Familja është një, s’ka tjetër

Familja është një, s’ka tjetër

Pretendimet që përpiqen t’i justifikojnë përpjekjet për legjitimimin  me ligj të ndryshimit të gjinisë dhe martesave të homoseksualëve edhe në trevat shqiptare dhe më gjerë në Ballkan, me keqpërdorimin e postulatit “liritë dhe të drejtat e njeriut”, jo vetëm që nuk janë të drejta, por edhe e shkelin lirinë e të drejtave të asaj shumice absolute që dëshiron ta ruajë familjen si thesar të shenjtë për ekzistencën dhe harmoninë e shoqërisë. Kështu, çdo përpjekje dhe vendim për t’i përligjur ato është diskriminues dhe vepër e ligë me karakter antifamilje.

Shkruan: Arben LABËNISHTI, Strugë

Të ndjehesh krenar për veprime të panatyrshme, të cilat sigurisht që nuk kanë sjellë dhe as pritet të sjellin ndonjë gjë të mirë, por, përkundrazi, i dëmtojnë vetë realizuesit e tyre dhe shoqërinë, është absurde. Kur nuk mjaftohesh me kaq, por proteston me mendimin se je i diskriminuar dhe i margjinalizuar, dhe kështu përpiqesh të imponohesh për t’i sanksionuar me ligj teket e veset të panatyrshme, absurdja merr kuptim tragjik.

Devijimet e shumta sociale, të njohura për të këqijat dhe tronditjen e thellë që i kanë shkaktuar familjes dhe harmonisë së shoqërisë, na janë bërë të përditshme. Por, vitet e fundit, për ta bërë të keqen më të kompletuar dhe më agresive në shkatërrim, edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, grupi LGBT, duke marrë krahë dhe forcë nga mbrojtësit e tyre në mesin e politikanëve, diplomatëve, artistëve, gazetarëve etj., e kanë sulmuar familjen në bërthamën e saj, e cila i jep kuptimin, vlerën e pazëvendësueshme dhe identitetin.

Kjo frymë, me vullnetin e mbrapshtë dhe synimin për t’i bërë norma juridike kushtetuese ose ligjore të panatyrshmet, siç është mundësia e ndryshimit të gjinisë biologjike në regjistrat e gjendjes civile (librat amzë), martesat e gjinisë së njëjtë dhe adoptimin e fëmijëve nga çiftet e gjinisë së njëjtë, e minon shoqërinë njerëzore në celulën ndërtimore dhe funksionale të saj, pikërisht te familja.

Me cenimin e familjes, natyrshëm krijohet shqetësim, i cili me të drejtë meriton vëmendje të veçantë.

Familja është e shenjtë

Me vullnetin e Zotit, familja është krijuese vlerash dhe ka integritet të shenjtë. Ajo, me funksionin biologjik, është baza e jetës njerëzore me vlerë ekzistenciale për shoqërinë. Por, disa njerëz, e kanë humbur aftësinë ose nuk duan ta kuptojnë të vërtetën e strukturës së familjes dhe funksionet e saj, të cilat përmbushen nëpërmjet kësaj strukture. Familja, me riprodhimin (lexo: trashëgiminë), si funksion thelbësor të realizuar nëpërmjet mashkullit (spermatozoidit) dhe femrës (vezores), që është “vendmbjellje” e njeriut, e shpërfaq dimensionin e saj hyjnor. Dhe, hyjnorja – ngjizja dhe vazhdimësia e jetës së njeriut – e shpalos realitetin absolut, fuqinë absolute të Zotit.

Në morinë e argumenteve të shumta, i mjaftueshëm është vetëm ky fakt me domethënie kuptimplote,  për ta vërtetuar se nuk mund të jetë e as të quhet familje një çift homoseksualësh, i lidhur mbi një sjellje katërcipërisht të panatyrshme, e cila është në antagonizëm ekstrem me funksionet e saj.

Familja është gjeneza e njerëzimit, është zanafilla e shoqërisë, e cila me natyrshmërinë e saj brez pas brezi na ka sjellë deri në ditët e sotme…

Çifti homoseksual s’ka asnjë pikëpjekje me familjen

Deri tani askush nuk ka sjellë as edhe një fakt me përmbajtje kuptimplote, si argument bindës që i jep lidhjes homoseksuale së paku një funksion thelbësor biologjik dhe social që e karakterizon familjen. Kjo, është e kuptueshme, s’ka se si të sjellin, sepse nuk ka.

Familja, me funksionet e saj, në raport me çiftin homoseksual me substancë pasioni seksual të çrregulluar dhe pa një funksion esencial të familjes, janë të pamatshme me njëra-tjetrën.

Një bashkim homoseksualësh jo vetëm se e ka të pamundur riprodhimin, por nuk arrin t’i ofrojë fëmijës (së adoptuar) as çerdhen e ngrohtë dhe dashurinë për t’u trajtuar emocionalisht drejt dhe shëndetshëm, sepse fëmija ka nevojë për nënën dhe babanë, që në këtë lidhje nuk i ka. Në familje, me marrëdhëniet bashkëshort (burrë) dhe bashkëshorte (grua), nënë dhe fëmijë, baba dhe fëmijë, fëmijë dhe fëmijë, si dhe të gjithëve së bashku, shprehen edhe trajtohen emocionet e fëmijës(ve). Ky funksion është me rëndësi e domethënie të veçantë për harmoninë brenda dhe jashtë familjes.

Te këto vlera mbrujtje jete dhe harmonie nuk ka asnjë pikëpjekje mes familjes ku vetë struktura e saj i mundëson ato,dhe lidhjes homoseksuale, së cilës si rezultat i mosbashkimit të përputhshëm,që është në papajtueshmëri me të natyrshmen, i mungon struktura që do t’i mundësonte realizimin e tyre. Homoseksualët mund të jenë një çift jobashkëshortor – si dy persona të të njëjtës gjini, por s’janë palë – mashkull e femër, që është domosdoshmëri për t’i përmbushur funksionet e familjes.

Largësia e kahjeve të mospikëpjekjes së familjes dhe lidhjes homoseksuale, në përmbajtjen e disa funksioneve të familjes, në masë të madhe është e krahasueshme me atë të një bime, e cila e dimë se natyrshëm jep fruta, shumohet, realizon fotosintezën, etj., me një material plastik me formë e pamje që përpiqet ta imitojë atë bimë, por që nuk na sjellë asgjë nga ajo që i përket asaj, pos se një ditë, me formën e bimës a një pamje tjetër, do ta ndotë ambientin jetësor. Kështu, bima natyrale, është e vërteta që manifeston vlera, ndërsa bima plastike është një material në formën e bimës, që nuk manifeston asnjë funksion themelor të saj, madje as atë estetik.

Mund të thuhet se në shoqëritë me ideologji liberale njihet familja e natyrshme dhe një surrogat i familjes, të cilat i shpërfaqin vetitë e tyre dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet dhe zhvillimin e shoqërisë, njëra të drejtë dhe tjetra të dëmshëm.

Nga „çrregullimet e pasionit seksual“ deri te „familja“

Udhëtimi i homoseksualëve për të arritur deri te tjetërsimi juridik i definicionit të familjes karakterizohet nga disa momente të cilat janë të dëmshme për shoqërinë, por të përshtatshme si parakushte për realizimin e qëllimit të tyre, si:

  1. Krijimi i një mjedisi „shkencor“ për ta shkëputur homoseksualitetin nga etika dhe morali.

Homoseksualiteti, fillimisht, nga mjekësia u klasifikua si “çrregullim i pasionit seksual” dhe homoseksualët trajtoheshin si pacientë. Me kalimin e kohës, u rritën tendencat për ta quajtur dhe trajtuar atë si sjellje “të natyrshme”. Ishte seksologu Havelock Ellis, i cili me arsyetimin e pranisë së homoseksualitetit te shumë kafshë e konsideroi atë si sjellje e instinkt të natyrshëm. Më pas vazhdoi të përhapet qëndrimi se homoseksualiteti është më shumë një „shmangie nga norma e gjithëpranuar” sesa shprehje e „kushtëzuar nga dëshira perverse e individit“. Dhe, së fundmi, arsyetimit të tyre për natyrshmërinë e kësaj sjelljeje seksuale ia shtojnë edhe qëndrimin e bazuar në studime të cilat pretendojnë se është një profil i caktuar gjenetik që e përcakton sjelljen hetero ose homoseksuale.

Në ditët e sotme, në mjedisin shkencor, më shumë besohet se homoseksualiteti është rezultat i “një ndërthurjeje mes faktorëve gjenetikë, biologjikë dhe kulturorë”

  1. Rritja e numrit të homoseksualëve me pushtet.

Në ditët e sotme ka informacione të bollshme për ta kuptuar se në mesin e njerëzve të politikës, të diplomacisë, të artit, të fushës së mediumeve, të biznesit etj., ka homoseksualë të cilët kanë ndikim të madh në krijimin e opinionit dhe në vendimmarrje të rëndësishme në marrëdhëniet dhe organizimin e shoqërisë.

  1. Krijimi i një etike edhe morali të bazuar në ideologjinë liberale.

Të gjithë po prekemi dhe ndotemi nga tjetërsimi dhe zëvendësimi i etikës dhe moralit të trashëguar a konservator, si vlera të trashëguara dhe provuara me shekuj, me një „etikë“ dhe „moral“ që buron nga vullneti dhe pasioni i shfrenuar që ngrihet dhe arsyetohet me ideologjinë e mendimit filozofik liberal se në themel të shoqërisë qëndron “individi i lirë dhe racional”. Nga ky gur themeltar i ideologjisë së tyre rrjedh edhe ideja e zhveshjes së aktit (kënaqësisë) seksual nga morali, sipas së cilës te akti seksual nuk duhet të ketë asgjë te palejuar, sepse ai është i natyrshëm. Për këtë G. Scruton shprehet: “Akti seksual, i shkëputur nga kushtet rrethanore, nuk është as i drejtë as i gabuar, por thjesht i natyrshëm”. Te kjo kulturë e ka pikënisjen, mbështetjen dhe sanksionimin ligjor edhe panatyrshmëria për mundësinë e ndryshimit të gjinisë biologjike, e martesave të çiftit homoseksual dhe e adoptimit të fëmijëve nga këto çifte.

Në ditët e sotme po përjetojmë me dhimbje zgjerimin edhe më shumë të hapësirës dhe sundimit të kësaj kulture.

  1. Lëkundja e disa kishave të krishtera nga vlerat morale biblike.

Ishte viti 1993, kur Peshkopi i Katedrales St. James në Toronto mendonte se ishte koha që Kisha e tij “t’i miratojë disa forma të shërbesave ose ritualeve për t’i bekuar martesat edhe të çifteve të së njëjtës gjini”. Jo vetëm kaq, por në ditët e sotme gjen edhe klerik homoseksual.

  1. 5. Efikasiteti i shfrytëzimit të postulatit „liritë dhe të drejtat e njeriut“ si instrument manipulues.

Pa dashur të them se ky postulat është shpikje me qëllim manipulimi për të realizuar synime të cilat nuk mundet të argumentohen dhe realizohen me fakte për të vërtetën, nuk gaboj kur them se ai shfrytëzohet edhe si instrument për të “arsyetuar” dhe realizuar vepra të padrejta.

 

Nuk e përjashtoj mundësinë e ndikimit edhe të faktorëve të tjerë, por ngjarjet e sipërshënuara, sigurisht jo të drejta, janë çengelet ku e kanë varur dhe tentojnë ta mbajnë panatyrshmërinë e të ashtuquajturës familje të lidhjes së homoseksualëve vetë homoseksualët dhe mbështetësit e tyre.

Sanksionimi juridik i të panatyrshmes është i padrejtë dhe e shkelë lirinë e të tjerëve

Trashëgimia për familjen, e provuar me shekuj, e cila e ka ruajtur vazhdimësinë nga çifti në çift deri në ditët e sotme, na mëson dhe edukon për kuptimin dhe vazhdimin e pandërprerë të saj, me lidhjen e një çifti mashkull dhe femër, të cilët me vullnetin e Zotit bekohen me pasardhës.

E parë nga kjo e vërtetë, nuk është sanksionimi juridik i familjes që i jep asaj shpirtin, kuptimin dhe identitetin, por ai në këtë normë natyrshmërie e ruan atë, ndërsa legjitimimi me ligj edhe i një norme të panatyrshme si familje, ia shkel të drejtën e lirinë asaj dhe e dëmton në esencë atë dhe shoqërinë.

Në ditët e sotme, familja, nga shumë drejtime,u është ekspozuar ligësive të cilat juridikisht  kanë fituar liri shprehjeje dhe veprimi për t’u futur në hapësirën esenciale të saj. Nga njëra anë, e kemi zënien e vendit të fëmijës me qenin dhe macen, abortin, shtimin e numrit të divorceve, bashkëjetesën heteroseksuale dhe atë homoseksuale, të drejtën e adoptimit të fëmijëve nga homoseksualët që bashkëjetojnë, transgjinorët, mundësinë e ndryshimit të gjinisë biologjike në regjistrat e gjendjes civile, sanksionimin si familje edhe të lidhjeve homoseksuale, ndërsa, nga ana tjetër, thellimin e ndjesive individualiste të njeriut në dëm të ndjesisë si “qenie sociale” dhe teknologjinë e komunikimit bashkë me digjitalizimin, që në masë të madhe ka sjellë zëvendësimin e fizikes (reales) me imazhin (artificialen).

Këto ndërhyrje e kanë tronditur rëndë familjen dhe për çdo ditë edhe më shumë po i sjellin asaj dëme të pariparueshme.

Është shqetësuese që këto fenomene të dëmshme, të cilat kanë shkaktuar varfërim shpirtëror, dhe social të njeriut, familjes dhe shoqërisë, konsiderohen si vlera dhe u imponohen për t’i përqafuar edhe ata që duan t’i ruajnë normat morale të kulturës së tyre. Kështu këto ndërhyrje s’kemi si t’i quajmë ndryshe, pos si shkelje të lirive dhe të drejtave të tyre në dëm të familjes.

Në kuptimin e postulatit “liritë dhe të drejtat e njeriut”, një individ është i lirë të bëjë çfarë të dojë përderisa me veprimin që bën nuk e cenon a kufizon të drejtën e të tjerëve. Nga kjo kuptohet se, individi nuk mund të bëj çfarë të dojë, nuk mund të bëjë një veprim me të cilin do t’i cenonte të drejtat e të tjerëve.

Por, nëpërmjet instrumentalizimit të këtij postulati po spekulohet dhe bëhet shkelje e raportit të harmonisë mes lirisë dhe të drejtës së individit dhe të të tjerëve. Me një çështje që nuk është e drejtë, por nuk i cenon liritë e të tjerëve, pasi nuk është normë kushtetuese ose ligjore, nuk do të merreshim, por sigurisht do të thoshim se është e padrejtë. Por, kur një të padrejte i sanksionohet liria me ligj dhe bëhet detyrim për ta përmbushur, zbatuar ose respektuar si të tillë edhe të tjerët, ajo e shkel lirinë e të drejtës së tjetrit. E parë nga kjo perspektivë, homoseksualët janë të lirë të bëjnë atë që duan, por pa i dëmtuar të tjerët. Ata nuk kanë të drejtë t’ia shkelin hapësirën dhe shpirtin familjes, me të cilën e dëmtojnë atë që në këtë rast nuk u përket, në kuptimin e natyrshmërisë dhe vlerave që sjellë ajo për shoqërinë.

Kështu, pretendimet që përpiqen t’i justifikojnë përpjekjet për legjitimimin  me ligj të ndryshimit të gjinisë dhe martesave të homoseksualëve edhe në trevat shqiptare dhe më gjerë në Ballkan, me keqpërdorimin e postulatit “liritë dhe të drejtat e njeriut”, jo vetëm që nuk janë të drejta, por edhe e shkelin lirinë e të drejtave të asaj shumice absolute që dëshiron ta ruajë familjen si thesar të shenjtë për ekzistencën dhe harmoninë e shoqërisë. Kështu, çdo përpjekje dhe vendim për t’i përligjur ato është diskriminues dhe vepër e ligë me karakter antifamilje.

Keqpërdorimi i postulatit “liritë dhe të drejtat e njeriut” i cili është shndërruar në pararojë dhe mekanizëm që ia hapë rrugën instalimit të të panatyrshmeve, mospërfillja e argumenteve që sjellin mbrojtësit e familjes dhe rënia pre e agjitacionit e joshjes nga kultura liberale e jo pak shqiptarëve, janë tregues se kriza e shoqërisë sonë po merr tipare që e shpien drejt përkryerjes së saj.

Kur jemi te homoseksualët, e kundërshtoj etiketimin dhe identifikimin në përditshmërinë e tyre  sipas prirjes seksuale. Ata, pa asnjë dallim nga të tjerët, e kanë të drejtën të jetojnë, të punojnë dhe ta organizojnë jetën tyre ashtu si duan, por pa i cenuar të tjerët. Ndërkaq, sa i përket vesit të tyre, ata duhet të trajtohen dhe ndihmohen nga shoqëria dhe institucionet si të gjithë ata që kanë dhe manifestojnë çrregullime, vese e devijime, që i dëmtojnë atë vetë, familjen dhe shoqërinë. Sigurisht me metoda dhe mënyra të përshtatshme për këtë lloj vesi.

Të punosh për përparimin, duke e ruajtur familjen dhe harmoninë e shoqërisë

Strukturën dhe funksionet e familjes së provuar në udhëtimin e shoqërisë njerëzore i dëshmon edhe shkenca. Të mos harrojmë se para pak kohësh kjo ishte familja e vetme e pranuar dhe e sanksionuar juridikisht edhe në shoqëritë (shtetet) perëndimore laike dhe shekullare me sistem liberal demokrat.

Nëse e shohim me kujdes, familja tradicionale a konservatore, si rezultat i përfshirjes së gruas në punë dhe me zhvillimin e teknologjisë, ka pësuar ndryshim. Pjesa më e madhe e konservatorëve – ku e përfshi edhe veten dhe familjen time – jo vetëm se e kemi pranuar këtë ndryshim, por edhe kemi kontribuar për ndryshimin. Sigurisht, me kujdesin për ta ruajtur një kornizë  brenda së cilës ruhet familja e shëndetshme, sepse jemi të bindur se rolin dhe detyrat e nënës (gruas) në përmbushjen e funksioneve të saj brenda familjes nuk mund t’i zëvendësojë askush. Vlerat që bart nëna në familje janë të pakrahasueshme dhe atyre nuk u afrohet fare vlera e bërjes së një pune dhe karriere me natyrë dhe marrje kohe që do t’i dëmtonte funksionet e saj në familje.

Viteve të fundit, edhe në trevat shqiptare ky raport po ndryshon në dëm të detyrave të nënës (gruas) brenda familjes. Rezultat i këtij ndryshimi është rritja e numrit të divorceve, nataliteti i ulët, rritja e aborteve, prishja e harmonisë në familje, traumat emocionale të fëmijëve etj., me të cilët edhe shoqëria jonë përballet për çdo ditë.

Janë të shumtë ata që kanë rënë pre dhe janë pushtuar nga agjitacioni dhe prurjet e ideve liberalet, si rrjedhojë e të cilave, me verbësi flakin, refuzojnë dhe kualifikojnë si anakronike gjithçka që vjen nga kultura e trashëguar, e cila shpesh është një natyrshmëri e lidhur harmonishëm mes fetares dhe nacionales. Ata nuk e kuptojnë se konservatorët nuk janë “ata që duan ta kthejnë kohën pas”, as janë kundër përparimit, por e duan dhe punojnë për përparimin dhe përjetimin e kësaj bote, duke e ruajtur thelbësoren me moralin me burim hyjnor, të harmonizuara natyrshëm me tokësoren për familjen, kombin, fenë, shëndetin e harmoninë e shoqërisë etj.

Ndërsa liberalët, me idenë e maksimalizimit të gjithçkaje, të njohjes si të natyrshme edhe të së panatyrshmes dhe vetëpërmbushjes tokësore, janë shkëputur dhe e mohojnë Zotin, madje ata ideologjinë e tyre të bazuara te “individi i lirë dhe racional”, që është ideali i jetës së tyre,e kanë shndërruar në një “religjion” jo metafizik (civil),me të cilin duke ecur përpara në kohë, sjellin shthurje dhe kaos të individit, familjes, kombit dhe shoqërisë.

E domosdoshme për të mos gabuar

E mira dhe e keqja janë të dukshme dhe të prekshme, por vetëm ata që s’kanë zemër të verbuar dhe janë të zotët e mendjes i kuptojnë dhe e bëjnë zgjedhjen e duhur. E keqja më e madhe, me të cilën po përballemi është padrejtësia që ka zënë vend sa me imponimin, kushtëzimin, trysninë dhe tundimin me të keqen, e cila e ka cenuar dhe po e tjetërson moralin e shoqërisë sonë të trashëguar brez pas brezi, po aq edhe me shpërfilljen e lirisë dhe të drejtës të atyre që natyrshëm i duan dhe përpiqen t’i ruajnë në harmoni me përparimin e udhëtimit në kohë normat morale të përcaktuara dhe të trashëguara me shekuj, ku futen edhe ato për familjen.

Kur propozimet e panatyrshme vijnë në ballë me flamurin e BE-së dhe janë qëllime të rëndësishme të saj, ky union të provokon shije të hidhur dhe bëhet i largët po aq sa është familja e largët me surrogatin e saj të liberalizmit.

Vlerën që e ka familja për vazhdimësinë e jetës dhe të harmonisë së njeriut, të kombit dhe të shoqërisë, është e domosdoshme ta kuptojmë dhe ruajmë ashtu si është në thellësinë e të vërtetës së vet,natyrshmëri e pazëvendësueshme në kuptimin biologjik dhe atë kulturoro-edukativ të saj.

Në të kundërtën, e keqja do të marrë përmasa tragjike!