Fatkeqësia ante portas për Ballkanin dhe mbarë Europën

Fatkeqësia ante portas për Ballkanin dhe mbarë Europën

Pas Luftës së Dytë Botërore ka zënë fill aktualizimi i krijimit të gjykatave speciale për të hetuar dhe gjykuar krimet e luftës. Njëra ndër to ka qenë edhe Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë. Ngjashëm ka qenë edhe krijimi i një organi të specializuar për t’i gjykuar krimet e bëra në Ruandë gjatë viteve të ‘90-ta.

 

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës tashmë po merr përmasa shumë serioze. Në fillim të sulmit ushtarak rus parashikohej një afat më i shkurtër i luftës, që do të rezultonte me bisedimet për paqen dhe, si rrjedhojë, me lëshimet ukrainase në favor të Rusisë. Më e pakta që pritej ishte zmbrapsja e Ukrainës nga aspirata për integrim euro-atlantik. Megjithatë, me kalimin e dy muajve me luftime, bota u trondit me pamjet e shfaqura në medie, ku shiheshin të vrarë civilët ukrainas.

Dëshmitarët okularë që paraqiten në mediat perëndimore pohojnë se forcat ruse kanë kryer vrasje të shumta ndaj civilëve të paarmatosur. Pamjet e publikuara dëshmojnë për kufoma me duar të lidhura dhe të hedhura gjithandej. Madje, sipas deklaratave të autoriteteve ukrainase, janë gjetur edhe varreza masive me civilë të masakruar. Dukuri të tilla janë vrojtuar veçanërisht në qytetin Buça.

Përpos vrasjes së civilëve, në shumë zona të Ukrainës (si: Mariupol, Harkov etj.) po ndodh edhe një shkatërrim i madh infrastrukturor: banesat private, shkollat, spitalet, qendrat tregtare etj. vazhdojnë të jenë në shënjestrën e bombardimeve të forcave ruse. Me gjasë, zgjatja e rezistencës së ukrainasve po ndikon në egërsimin e agresionit rus.

Këto ndodhi e alarmuan faktorin ndërkombëtar. Si rrallëherë më parë, shtetet perëndimore njëzëri po kundërshtojnë atakun rus. Në muajin prill të vitit 2022, mjaft shtetarë europianë kanë shpeshtuar vizitat e tyre në Kiev, në shenjë përkrahjeje për shtetin dhe popullin ukrainas.

Presidenti amerikan Joe Biden e ka ashpërsuar fjalorin duke e cilësuar presidentin rus Vladimir Putin“kriminel lufte”. Biden-i, po ashtu, ka theksuar se Putin-i duhet të dalë para drejtësisë (https://time.com/6164265/biden-putin-war-criminal/).

Përshkallëzimi i polemikave midis shtetarëve perëndimorë dhe regjimit të Putin-it sa vjen dhe e vështirëson zgjidhjen e problemit të krijuar. Një pjesë e shteteve perëndimore veçse i kanë shpallur non grata diplomatët rusë, kanë vënë sanksione ndaj bankave ruse, kanë ngrirë pasurinë e oligarkëve rusë, kanë ndaluar investimet në Federatën Ruse, kanë furnizuar me arsenal ushtarak Ukrainën etj. Përskaj këtyre sanksioneve ndaj Rusisë, me një anë po vazhdojnë takimet midis autoriteteve ukrainase dhe atyre ruse, porse në anën tjetër lufta po vazhdon me intensitet të lartë. Rrjedhimisht, bisedimet e qëndrueshme për një paqe të mundshme prolongohen dita-ditës.

 

Gjykimi për krime të luftës

 Pas Luftës së Dytë Botërore ka zënë fill aktualizimi i krijimit të gjykatave speciale për të hetuar dhe gjykuar krimet e luftës. Njëra ndër to ka qenë edhe Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë. Ngjashëm ka qenë edhe krijimi i një organi të specializuar për t’i gjykuar krimet e bëra në Ruandë gjatë viteve të ‘90-ta.

Shikuar në situatën e sotme, aktualisht gjenden dy organe gjyqësore me karakter ndërkombëtar që mund të merren me krimet e luftës: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare.

 

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

 Kjo gjykatë ka mandat të shqyrtojë dhe të vendosë për kontestet midis shteteve. Pra, në këtë gjykatë mund të aplikojnë vetëm shtetet e njohura ndërkombëtarisht, përkatësisht vetëm shtetet anëtare të OKB-së. Gjykata mund të pranojë një çështje vetëm në rast se shtetet e përfshira në të e kanë pranuar juridiksionin e saj. Megjithatë, kjo gjykatë nuk ka kompetencë t’i ndjekë individët e akuzuar për krime lufte. Në këtë kontekst, edhe vlerësimi juridik i përpjekjes së pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë hyn në domenin e kompetencës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila paraqet organin gjyqësor të OKB-së. Duhet potencuar se Ukraina tashmë e ka paditur Rusinë për agresionin ushtarak ndaj territorit të saj për shkeljen e Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Vendimet e kësaj gjykate janë të detyrueshme.

Megjithatë, ekzekutimi i vendimit gjyqësor kushtëzohet me nxjerrjen e një vendimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo nënkupton që, hipotetikisht, nëse Gjykata vendos në disfavor të Rusisë, atëherë përgjegjësia për zbatimin e vendimit i takon Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Marrë parasysh se në këtë Këshill Rusia e rezervon të drejtën e vetos, çfarëdo vendimi që e dënon Rusinë nuk do të mund të ekzekutohet, meqë, me shumë mundësi, pritet të aktivizohet vetoja e Rusisë dhe kësisoj bllokohet çfarëdo sanksioni i OKB-së si organizatë në drejtim të saj. Ky pa dyshim do të ishte një tregues i konfigurimit të gabueshëm të OKB-së me pesë shtetet anëtare që disponojnë me të drejtën e vetos absolute.

 

Gjykata Penale Ndërkombëtare

 Duke supozuar se Rusia nuk i gjykon hëpërhë as shtetarët dhe as ushtarakët e vet, e vetmja rrugë për këtë gjë mbetet inicimi i procedurave penale nga ana e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, si instancë e pavarur dhe e paanshme, selia e së cilës gjendet në Hagë. Kjo gjykatë mund të konsiderohet edhe si pasardhëse e Gjyqit të Nurnbergut, në të cilin u gjykuan zyrtarët e lartë nazistë pas Luftës së Dytë Botërore.

Sipas Statutit të Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, që ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2002, Gjykata është kompetente të shqyrtojë rastet e një varg krimesh lufte, interalia, siç janë: kryerja e qëllimshme e sulmeve kundër popullatës civile ose civilëve, objekteve civile joushtarake; bombardimi i qyteteve, fshatrave, banesave; plagosja a vrasja e ushtarëve të paarmatosur a të dorëzuar; dëbimi i popullatës vendase; sulmet ndaj objekteve fetare, arsimore, të artit, shkencës ose qëllimeve humanitare, monumenteve historike, spitaleve dhe vendeve ku janë të mbledhur të sëmurët e të plagosurit; plaçkitjet; përdorimi i helmeve dhe i gazrave etj. (neni 8). Së këndejmi, juridiksioni i Gjykatës do të kufizohet në krimet më serioze, si: a) krimi i gjenocidit; b) krimet kundër njerëzimit; c) krimet e luftës; d) krimi i agresionit (neni 5).

Qysh në vitin 2014, kur kishte ndodhur pushtimi rus i Krimesë, Ukraina kishte vendosur ta njohë autoritetin gjyqësor të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Kësisoj, Prokuroria e kësaj gjykate e kishte pranuar lëndën për ta shqyrtuar rastin. Në vitin 2020, Prokuroria kishte gjetur elemente kriminale tek veprimet e ushtrisë ruse dhe, mbi këtë bazë, kishte vendosur të fillonte hetim për kryerësit. Ngjashëm po rrjedhin gjërat edhe gjatë luftës së vitit 2022 midis dy shteteve. Mbi dyzet shtete palë të Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare kanë adresuar kërkesë në Prokurorinë e Gjykatës që t’i fillojë procedurat hetimore për krimet e kryera në territorin e Ukrainës.

 

Mundësia e ndjekjes penale

Në rast se faktohen dyshimet e bazuara për krime lufte, atëherë Prokuroria e Gjykatës Penale Ndërkombëtare do të kërkojë nga gjykatësit që të lëshojnë fletarrestim për individët e akuzuar. Mirëpo, duhet pasur parasysh se Gjykata nuk ka forca të rendit që do ta ekzekutonin një vendim të tillë. Kështu, arrestimi i tyre mbetet në përgjegjësinë e shteteve. Në rastin konkret, situata sa vjen e ndërlikohet meqë Rusia është tërhequr që në vitin 2016 nga të qenët palë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Andaj, mbetet fare pak i besueshëm skenari që vetë Rusia do t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e kësaj lufte. Në të vërtetë, Statuti i Gjykatës i nënvizon haptas se ky Statut do të zbatohet njësoj ndaj të gjithë personave, pa asnjë dallim të bazuar në pozitën zyrtare dhe se, veçanërisht, pozita zyrtare si Kryetar i shtetit ose i qeverisë, anëtar i qeverisë ose parlamentit, përfaqësues i zgjedhur i qeverisë ose zyrtar i qeverisë, në asnjë rast nuk do ta përjashtojë një person nga përgjegjësia penale sipas këtij Statuti. Për më tepër, imunitetet ose rregullat speciale procedurale, që mund t’i jenë bashkëngjitur pozitës zyrtare të personit, sipas të drejtës kombëtare ose asaj ndërkombëtare, nuk duhet ta pengojnë Gjykatën nga ushtrimi i juridiksionit të saj mbi një person të tillë (neni 27).

Të dhënat e qarta mediale dhe pamore të krimeve që vijnë nga terreni janë paralajmëruese se Prokuroria e Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk do ta ketë të vështirë kualifikimin e veprave penale. Madje, këto dëshmi e bëjnë imediate nevojën për hetimin e krimeve dhe kryerësve të tyre.

Pas këtyre ngjarjeve pritet ngritja e padive në Gjykatën Penale Ndërkombëtare kundër të dyshuarve për krime. E për të pasur sukses, procedura gjyqësore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare është e nevojshme që të gjithë personat e paditur, përfshirë edhe personat në pozita të larta udhëheqëse, të dalin faktikisht para Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Një mundësi teorike është që të akuzuarit potencialë të shkojnë ndërkohë në një shtet të tretë dhe ai shtet t’i arrestojë dhe t’i dorëzojë ata në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Megjithëkëtë, në rendin aktual botëror, ku Rusia ka fuqinë e vetos në OKB dhe ka ndikim në shumë shtete të tjera, fatkeqësisht kjo pritmëri nuk duhet të jetë shumë e madhe.

Siç duket, zgjidhja e konfliktit dhe gjykimit të përgjegjësve vështirë se do të arrihet përmes rrugëve gjyqësore. Këtu duhet të luajë rol diplomacia dhe të synohet një marrëveshje e posaçme ndërkombëtare, përfshirë edhe krijimin e një gjykate speciale që do të merret ekskluzivisht me këtë çështje.

 

Krimet e luftës (Hannibal) ante portas

 

Unifikimi i botës demokratike në mbështetje të Ukrainës është hap i mirëseardhur. Ky standard uniteti duhet të jetë efektiv për krimet që ndodhin gjetiu, e jo vetëm kur e rrezikon truallin europian. Fjala vjen, nëse nisemi nga veprimet e Rusisë, nuk duhet mbyllur sytë e veshët para krimeve që i ka kryer Rusia në Siri gjatë dekadës së fundit. Ose, për shembull, krimet e Kinës ndaj ujgurëve. Ose masakrat e tmerrshme në Ruandë. Madje, paradoksalisht, edhe në Bosnjë-Hercegovinë gjatë viteve të ‘90-ta, reagimi i fuqive perëndimore ka qenë tejet i vonuar dhe kjo ka prodhuar pasoja të mëdha në njerëz dhe infrastrukturë. Fatmirësisht, në rastin e luftës së Kosovës ndërhyrja ishte më e shpejtë dhe më efektive, por prapëseprapë me dëme dhe plagë të mëdha.

Bashkimi Europian (BE) dhe NATO nuk e kanë luksin që të merren me dënime verbale, as me fashitjen e plagëve të shkaktuara dhe as me ndërhyrjet e kushtueshme, por të vonuara. Hartimi i strategjive të mirëfillta integruese duhet të përcillet me masat parandaluese për shpërthimin e vatrave të luftës. Rasti i Ukrainës është mjaft indikativ në këtë drejtim. Gjersa diskutohej gjerë e gjatë për procedurat integruese të këtij vendi në BE dhe NATO, Rusia e shfrytëzoi zvarritjen procedurale. Pasi ia tregoi dhëmbët Ukrainës, paralajmëroi (lexo: kërcënoi) Finlandën dhe Suedinë për mosinkuadrim në NATO.

Në anën tjetër, armatosja e vazhdueshme e Serbisë ngjallë dyshime për qëllimet e saj, të cilat në të kaluarën nuk kanë qenë paqësore e as miqësore me fqinjët përreth. E njëjta Serbi nuk po arrin të gjejë kurajën për të kundërshtuar esencialisht sulmin rus në Ukrainë. Për të vijuar absurdi në gjithë këtë situatë, BE-ja po e favorizon Serbinë karshi Kosovës në procesin integrues. Kosova ishte e viktimizuar në luftë dikur, sot është pa armatim të rëndë, me regjim të vizave, me krizë ekonomike dhe me shpresën e vetme se kufijtë i ruan KFOR-i.

BE dhe NATO duhet ta bëjnë publik qëndrimin e tyre për lëvizjet në Ballkan, sidomos tash kur krimet e luftës u ringjallën “ante portas” të Europës. Kjo është jetike për paqen dhe sigurinë e Ballkanit dhe, gjithsesi, Europës.