokumenteve konsullore britanike, në një lagje plotësisht të ndarë, e njohur me emrin “Arnaut Mahallesi” (Lagjja shqiptare), kishte rreth 300 shtëpi të banuara me 1.500 shqiptarë. Por, të gjithë shtëpitë e shqiptarëve dhe të myslimanëve të tjerë u sulmuan me gur dhe u dëmtuan nga pushtuesit, të cilët kishin filluar të bëjnë kërdi dhe t’ua djegin shtëpitë shqiptarëve. Studiuesi dhe udhëpërshkruesi gjerman Felix Kanitz ka shkruar: “Kur kalova nëpër Leskoc, pata vërejtur 900 shtëpi turke me 4.500 njerëz, por kur u ktheva më 1884 hetova vetëm 15 shtëpi me 60 banorë”. Sipas tij, para luftërave të asaj kohe në territoret e Leskocit, të Prokuples dhe të Kurshumlisë jetonin 83.000 shqiptarë, kurse disa vite më vonë në ato territore kishin mbetur vetëm 3.000. Atyre pak shqiptarëve dhe myslimanëve që kishin mbetur qeveria ua konfiskonte pronat.

Në një raport që konsulli Gould i dërgonte Londrës, theksonte se “Qeveria serbe ishte sjell me vrazhdësi të madhe dhe të panevojshme, madje mizore, me shqiptarët” e rajoneve të pushtuara. “Banorët e më se 100 fshatrave shqiptare në luginat e Toplicës dhe Vrajës u dëbuan me egërsi nga shtëpitë e tyre në fillim të vitit. Këta njerëz që atëherë bredhin të humbur në natyrë, jashtë Serbisë së Re”. Sipas raportit, ata nuk ishin lejuar as t’i vjelin të korrat në tokat e tyre. Përkundrazi, ato ishin rrëmbyer nga ushtarët serbë. Sa herë ishin përpjekur të kalonin kufirin, ata ishin vrarë nga ushtarët serbë. Në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Jovan Ristiq, diplomati britanik kishte kërkuar drejtësi “për këta njerëz fatzinj, krimi i vetëm i të cilëve është përkatësia e tyre racore dhe besimi tjetër”.

Krahas gjenocidit mbi popullsinë shqiptare dhe myslimane, Serbia ndërmori një fushatë për rrënimin e objekteve fetare të myslimanëve. Në shumë raste arsyetimi i serbëve ishte se në vendndodhjen e shtëpive myslimane një ditë do të ndërtoheshin rrugë dhe shtëpi të reja. Me zhdukjen e xhamive dhe të varrezave, pushtuesit synonin ta fshinin të kaluarën shqiptare dhe myslimane të territoreve të pushtuara. Serbët ishin të prirë ta falsifikonin historinë. Ata tani filluan me fshehjen e fakteve, të cilat nuk ishin në interes të tyre. Serbët do të përpiqen, në kundërshtim me të vërtetën, t’i paraqisnin territoret e pushtuara si serbe dhe se shqiptarët dhe myslimanët kishin qenë në numër të vogël. Në periudhën në vazhdim qeveria serbe, e ndihmuar edhe nga studiues të fushave të ndryshme, do të bëjë përpjekje të vazhdueshme për t’i falsifikuar shifrat në lidhje me strukturën etnike të territoreve që ende ishin pjesë e shtetit osman, por që synoheshin të pushtoheshin nga qeveria e Beogradit.

Një pasqyrë të qartë se çfarë kishte ndodhur në Nish pas pushtimit të qytetit nga serbët e jep nënkonsulli britanik Baker. Sipas raportit, gjatë sundimit osman Nishi kishte pasur 19.000 banorë (10.000 të krishterë, 8.000 myslimanë, 700 hebrenj dhe 300 çerkezë). Qyteti kishte pasur 15 xhami dhe 4 të tjera brenda mureve të kalasë. Në shtator 1879 atje jetonin 13.000 banorë, d.m.th. rreth 32% më pak se sa gjatë periudhës osmane. Sipas raportit, në atë qytet kishin mbetur vetëm 300 myslimanë. Nga të 15 xhamitë që ekzistonin para lufte, në vitin 1879 kishin mbetur pa u rrënuar vetëm 3. Me të pushtuar qytetin, serbët rrënuan disa qindra shtëpi. Në tërësi e kishin shkatërruar tregun “Arnaut Bazari” dhe lagjen “Arnaut Mahallesi”, e cila gjendej në brigjet e lumit Nishavë. Ajo kishte qenë pjesa më e bukur e qytetit, por që gati ishte rrafshuar me tokë pas pushtimit serb, me arsyetimin se kjo pjesë ishte e pasigurt për banim. Shtëpitë që kishin mbetur ishin shitur nga pushteti lokal me çmime simbolike, pavarësisht se kjo ishte shitje ilegale.

Kjo ishte faza e parë e gjenocidit shtetëror serb mbi shqiptarët. Në periudhën në vazhdim ai mori përhapje edhe më të gjerë.