` . Ferit Pashë Vlora – një jetë shtet, Logos A, Shkup, 2018 - TV SHENJA

Ferit Pashë Vlora – një jetë shtet, Logos A, Shkup, 2018

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Vepra “Ferit Pashë Vlora – një jetë shtet” e autorit Abdulhamit Kirmizi është një biografi e detajuar e vlonjatit më të famshëm të derës së Vlorajve dhe qeveritarit me nam të Shtetit Osman në periudhën e fundit traumatike të atij shteti gjigand. Veçmas për ne shqiptarët harrestarë e mazohistë, kjo biografi për Ferit Vlorën, kjo mikrohistori brilante,na shfaqet si një dritare në një karakatinë të errët, nga e cila mund të shihet pak përtej hundës. Megjithëse në rastin tonë nuk është i sigurt të shikuarit përtej hundës, ngase edhe nëse dritarja hapet, shikimi është i turbulluar nga katarakti i amnezionit, prapë nuk mund të shihet asgjë qartësisht.

Ky studim i historianit Kirmizi fillon me një tablo mbresëlënëse mbi plejadën e bejlerëve shqiptarë dhe Vlorën, si njëra nga qytetet më zulmëmëdha të historisë shqiptare. Pastaj autori  skicon familjen e famshme shqiptare Vlora, e cila ka dhënë kontribute të mëdha në qeverisjen e Shtetit Osman, ndërsa në rrëmujën e shpërbërjes së tij dha kontribut kritik në formimin e vetë shtetit shqiptar, në vitin 1912. Traditat e rrënjosura të bejlerëve shqiptarë, qyteti domethënës i Vlorës dhe dera e famshme e familjes Vlora, përbëjnë kuadrin në të cilin u lind, u rrit dhe u formua Feriti, realisht personaliteti më zulmëmadh i gjithë asaj trashëgimie. Nga të dhënat që sjellë Kirmizi rezulton që nga familja Vlora kanë dalë shumë qeveritarë të aftë e të fuqishëm për disa gjenerata, që nga Sinan Pasha, Gjergj Sinan Pasha, Kara Ismail Pashë Vlora, Ibrahim Pashë Vlora, Sulejman Pasha, Mustafa Nuri Pasha (babai i Feritit dhe vëllezërve të tij, Neshetit, Syrjait dhe Namikut), Ismail Qemal Vlora e deri te Eqrem bej Vlora. Secili prej tyre ka lënë një shenjë në historinë e Shtetit Osman, të vendlindjes së tyre, Vlorës, po edhe të Shqipërisë, në historinë e së cilës spikat më së shumti Ismail Qemal Vlora, si themelues i shtetit shqiptar. Për të gjitha ato kontribute, që shtrihen në qindra vjet, autori në konkluzionet në fund të studimit të tij për Ferit Vlorën, në raport me derën e Vlorajve dhe të Ali pashë Tepelenës (me të cilët ata ishin në lidhje familjare), thotë: “Me një këndvështrim teleologjik mund të thuhet se dyert e Vlorajve dhe të Tepelenajve kanë vazhduar ekzistencën e tyre për shekuj me radhë, për të nxjerrë nga gjiri i tyre këtë njeri.” (f. 502) Po të thuhej kështu në fillim të studimit, mund të tingëllonte si hipotezë që pret të testohet, por kjo thuhet në fund të studimit, ku autori prezanton vlerërsimet finale. Ma merr mendja që secili lexues që do të arrijë në faqen 502, natyrisht duke e lexuar me vëmendje dhe me mendje të hapur, pa paragjykime, do të jetë dakord me këtë vlerësim, sepse biografia e Feritit vetvetiu e imponon këtë përfundim. Pse? Sepse, si gjeografia ku ka shërbyer, si postet që ka mbajtur, si rezultatet që ka arritur, si betejat në të cilat ka qenë i përfshirë (në mosmarrëveshje edhe me sulltan Abdylhamidin me xhonturqit, me Qamil Pashën, me anglezët, etj.) e prezantojnë atë si një figurë monumentale të historisë osmane e shqiptare, rrjedhimisht edhe të familjes së Vlorajve e të Tepelenajve. Qëndrueshmëria e Ferit Pashë Vlorës në ato beteja të mëdha, ku bie edhe presioni i tij vendimtar mbi sulltanin për ta kthyer Kushtetutën në vitin 1908, si edhe lufta e fortë me xhoturqit, të cilët planifikuan edhe ta vrisnin dhe ia ndaluan kthimin në Stamboll, duket e pashoqe nga paraardhësit dhe bashkëkohanikët e tij.

Për t’u pjekur për ato beteja finale në vitet 1903-1913, Feriti kishte kaluar një jetë në shkollim dhe në detyra shtetërore me përgjegjësi. Sipas të dhënave që sjellë autori, Ferit Vlora ka ndjekur shkollimin dhe ka kryer shërbime në vende si Janina, Kreta, Sofja, Raguza, Dijarbekiri, Halepi, Konja, Izmiri, Ajdëni, Kajroja dhe, natyrisht, Stambolli. Ai ka kryer funksione në rangje të ndryshme të administratës osmane, ku më të lartat spikasin funksionet si guvernator në Konja e Izmir, kryeministër në vitet 1903-1908, ministër i brendshëm dhe kryetar i Senatit pas Konstitucionit. Autori ka sjellë shumë dokumente e detaje për të gjitha ato lëvizje të Ferit Vlorës, të cilat si një fije peri i lidhë botëvështrimi i tij modernizues. Ai ishte politikan modernist, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Në çdo detyre ku u gjend, ai ishte strateg në përpjekjet për modernizimin e administratës dhe të jetës sociale të Shtetit Osman. Pasioni i tij ishte ndryshimi i gjendjes, përmirësimi i kushteve të jetës dhe fuqizimi i shtetit. Brenda këtij vizioni ai shfaqet si administrator i aftë, i guximshëm, i motivuar dhe i pakorruptuar. Autori ka sjellë shumë raporte, letra e udhëpërshkrime që e prezantojnë me këto vlera unike, në kohën kur administrata osmane dukej e dominuar nga dembelizmi dhe nga korrupsioni, ndërsa shoqëria ishte e atakuar nga vese të këqija dhe nga injoranca. Pas suksesit spektakular si guvernator në Konja, vlonjati ftohet nga sulltan Abdylhamiti II, që të bëhet kryeministër i Shtetit Osman, detyrë të cilën e kryen me pedanteri dhe qëndrueshmëri në vitet 1903-1908, në një vorbull presionesh, intrigash e komplotesh të brendshme e të jashtme. Autori ka shpalosur aspekte të luftës së brendshme politike në elitat osmane të asaj kohe, e cila ishte shumë tinëzare, por edhe e ashpër. Ferit Pasha e kryen detyrën e kryeministrit në mes një mali denoncimesh dhe inskenimesh, ku spikat ndershmëria, besnikëria dhe parimësia maksimale, në aso rrethanash të turbullta.

Sidoqoftë, problemet më të mëdha edhe gjatë shërbimit si kryeministër i shfaqen shkaku i çështjes shqiptare dhe lidhjeve që kishte me lëvizjen shqiptare. Në shumë raste vihet nën dyshim, nga ana e zyrtarëve osmanë, por edhe nga sulltani, për qëndrimet e tij si shqiptar. “Sulltan Abdylhamidi mund të ketë ndjerë njëfarë shqetësimi nga interesi i ethshëm i Ferit Beut për diplomacinë ballkanike, me idenë e mbrojtjes së shqiptarëve”, konstaton Kirmizi. (f. 106) Po ashtu autori dëshmon se Feri Pashë Vlora mbante edhe takime në Stamboll me krerët e lëvizjes shqiptare, sigurisht duke influencuar në drejtimet që ajo duhet të ndiqte, pasi Feriti kishte lidhje të shumta me ambasadorë, ministra e burrështetas anekënd Evropës.

Koncepti i tij për çështjen shqiptare, që shihet edhe nga një shkresë e vitit 1898, para se të bëhej guvernator në Konja, është mjaft i ngjashëm me atë koncept që kishin paraqitur më parë Pashko Vasa dhe Sami Frashëri, sipas të cilëve shqiptarët duhet të organizoheshin e të forcoheshin nga brenda, që të përballonin rrezikun nga fqinjët agresivë ballkanikë. “Principata e Bullgarisë dhe popujt sllavë në përgjithësi, të ushqyer në shpresat e tyre nga linja e veprimit që ka përvetësuar Rusia në çështjet e Lindjes, po punojnë në mënyrë të jashtëzakonshme për të shkaktuar trazirë në Maqedoni dhe në pranverë për të arritur autonominë e Maqedonisë. (…) Këto nisma që kanë emocionuar edhe qeverinë serbe kërkojnë vëmendje dhe bëjnë të nevojshme marrjen e masave thelbësore për qeverisjen e vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit si dhe kundër synimeve bullgare, prandaj në këtë kuadër përforcoj edhe njëherë raportimet e mia lidhur me nevojën e rritjes së fuqisë aktuale dhe përmirësimin e organizimit mes shqiptarëve, si mjet kryesor për mbrojtjen e të drejtave të shenjta të Perandorisë.” (f. 106) Qoftë dhe vetëm nga ky citat i relacionit të cilin ai ia dërgon sulltan Abylhamidit II, shihet qartë se fryma e angazhimit të tij ishte e ngjashme me të rilindësve të tjerë të asaj kohe, po edhe të Austro-Hungarisë, e cila insistonte me ngulm për ruajtjen e statu quo-së. Nga ky aspekt mua më rezulton që Ferid Pasha realisht duhet të konsiderohet si pjesëtar i lëvizjes kombëtare shqiptare, si rilindës. Në të vërtetë, kjo linjë atdhetarie e Feritit e ka lidhjen edhe më të atin, me Mustafa Pashën, i cili sado që kishte shkuar me mandat sulltanor për ta dorëzuar Ulqinin, nuk e kishte kryer atë veprim, meqë e kishte përkrahur Lidhjen, për ç’gjë qe ndëshkuar me mërgim. Autori dëshmon që Mustafa pasha ka qenë i lidhur me Abdyl Frashërin, me Mehmet Bej Vrionin e Abidin bej Dinon, për ta realizuar një “Shqipëri të bashkuar”. Pra, Feriti ishte edhe në traditën e asaj përpjekje në të cilin kishte qenë i inkuadruar babai i tij, si edhe kushëriri i tij, Ismail Vlora, me të cilin e bënte shpesh udhëtimin me vapor për në lagjen ku banonte. Në tërë atë ngatërresë dyshimesh e intrigash politike në portën e Lartë dhe në Pallat, Ferit Pashë Vlora, shpërfaqet si një strateg, që u ikën kurtheve që ia ngrenë kundërshtarët e fuqishëm. Fjala vjen, në një rast ai kundërshton lidhjen e një rroge për Ismail Qemal Vlorën, pas refuzimit të tij që të shkonte ambasador në Teheran dhe jep vlerësime negative për figurën e tij. Por, në prapaskenë ka elementë që dëshmojnë për bashkëpunimin e tyre për çështjen shqiptare!

Kirmizi sjellë dëshmi për angazhimin më direkt të Ferit Pashës Vlorës në çështjen shqiptare, pas largimit nga posti i ministrit të brendshëm në vitin 1909: “Pasi e la detyrën e ministrit, Ferit Pasha nisi të merrte përgjegjësi brenda iniciativash civile lidhur me kryengritjet në Shqipëri, që  morën sërish hov. Për shembull, në fund të nëntorit shtetarët osmanë me origjinë shqiptare u mblodhën nën kryesinë e Ferit Pashës në konakun e Reshid Akif Pashës për të rrahur mendime se si mund të kishin sukses masat e marra nga qeveria. (..) U mblodhën para për ndërtimin e shkollave dhe emrat e dhuruesve u shkruan në listën e komisionit të arsimit. Pjesëmarrësit e dhanë besën se do të mblidhen çdo javë për të mirën e atdheut.” (470-471) Feriti edhe në Parlamentin Osman, në vitin 1909, do të deklaronte: “Edhe unë e them me krenari të plotë se jam shqiptar”. Nga i gjithë konteksti i biografisë së tij politike rezulton se edhe lidhjet e tij të shumta me Evropën (djemtë i shkolloi në Zvicër) ishin të motivuara edhe nga preokupimi që kishte për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në fakt, edhe shumë nga gazetarët e diplomatët e cilësonin atë si politikan evropian. Po ashtu lidhjet e tij të forta me Gjermaninë dhe me Austro- Hungarinë nuk mund të shihen jashtë faktit që ato shtete kishin një qëndrim më miqësor edhe ndaj shqiptarëve në atë periudhë. Fjala vjen, qëndrimi i Vjenës se duhej të ruhej statu quo-ja, ishte interes strategjik edhe i shqiptarëve, që të mos i ekspozoheshin rrezikut gllabërues nga shtete ballkanike, gjë që fatalisht ndodhi në vitin 1912. Lidhur me këtë temë, mbetet absurd fakti që ata që u përpoqën ta evitonin atë zhvillim fatal, siç bëri Ferit Vlora, u injoruan nga historia, ndërsa ata që hynë në skemën e armiqve ballkanikë, e cila solli katastrofën e viteve 1912-1913, mbahen si heronj të kauzës kombëtare.

Me një fjalë, nga argumentimi që sjellë autori Abdylhamit Kirmizi, vërtet besoj që Ferit Pashë Vlorën duhet ta trajtojmë si rilindës shqiptar. Sigurisht, shkaku i funksioneve të larta shtetërore në Shtetin Osman, ai adoptoi pozicionin e një rilindësi të fshehur, por historia shqiptare do të duhej ta kishte vendosur në vendin që realisht i takon, si ndihmues i çështjes shqiptare. Pra, krahas faktit që mbetet i pakontestueshëm që në fazën finale ai nuk mori përsipër të bëhej as lideri e as anëtari i atij ekipi që proklamoi Shqipërinë e pavarur, më e pakta që mund të thuhet është  që Ferit Vlora ka kontribuar për formimin e kombit shqiptar. Pra, nëse nuk mori pjesë në aktin e proklamimit të shtetit shqiptar, Ferit Vlora mori pjesë në procesin e formimit të kombit shqiptar.

Simbolika e gjithë preokupimit dhe angazhimit të Ferit Vlorës në çështjen shqiptare ishte edhe amaneti i tij (1914) që të varrosej në vendlindjen e vet, në Vlorë. Por, simbolikë, tipike shqiptare, ka edhe në faktin që Esat Pashë Toptani nuk deshi ta lejonte të varrosej në Vlorë, ndërsa kur e lejoi, të bijve të Feritit u dha leje që të qëndronin në Vlorë vetëm tri ditë. Simbolikë të hidhur shqiptare ka edhe fakti që Enver Hoxha ia hoqi varrin nga Vlora. Simbolikë ka edhe fakti që është i përjashtuar edhe nga historia jonë kombëtare. Kirmizi ka një shpjegim lidhur me motivin e heqjes së varrit të Ferit Vlorës nga Vlora, por që mund të na shërbejë edhe për arsyen e mospërfshirjes së tij në historinë tonë kombëtare: “Por varri i Ferit Pashës do të merrte hisen e vet nga politikat e Enver Hoxhes për zhdukjen e trashëgimisë islamo-osmane në Shqipëri duke u zhdukur bashkë me elemente të tjera të ngjashme”. Me këto fjalë, ia ka vënë pikën, si thuhet.

Në të vërtetë, duke përjashtuar Ferit Vlorën nga memoria e nga historia jonë, nuk u zhduk vetëm trashëgimia islamo-osmane, po edhe një pjesë e mirëfilltë e trashëgimisë evropiane, që mishërohej në personalitetin e tij. Pse? Sepse ai ishte personalitet i përmasave evropiane, kishte lidhje zyrtare e miqësore me shumë diplomatë, ministra e mbretër të kohës. Fjala vjen, Ferit Pasha Vlora ishte dekoruar nga Papa me gradën “Grand Officier”, nga Spanja me urdhrin katolik të Izabelës, me urdhrin e Legjionit Francez nga Franca, etj. Pra, ishte një personalitet i respektuar në qarqet evropiane, për moderacionin dhe prirjet modernizuese që pati si shtetar.

Pasi të lexohet ky libër, vetvetiu shtrohet pyetja: a ka vend për Ferit Pashë Vlorën në historinë tonë kombëtare? Veçmas në kohën e globalizimit, kur figurat e tilla komplekse, me identitete të dyzuara, mund të jenë avantazh për kombet që kanë figura të tilla. Përgjigja është e lehtë: nuk ka vend për një figurë të tillë nëse mbahen skemat e deritashme dogmatike, qoftë marksiste qoftë islamofobike në studimin e historisë. Por, nëse do të aplikohen në të ardhmen paradigmat e tjera studimore, sikundër janë teoritë kulturore dhe të globalizimit, për Ferit Pashë Vlorën do të kishte një vend të spikatur në historinë tonë kombëtare.

Protagonisti i studimit “Fetit Pashë Vlora – një jetë shtet” ka kohë të mjaftueshme, që të presë me nge, madje edhe pa varrin e tij në Vlorë, derisa të hapen portat e kësaj historie. Ne kaherë jemi të vonuar. Dhe, shumë më të varfër, pa emrin e tij në kujtesë e në histori.