Fajin që po izolohemi nga Europa e kemi vet

Fajin që po izolohemi nga Europa e kemi vet

Të shfletojmë vetëm titujt e fundit të mediave për ngjarjet e fundit në Ballkan: “Mali i Zi dhe Serbia dëbojnë ambasadorët e njëri-tjetrit”; Abazoviq: Serbia ndërhyni në zgjedhjet e Malit të Zi”; “NATO rritë patrullimet, ashtu si rriten tensionet Kosovë-Serbi”; “Rriten tensionet në kufirin e Serbisë”; “Serbia dhe Kosova vazhdojnë konfliktin”; “A po përgatitet Serbia të aneksojë Veriun e Kosovës” “Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nisin bisedimet për mosmarrëveshjet historike”; “Bullgaria bllokon bisedimet e anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut”…

Shkruan: Xhenis SULIMANI, Shkup

Ballkanasit sot Europën e shikojnë si shpëtim. Shpëtim ka qenë Europa për ballkanasit në forma të ndryshme, historikisht, qoftë politikisht duke i shuar vatrat e zjarrit dhe nyjat ballkanike, qoftë me fonde – financiarisht apo duke ua hapur dyert fuqisë punëtore nga këto anë. “Gjaku dhe mjalti” ballkanas gjithmonë ka qenë i lirë, por i pamjaftueshëm për t’u shëruar këto krahina, që janë ende larg për të hyrë në kategorinë e “shtetit”. Një nga përkufizimet e Aristotelit, me gjasë mund të gjejmë argumentin pse ende jemi larg të krijojmë shtete (të shëndosha)- në kuptimin e plotë të fjalës.

“Të gjithë duhet të kenë virtytin e qytetarit të mirë- kështu dhe vetëm kështu shteti mund të jetë i përkryer, por ata nuk do ta zotërojnë virtytin e njeriut të mirë nëse nuk supozojmë se në shtetin e mirë të gjithë qytetarët duhet të jenë të mirë”, shkruan në librin e tij “Politika”, Aristoteli. Pse e vë theksin mbi këtë përkufizim? Dua ta shtroj çështjen sa ne jemi të mirë, për të ardhur te përgjigjja e pyetjes se pse është Europa larg nesh.

Pse është bërë Ballkani (ishte dhe vazhdon) “pika e sëmurë e Europës”? Nuk jemi mirë? Nuk jemi të mirë? Nuk e kemi virtytin e qytetarit të mirë për të bërë shtetin? Pse ballkanasi nuk mund të ulet në një tavolinë dhe për hir të progresit ekonomik të avancojë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore? Pse e ndalojnë hatërmbetjet etnike, fetare e territoriale që kanë të kaluar historike të determinojnë të ardhmen dhe ta ndërprejnë rrugëtimin eurointegrues?

Unë jam i bindur se moszgjidhja e çështjeve të mësipërme janë faktori që ne po izolohemi, si rajon. Do të thotë, fillimisht janë të karakterit njerëzor – mendësisë politike – karakterit politikëbërës dhe shtetëror e pastaj mangësisë dhe paaftësisë për politika rajonale dhe gjeopolitike.

Të shfletojmë vetëm titujt e fundit të mediave për ngjarjet e fundit në Ballkan: “Mali i Zi dhe Serbia dëbojnë ambasadorët e njëri-tjetrit”; Abazoviq: Serbia ndërhyni në zgjedhjet e Malit të Zi”; “NATO rritë patrullimet, ashtu si rriten tensionet Kosovë-Serbi”; “Rriten tensionet në kufirin e Serbisë”; “Serbia dhe Kosova vazhdojnë konfliktin”; “A po përgatitet Serbia të aneksojë Veriun e Kosovës” “Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nisin bisedimet për mosmarrëveshjet historike”; “Bullgaria bllokon bisedimet e anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut”…

Tema të ngjashme nuk janë vetëm sfida administrative të BE-së dhe vendeve europiane, por edhe kokëdhembje për të njëjtit. Raporti me BE-në nuk është romancë që mossuksesi i aderimit të vendeve të Ballkanit të satirizohet me çështje dashurie të pasuksesshme, siç bëhet nga disa liderë ballkanas. Fundja as dashuritë nuk lidhen për t’ia zgjidhur problemet e partnerit, as që nisim martesë me persona që kanë problem. E problemet e theksuara më sipër që mbushin faqet e informacionit dhe mediat europiane, nuk janë argumente për të bindur opinionin europian se ballkanasi është mjaftueshëm i mirë për të marrë statusin “qytetar europian”.

A është e pafuqishme Europa sa është Ballkani i papërgatitur? Është pyetje dytësore kjo, mendoj unë, për faktin se duhet krijuar së pari Europën në shtëpi. Meqë pushteti absolut absolutisht korrupton, politikanët ballkanas duhet më shumë të fokusohen në demokratizimin e mendësisë fillimisht, e pastaj të institucioneve. Është normale synimi i pushtetit nga politikanët, por është jo demokratike që pozitat politike të shihen si të përhershëm, ndërsa vet politikanët si të pazëvendësueshëm. Një rend kushtetues në trojet e rajonit të Ballkanit ku do të kufizohej pushteti ekzekutiv, duke e ndaluar kandidimin e secilit politikan për mandatin e tretë në ekzekutiv, konsideroj se është receta adekuate për ta vënë në binarë rajonin. Në këtë mënyrë do të kapërcenim sfidën e krijimit të politikanëve autoritar dhe skajshmërisht të dhënë pas pushtetit. Dikush do të thoshte “në Europë nuk hasim në kësi lloj mekanizmi politik”, mirëpo ky nuk është argument. Ne duhet të punojmë në kultivimin e një politike të mirëfilltë, demokratike, besa edhe autoktone dhe jo e importuar nga jashtë.

Zakonisht në analiza për anëtarësime të vendeve nga Ballkani komentohen procese administrative, shpesh kritikohet procesi, politikat europiane, të BE-së dhe presidencave. Asnjëherë, askund, askush nuk e kthen gishtin ka elitat, kultura politike dhe kapacitetet njerëzore në Ballkan për t’u ulur aty ku individi është shumë më i vlefshëm sesa një mandat i nja autokrati ballkanik.

Demokracia me të arritur në Ballkan hoqi komunizmin nga sistemi, por jo nga mendësia. Autoritarizmin e zhbiu nga sistemet politike, por jo nga mendësia. Vazhdon në trevat tona të gëzojmë komunistë me petk demokrati dhe autoritarë që “dëgjojnë zërin e popullit”.

Çka mund ta transformojë Ballkanin?Frymë e re politike; liberale, e gjelbër… është shpirti që duhet ta ringjallë politikën. Për dallim nga ideologjitë tjera liberalizmi i gjelbër pretendon cilësinë e jetës në parim dhe ambientin jetësor. Hyjnë në rend dite vlera e jetës së qytetarit, mirëqenia, dinjiteti individual dhe jo çështjet e përkatësisë ideologjike, fetare a etnike të komuniteteve, që veç probleme i kanë sjellë trevave këtu.

Njerëzit me standard të lartë ekonomik dhe jetëdinjitoze janë më të prirë për dialog politik. Dialogu politik e bën arenën politike në çdo shtet më cilësor. Arena politike kualitative brenda shteteve të Ballkanit, nënkupton edhe gatishmëri dhe prirje që e njëjta të reflektohet edhe në nisma rajonale. Nismat rajonale janë pastaj dëshmi se Ballkani jo vetëm probleme por dinë të prodhon edhe politika të mira, deri në idealen – konsiderimin e BE-së si partnere dhe jo si ombrellë të sigurisë politike e ekonomike.

Është, kështu, rasti më i mirë, për t’i demantuar titujt e lartpërmendur për problemet ballkanike. Njëherazi edhe thënien e Bizmarkut dikur, e cila më kujtohet sa herë që tensionohen raportet për konflikte brendaballkanike: “Një ditë një luftë e madhe europiane do të ndodhë për shkak të ndonjë budallallëku në Ballkan!”

Summa Summarum, fryma liberale është edhe “antivirus” për kërcënimet nga vendet e treta në Ballkan.