Fati i shqiptarëve nëse rrjedhat historike do të ishin ndryshe

Fati i shqiptarëve nëse rrjedhat historike do të ishin ndryshe

Nëse Lidhja e Prizrenit do të arrinte të krijonte shtetin shqiptar, kryeqytet i këtij shteti do të ishte Prizreni. Suksesi i Lidhjes së Prizrenit do të mund të ndodhte vetëm nëse në Angli do të dominonte pikëpamja e ambasadorit anglez në Stamboll, Lordit Goschen, i cili mendonte se një Shqipëri nga Mitrovica në Selanik do të ishte interes strategjik anglez. Variant tjetër suksesi do të ishte nëse do të funksiononte marrëveshja e 23 marsit 1878 mes ministrave të Jashtëm të Austro-Hungarisë dhe Rusisë për krijimin e Shqipërisë me kryeqytet Selanikun.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Sikur Lidhja e Prizrenit (1878) të kishte sukses!

Nëse Lidhja e Prizrenit do të arrinte të krijonte shtetin shqiptar, kryeqytet i këtij shteti do të ishte Prizreni. Suksesi i Lidhjes së Prizrenit do të mund të ndodhte vetëm nëse në Angli do të dominonte pikëpamja e ambasadorit anglez në Stamboll, Lordit Goschen, i cili mendonte se një Shqipëri nga Mitrovica në Selanik do të ishte interes strategjik anglez. Variant tjetër suksesi do të ishte nëse do të funksiononte marrëveshja e 23 marsit 1878 mes ministrave të Jashtëm të Austro-Hungarisë dhe Rusisë për krijimin e Shqipërisë me kryeqytet Selanikun. Natyrisht, të dyja këto fuqi botërore ishin të interesuara për ta dobësuar Perandorinë Osmane dhe shkëputja e Shqipërisë prej saj do të ishte një grusht i madh për Perandorinë Osmane. Mundësi tjetër suksesi për Lidhjen e Prizrenit mund të ishte triumfi i ushtrisë së saj ndaj Dervish Pashës dhe vendimi i Sulltan Abdyl Hamitit II për t’ia dhënë autonominë Shqipërisë. Sigurisht kjo autonomi do të zhvillohej për nja 30 vjet dhe Shqipëria do ta shpallte pavarësinë më 1908, atëherë kur e shpalli edhe Bullgaria.
Një Shqipëri e tillë do të ishte para së gjithash nën kujdesin anglez, Austro-Hungaria e Italia do të garonin për ndikim në një Shqipëri të tillë, Bullgaria do të ishte rivali më i madh i kësaj Shqipërie, për shkak të synimeve ndaj Ohrit e Selanikut, ndërsa Serbia e Greqia nuk do të mbeteshin gjë prapa.
Shumë e gjasshme që një princ do të dërgohej nga Europa në çdo variant, pasi që kandidati potencial vendor, Ymer Prizreni, nuk kishte pasardhës mashkull. Shumë me pikëpyetje do të ishte nëse shqiptarët do të bënin ndonjë fushatë pastrimi etnik të territorit të tyre, ashtu siç bënë të gjitha kombet ballkanike ose siç nuk e bënë shqiptarët as pas vitit 1912 kur e krijuan shtetin e tyre kombëtar.

Sikur të dështonte grushtshteti ndaj Sulltan Abdylhamitit II (1876-1909)!

Sikur Esad Pashë Toptani dhe oficerët e tjerë xhonturq të dështonin në rrëzimin e Sulltan Abdylhamitit nga froni, nuk do të ndodhte Aleanca Ballkanike mes Serbisë e Greqisë me Bullgarinë e Malin e Zi. Abdylhamiti ishte mjeshtër i intrigave dhe politikës së jashtme. Ai arrinte t’i vinte në lojë edhe Fuqitë e Mëdha e lëre më të ziente armiqësi mes Greqisë e Bullgarisë, mes Bullgarisë e Serbisë dhe mes Serbisë e Malit të Zi. Ai i bënte pikë e pesë gjithë ata nga të cilët rrezikohej Perandoria Osmane. U deshën tri vite pas rrëzimit të tij nga froni me grusht shteti që Greqia, Bullgaria, Serbia e Mali i Zi të lidhnin aleancë politike e ushtarake për ta sulmuar Perandorinë Osmane, përkatësisht për t’i copëtuar tokat shqiptare. Sikur Sulltan Abdylhamiti II të mos rrëzohej nga froni, duhet të ketë qenë e pamundur lidhja e aleancës mes shteteve ballkanike. Rrjedhimisht, as pavarësia e Shqipërisë nuk do të shpallej më 1912, por shqiptarët do të kishin më shumë kohë që ta forconin idenë kombëtare dhe do të ishin më të pjekur kombëtarisht në momentin që do të njiheshin si komb.
Se kur do të shpallej pavarësia e Shqipërisë, në këtë rast, kjo është e vështirë të parashikohej, pasi do të ishte pikëpyetje e madhe edhe kur do të shpërthente Lufta I Botërore. Lufta I Botërore nisi nga sherri i Serbisë për aspiratën e zgjerimit të saj drejt Bosnjës. Natyrisht, oreksi i Serbisë drejt territoreve boshnjake u zgjua pas suksesit të saj në zaptimin e territoreve etnike shqiptare e bullgare (Sanxhaku, Kosova e Maqedonia). Sidoqoftë, lëvizja kombëtare shqiptare ka qenë në hovin e saj edhe para vitit 1909 dhe sa më shumë do të vononte shkatërrimi i Perandorisë Osmane, shqiptarët do të piqeshin më shumë kombëtarisht dhe kurdo që të dilnin në jetë si komb, do të dilnin më fuqishëm dhe më të pjekur.

Sikur të pushtohej Vlora nga grekët gjatë shpalljes së pavarësisë më 1912!

Pavarësia e Shqipërisë u shpall disa herë. Herën e parë u shpall nga Nexhip Draga më 13 tetor 1912 në Shkup. Kuvendi që e shpalli pavarësinë e Shqipërisë në Shkup, pos Nexhip Dragës, përbëhej edhe nga Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Rexhep Mitrovica, Salih Gjuka, Kemail Kumbarxhiu e Beqir Shilka. Kuvendin dhe vendimin e tij e përkrahën, në mungesë, edhe Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe Isa Boletini. Kjo shpallje e pavarësisë u zhvlerësua për shkak se ushtria serbe e pushtoi Shkupin 13 ditë më pas, me 26 tetor 1912 dhe arrestoi Nexhip Dragën, Hasan Prishtinën dhe patriotë të tjerë, të cilët i dërgoi në burgun e Kalemegdanit në Beograd.
Shpallja e pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912, funksionoi falë rrethanave ndërkombëtare, por edhe falë mbrojtjes së organizuar nga forcat osmane në krye me Eqrem Bej Vlorën. Rrethanë fatlume ishte se Serbia e Greqia nuk donin të nisnin sherrin mes vete për këtë qytet, të cilin edhe ashtu e aspironte Italia. Pra, pak rezistenca osmane, pak rrethanat e favorshme dhe shpallja e pavarësisë funksionoi.
Por çfarë do të ndodhte sikur Vlora ta përjetonte fatin e Shkupit, përkatësisht Ismail Qemal Vlora ta pësonte fatin e Nexhip Dragës? Thjesht Shqipëria nuk do të ekzistonte si shtet. Ishte shumë e rëndësishme që të funksiononte një shtet në trekëndëshin Vlorë – Tepelenë – Berat, në mënyrë që të diskutoheshin kufijtë e këtij shteti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër dhe, rrjedhimisht, të njihej ekzistenca e kombit shqiptar më 29 korrik të vitit 1913.

Sikur Luftën e Parë Botërore (1914-1918) ta fitonin Fuqite e Boshtit!

Sikur Luftën I Botërore ta fitonin Fuqitë e Boshtit, Shqipëria do të dukej ndryshe nga kjo çfarë është sot. Kosova e Çamëria lehtësisht mund të ishin pjesë e Shqipërisë, por jo edhe trevat shqiptare në Maqedoni, të cilat do të ishin brenda shtetit bullgar.
Nëse Luftën I Botërore ta fitonin Fuqitë e Antantës, por në krye të SHBA-së nuk do të ishte Presidenti Wilson, atëherë nuk do të kishte fare Shqipëri. Shqipëria do të ndahej mes Jugosllavisë, Greqisë e Italisë dhe vetëm Lufta II Botërore do të mund ta rikrijonte Shqipërinë, fillimisht si provincë italiane e më vonë si shtet i pavarur e neutral, siç ishte në kohën e pushtimit gjerman. Ndoshta represioni serb e grek do ta shtonte nivelin e patriotizmit shqiptar tek masat e gjëra, por vështirë se do të gjenin forcë kohezive shqiptarët nën tri regjime të deriatëhershme (italiane, greke e serbe). Një gjë do të ishte evidente: komunizmi nuk do të mund të gjente shtrat në trojet shqiptare, siç gjeti në Shqipërinë e Jugut. Shqipëria e Jugut, e sunduar nga grekët dhe e çliruar nga gjermanët, do ta vlerësonte më shumë lirinë. Me shumë gjasë, ky shtet i rikrijuar nga në kohën e gjermanëve do të mund të mbijetonte i pushtuar nga anglezët pas humbjes së gjermanëve. Nëse komunizmi nuk do të lëshonte rrënjë në Shqipëri, anglezët vështirë do t’ua dorëzonin këto territore serbëve e grekëve. Natyrisht, kufijtë e kësaj Shqipërie do të ishin të tjerë dhe, me gjasë, Shqipëria do të ishte më e madhe seç është sot.

Sikur të dështonte atentati ndaj Esad Pashë Toptanit (1864-1920)!

Esad Pashë Toptani ishte figura kryesore politike e Shqipërisë në vitin kur u vra (1920). Ai ishte kryetar i njërës nga qeveritë pretenduese të kohës në Shqipëri. Ishte i vetmi politikan shqiptar që u rreshtua që nga fillimi i Luftës së Parë Botërore me shtetet që do të dilnin fituese: Anglinë, Francën, Serbinë…. Rrjedhimisht, ai priste të bëhej mbret i Shqipërisë. Për këtë i kishte shkruar nga Parisi nipit të toptanëve, Ahmet Zogut: “Unë po bëhem mbret i Shqipërisë dhe meqë nuk kam djalë, pasardhës i imi do të jesh ti, nipi ynë”. Kjo letër do të ishte fatale për të, sepse nipi i Toptanëve, beu i Matit, Ahmet Zogu, tashmë 25-vjeçar dhe ministër i Brendshëm i qeverisë paralele (të dalë nga Kongres i Lushnjës) dhe de facto kryeministër i asaj qeverie, ia kishte vënë vetit synim për t’u bërë mbret. Dy nga tre rivalët që i konsideronte në këtë synim tashmë i kishte hequr qafe: Ismail Qemal Vlora (1844-1919) tashmë ishte i vdekur nga helmi në ushqim në Itali, kurse Prenk Bib Doda (1860-1919) ishte vrarë gjoja për hakmarrje. Dyshimet se prapa këtyre dy vrasjeve qëndronte Ahmet Zogu nuk u larguan kurrë. Rivali i tretë, më i rrezikshmi (Esad Pashë Toptani), tashmë ishe një hap para se të bëhej mbret i Shqipërisë, andaj që Zogu ta arrinte qëllimin e tij i duhej ta priste vdekjen e tij. Por, nuk iu prit aq gjatë. Gjeti mikun e tij të përbashkët me Avni Rrustemin, ia dha atij 4000 franga franceze dhe disa mijëra lireta italiane që t’ia jepte Avni Rrustemit dhe ky e vrau në mes të Parisit.
Qeveria franceze, deri atëherë përkrahëse e Esad Pashë Toptanit, u detyrua ta pranonte faktin e kryer: në vend se ta shpallte qeverinë e re në Tiranë një qeveri terroriste, e pranoi atë dhe e liroi nga burgu Avni Rrustemin. Sigurisht, që Franca do të ndiqte interesat e saj kombëtare para se t’i respektonte ligjet dhe drejtësinë. Po sikur mjekët të arrinin t’ia shpëtonin jetën Esad Pashë Toptanit? Atëherë Qeveria Franceze do ta shpallte qeverinë e Tiranës (dalë nga Kongresi i Lushnjës) një qeveri terroriste dhe qëndrimin e Francës do ta ndiqnin edhe qeveritë e tjera të mëdha. Esad Pashë Toptani do të ishte mbret i Shqipërisë, ndërsa Zogu do të duhej të priste vdekjen e Esadit. Politika e tij do të ishte e ndryshme nga ajo që ndoqi mbreti Zog më pas. Për dallim nga Zogu, që u mbështet tek italianët, Esad Pashë Toptani do të mbështetej tek serbët, përkatësisht në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene.