` . Evoluimi i konceptit të sovranitetit - TV-SHENJA

Evoluimi i konceptit të sovranitetit

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Ekzistimi i një popullsie dhe i një territori bashkë është i pamjaftueshëm për të pohuar se aty ipso facto ekziston edhe shteti. Për ta ndërtuar piramidën shtetërore, lypset një autoritet që vendos rregulla e ligje dhe që e garanton rendin publik. Ky autoritet nuk duhet njëjtësuar me forcën; ai duhet të jetë legjitim dhe të ketë aftësi organizative në të gjithë lëmenjtë e jetës shtetërore – që nga gjyqësori – e deri tek shërbimet publike.

Pushteti i shtetit mbi territorin dhe popullsinë e vet dhe pavarësia e tij nga shtetet e tjera dëfton për sovranitetin e tij. Dikur sovraniteti ishte sinonim i vetë shtetit; ishte emër për forcën e shtetit dhe esenca e tij, kurse sot sovraniteti përbën vetëm njërin ndër elementet fondamentale të organizatës së quajtur shtet.

Pushteti shtetëror është autoriteti suprem ose burimi i autoritetit që i rregullon të gjitha llojet e marrëdhënieve në shoqëri. Nuk mund të ekzistojnë dy autoritete supreme në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Si rrjedhojë e kësaj, themelimi i shtetit në një bashkësi njerëzish e imponon nevojën që secili individ ta flijojë epërsinë e vullnetit të vet dhe të pranojë një pushtet suprem dhe kolektiv. Këtu ngrihet veçoria dalluese (differentiaspecifica) e organizimit shtetëror krahasuar me organizimet e tjera.

Varësisht nga modelet e shteteve shohim edhe shkallën e ndërhyrjes së dorës së shtetit në punët socio-politike. Tendencat për të ashtuquajturin shtet minimalist, në të cilin shteti fare pak përzihet në punët publike, duket se ende nuk kanë gjetur shtratin në realitetin botëror. Mjafton vetëm të paramendojmë rastet e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme, shtetrrethimit, luftërave civile ose atyre me shtete të huaja dhe do të shohim se autoriteti i shtetit mbizotëron ndaj të gjithë faktorëve të tjerë.

Teoritë mbi burimin e sovranitetit

Sovraniteti, si supremat mbi një hapësirë dhe bashkësi, ka gjetur pajtimin mes teoricienësh. Por, i diskutueshëm ka mbetur burimi i sovranitetit. Janë shfaqur disa teori mbi këtë dhe – shkurtimisht – ato klasifikohen në teori teokratike dhe në syresh demokratike.

Sipas bindjeve teokratike, gjithë pushteti e – rrjedhimisht – edhe sovraniteti buron nga Zoti (Omnispotestas a Deo). Një grup që i takon kësaj shkolle avokon se Zoti e cakton drejtpërdrejt mëkëmbësin e vet në sipërfaqe të Tokës (rasti i mbretit Louis XIV), ndërsa një pjesë tjetër mendojnë se Zoti nuk e cakton direkt mëkëmbësin sovran të tij, por jep një kah të padukshëm që njerëzit ta zgjedhin të parapëlqyerin e tij (p.sh. mendimi i Thomas Aquini-t). Siç rezulton, këto qasje janë të natyrës metafizike dhe vështirë të argumentueshme objektivisht.

Në anën tjetër, teoritë demokratike mbi burimin e sovranitetit, në vija të trasha, ndahen në teorinë e sovranitetit kombëtar dhe në atë të sovranitetin popullor.

Në frymën e teorisë së sovranitetit kombëtar, sovraniteti i takon kombit, qenies së përbërë jo vetëm nga popullata aktuale e gjallë, por nga brezat e mëparshëm dhe ata që do të vijnë më pastaj. Andaj, sovraniteti i takon gjithë kombit.

Ndërkaq, sovraniteti popullor i përshkruhet popullit, pra komunitetit shoqëror që jeton në të njëjtën kohë dhe vend, ashtu që sovraniteti i përket secilit individ veç e veç, që formon shoqërinë. Këtë pretendim, Rousseau e ilustron me shembullin e një shteti ku gjenden 10.000 qytetarë. Sipas tij, çdo qytetar zotëron një të dhjetëmijëtën pjesë të sovranitetit. Pra, kjo qasje pohon se sovraniteti ka mundësi edhe të ndahet.

Të gjitha këto pikëpamje janë të karakterit teorik dhe fare parcialisht mund të gjejnë mjedis në organizimin bashkëkohor të shtetit. Madje, siç vë re konstitucionalisti Gözler, në demokracitë moderne sovraniteti nuk i takon as kombit e as popullit, por votuesit dhe, në këtë mënyrë, në vend të “vullnetit popullor” ose “vullnetit kombëtar”, më e njëmendtë është të përdoret termi “vullneti i votuesit”.

“Shteti jam unë”

Studiuesit diskutojnë rreth burimit ideor mbi nocionin e sovranitetit se u përket shkencave politike apo juridike. Duke mos dashur ta ngarkojmë këtë trajtesë me polemika teorike, në interesimin e lexuesit është se ky nocion ka evoluar dukshëm deri në ditët e sotme.

Në shekujt mesjetarë sovraniteti ka qenë mburojë për centralizmin dhe pushtetin absolut e të pakufizuar të monarkëve. Në vendet e qeverisura në trajtë monarkike, sovraniteti është atribut për mbretin, kurse në shtetet republikane sovran konsiderohet populli. Deri vonë, ky pushtet mbi pushtetet nuk kufizohej as me të drejtën, domethënë me asnjë akt juridik, përfshirë kushtetutën.

Në Francë, kur mbreti Louis XIV thoshte “shteti jam unë” (L’etatc’estmoi), ai nuk fliste kot. Thjesht, reflektonte konceptimin e atëhershëm mbi sovranitetin; shteti ishte autoriteti më i lartë dhe ky ishte sovrani i mishëruar me të. Unifikimi i pushtetit me shtetin nuk mund të prodhonte diç tjetër, përpos një regjim absolutist.

Këtu duhet kapur një premisë interesante: Louis-i XIV nuk e njëjtëson shtetin me personalitetin e vet. Përkundrazi, veten e unifikon me autoritetin shtetëror. Prandaj, në shtratin e vdekjes, parafrazohet të ketë thënë se “unë po largohem, por shteti do të mbetet përherë”.

Qasja e tillë ndaj shtetit, kur tërë fuqia unifikohet, duhet ndërlidhur me atmosferën politike të kohës. Siç dihet, posaçërisht shekulli XVI karakterizohej me pushtet të shpërqendruar, ku edhe mbreti, edhe kisha, por edhe feudalët, kishin hise në pushtet dhe një gjë e tillë e pamundësonte unitetin e shtetit dhe të vendimmarrjes. Gjendja e tillë kishte për efekt kaosin dhe trazirat e shpeshta sociale. Për këtë arsye, me synim të unifikimit të pushtetit të përçarë dhe dhënies fund përplasjeve mes qendrave të pushtetit, lindën idetë se duhet të ekzistonte një pushtet suprem, të cilit i duheshin bindur të gjithë.

Koncepti i sovranitetit dikur

Duke qenë se sovraniteti është një çështje themelore në kuadër të organizimit shtetëror, gjatë historisë ka pasur pikëpamje të ndryshme që e kanë pasuruar konceptin në fjalë. Në krye të mendimtarëve që e kanë strukturuar këtë koncept, pa mëdyshje, vjen juristi dhe filozofi francez, Jean Bodin.

Bodinie e shpjegon sovranitetin si pushteti më i lartë mbi shtetasit, i cili nuk kufizohet në asnjë rrethanë nga ndonjë pushtet më i lartë, përveçse me pushtetin e Zotit, sepse ky i fundit paraqet fuqinë më të lartë. Kësodore, sovraniteti mund të kufizohet vetëm nga ligjet hyjnore dhe ligjet e natyrës dhe nga disa rregulla themelore të mbretërisë.

Në thjerrëzën e Bodinit, sovraniteti është forca më e lartë shoqërore urdhëruese dhe e detyrueshme për të gjithë. Nuk kufizohet as me kohën, domethënë është i vazhdueshëm. Ai është absolut dhe i pakusht.

Në këtë linjë Bodini e përkufizon edhe pozicionin e mbretit. Sipas tij, mbreti e luan lirshëm autoritetin e vet politik e urdhërues pa u kufizuar nga askush, meqenëse burimi i autoritetit të tij nuk rrjedh nga e drejta civile, por nga e drejta hyjnore dhe, duke u pranuar kështu, kundërshtimi i mbretit (udhëheqësit) nga ana e shtetasve do të nënkuptonte edhe kundërshtim ndaj vullnetit të Perëndisë. Bindja ndaj një pushteti sovran absolut përbënte parakusht të organizimit të një shoqërie politike.

Krahas shpjegimeve në formë abstraksionesh, Jean Bodini e konkretizon shëmbëllimin e sovranitetit në veprime praktike të shtetit, në formën e urdhrit të sovranit, sikundër janë: vënia e taksave, ligjvënia, emetimi i parasë, vendimi për luftë a për paqe, etj. Me anë të këtyre shembujve, Bodini i jap trajtë lëndore sovranitetit dhe, faktikisht, e përshkruan pushtetin shtetëror, i cili manifestohet në funksion legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Dy shfaqjet e sovranitetit

Sovraniteti është i vetëm, porse shfaqet në dy aspekte: në atë të brendshëm dhe në atë të jashtëm.

Me sovranitet të brendshëm nënkuptohet pushteti politik në një shtet, i cili zë vend më lart se vatrat e tjera të pushtetit në kuadër të strukturës shoqërore. Megjithëkëtë, kjo nuk parakupton një pushtet të pakufizuar, porse një pushtet proporcionalisht më të lartë (summapotestas). Ndonëse në doktrinë hasen pretendime se sovraniteti nuk mund të paramendohet si i kufizuar, është i pakapshëm mohimi i tërësishëm i përpjekjeve të njerëzimit për ta kufizuar pushtetin absolut të shtetit në emër të një epiteti të shtetit, siç është sovraniteti. Janë disa veti të sovranitetit të brendshëm. Para së gjithash, sovraniteti është një pushtet origjinar, që domethënë se nuk buron nga një pushtet tjetër. Në një shtet nuk mund të ketë më tepër se një sovranitet. Tri pushtetet shtetërore (legjislativi, ekzekutivi e gjyqësori) nuk janë sovrane per se, por ushtrojnë kompetencën e dhënë nga sovrani.

aspektin e jashtëm të sovranitetit, tashmë nuk kontestohet zhbërja e kamotshme e tiparit absolut të sovranitetit shtetëror. Në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, të qenët sovran nënkupton qenësinë e subjektivitetit dhe – juridikisht – aftësinë për të lidhur marrëdhënie ndërshtetërore në një platformë të barabartë. Vetë Karta e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në nenin 2/1, definohet se “Organizata bazohet në parimin e barazisë sovrane të të gjithë anëtarëve të saj”. Kjo e drejtë e shteteve për të qenë të barabartë juridikisht, në teorinë e së drejtës ka zënë vend në çanësimin e motos “nuk ka epërsi sovrane në mesin e të barabartëve” (Par in parem nonhabetimperium).

Përkundër kësaj, nuk ka rregulla pa përjashtime, thoshin latinët e moçëm. E përjashtim nga parimi i barazisë mund të veçohet e drejta e vetos absolute, që u njihet pesë shteteve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Natyrisht, pabarazia në potencialin ekonomik, ushtarak e kulturor midis shteteve, de jure nuk ndikon në statusin e tyre ndërkombëtar, edhe pse – de facto – në të shumtën e rasteve provohet se shtetet e fuqishme ushtrojnë influencën e tyre kundrejt shteteve më pak të zhvilluara.

Titullar i sovranitetit: shteti apo qeveria?

Mbase do të duhet të vihet theksi edhe në një segment që – në diskursin publik – përshkon një përfytyrim të gabuar: ndodh që kur thuhet “shteti”, të aludohet në “qeverinë”, për shkak se forca e shtetit reflektohet rëndom në dorën e qeverisë. Veçan në opinionin publik shqiptar jo rrallë është dëgjuar të thuhet se kryeministri udhëheq shtetin, se qeveria ka në dorë gjithë pushtetin e kështu me radhë. Mbase edhe funksionimi i çalë i demokracisë dhe problemet me organizimin shtetëror në trojet tona janë shkaktarë të keqkuptimit të këtillë.

E vërteta është se vetëm shteti disponon me pushtetin sovran, ndërsa qeveria përdor pjesë të këtij pushteti (force) për aq sa i është dhënë asaj. Domethënë, ajo ushtron pushtet të kufizuar dhe jo të epërm. Mbase këtu duhet bërë diferencën mes sovranitetit të shtetit – që ngërthen në vete një atribut qenësor mbi epërsinë përballë faktorëve të brendshëm – dhe sovranitetit në shtet, që nënkupton bartësit e pushtetit shtetëror.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare qeveria është instanca kompetente ta përfaqësojë sovranitetin shtetëror. Ta zëmë, mund të ndodh që një qeveri të rrëzohet me metoda të dhunshme, si: puçe ushtarake, luftë civile, pushtim i huaj, etj. Në të tilla raste ka boshllëk të autoritetit politik në vend, veçse kjo nuk e zhbën ekzistencën e shtetit në arenën ndërkombëtare. Të kujtojmë ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, kur, fjala bie, gjermanët e kishin pushtuar Francën dhe francezët kishin formuar një qeveri të përkohshme me seli në Londër. Atëbotë, shtetet aleate të Francës e kishin njohur autoritetin përfaqësues të asaj qeverie, si një veti sovrane e saj. Ngjashëm, sot ndodh edhe me Libinë, e cila pas rrënimit të regjimit të Gadafit, ka shkarë në një luftë civile dhe brenda territorit të shtetit ka pretendime për qeveri legjitime nga disa grupe. Sidoqoftë, mungesa e një autoriteti të qëndrueshëm që do ta përfaqësonte shtetin libian në rrafshin e jashtëm nuk e ka zhbërë qenësinë e subjektivitetit ndërkombëtar të këtij shteti.

Fundja, në të drejtën ndërkombëtare publike nuk i jepet rëndësi parësore mënyrës së formimit të një qeverie (se a është demokratike), por se a është e aftë të përftojë marrëdhënie me shtetet e tjera në emër të shtetit të vet. Për këtë arsye nuk çon peshë modeli i qeverisjes dhe organizimi shtetëror i vendit tjetër.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se shtetet janë të lira t’i shpërfillin rregullat e së drejtës ndërkombëtare. Shteti është i lirë ta respektojë ose jo të drejtën ndërkombëtare, porse duhet të llogarisë edhe në pasojat e mundshme nga qëndrimi i tij. Dhe, nëse ndodh që shteti i caktuar të penalizohet, kjo do t’i kushtojë edhe popullatës. Pra, veprimet e gabuara të qeverive – para së gjithash – e dëmtojnë popullin e vet. Kështu, nëse një shtet detyrohet të paguajë kompensim a dëmshpërblim, edhe populli do t’i nënshtrohet këtij borxhi. Kësisoj, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, pasuritë e gjermanëve në shtetet e tjera ishin konfiskuar për të mbuluar nevojat e dëmshpërblimit ndaj shteteve fituese.

Sovraniteti dhe e drejta           

Dinamikat e ndryshimeve dhe transformimeve në organizimet strukturale shtetërore dhe ndërkombëtare kanë ndikuar që, në shekullin e fundit, nocioni i sovranitetit të konceptohet tjetërqysh. Për dallim nga qasja e mishëruar me Bodinin, sot sovraniteti nuk cilësohet si përdorim i fuqisë absolute, të pakontestueshme dhe të pakusht brenda kufijve të një territori të caktuar. Tashmë gjenden mekanizma kufizues ndaj pushtetit politik. Gjithë kjo ka ardhur si rrjedhojë e triumfit të ideve konstitucionaliste, veçmas atyre liberale, që mëtonin kufizimin e pushtetit politik. Për këtë arsye, disa studiues e afirmojnë mendimin se në vend të shprehjes sovranitet, më e përshtatshme është të përdoret termi pushtet sovran. Kështu, ngase sovraniteti prezumohet si i pandashëm dhe me epërsi absolute, kurse epërsia e pushtetit është relative, si në dimensionin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Së këndejmi, paralelisht me zhvillimet e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, sovraniteti është shndërruar në një pushtet të kufizuar e të ndërvarur nga disa kritere.

Vetë përgatitjet e kushtetutave, si rezultat i përhapjes së rrymave konstitucionaliste, prodhuan efektin e pranimit të kushtetutës si norma (akt) më e lartë i një shteti. Me këtë, sovraniteti zhvishet nga petku i pushtetit absolut dhe pajiset me disa tagra kushtetuese.

Faktor tjetër i relativitetit të sovranitetit paraqet lindja e gjyqësisë kushtetuese. Përderisa treguesi më konkret i sovranitetit – pushteti ligjbërës – nuk konsiderohet më vetëm si proces vendimmarrës në bazë të një shumice të caktuar, flet për dukurinë se sovraniteti i numrave është zëvendësuar me sovranitetin e së drejtës.

Ja, në këtë pikë shfaqet roli i gjyqësisë kushtetuese, e cila ka për detyrë ta mbrojë rendin në bazë të parimeve dhe standardeve kushtetuese, duke mos lejuar përpjekjen eventuale arbitrare të pushtetit politik në cenimin e demokracisë dhe dëmtimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Kjo gjendje e garancisë çon në konsolidimin e atij që në doktrinë quhet shtet i së drejtës.

Në fakt, problematika nuk qëndron në garantimin e të drejtave individuale ose të atyre publike nga ana e shtetit, por tek siguria që ato të mos cenohen nga pushteti politik (qeveria), që disponon hise të caktuara nga pushteti shtetëror.

Nga këto që u thanë më lart del se absolutizmi dhe moskufizimi i sovranitetit humbasin esencën kuptimore. Në shtetin e së drejtës përdorimi i pushtetit në emër të shtetit përvijohet nga disa kufij dhe në rast të shkeljes së tyre pason sanksionimi i paraparë me dispozita të së drejtës pozitive. Kësisoj, zhvillimet e shfaqura në fuqizimin e shtetit të së drejtës (në të cilin doemos përfshihen liritë dhe të drejtat e njeriut) kanë prodhuar një efekt kufizues mbi fushën e sovranitetit shtetëror.

Zgjerimi i të drejtave ndaj komuniteteve të ndryshme sociale (etnike, fetare, rajonale, etj.), per se,vërteton njëmendësinë se sovraniteti nuk mund të perceptohet më si i pandashëm. Njohja e statusit të veçantë për elementë të caktuar brenda shtetit ka shembur mitin e dikurshëm të pandashmërisë së sovranitetit. Sot, në pjesën dërrmuese të vendeve të botës, sovraniteti ndahet në baza rajonale, identitare, komunitare, territoriale, etj. Për shembull, pushteti legjislativ ndodh të ndahet midis një pushteti qendror dhe atij autonom (rajonal).

Kufizimi i sovranitetit përmes së drejtës

E drejta, si tërësi rregullash të vendosura në një rend juridik, është ajo që vë kufij, përfshirë këtu përdorimin e sovranitetit. Në këtë drejtim janë shpalosur disa qasje teorike, të cilat shkurtimisht do t’i shohim në vijim.

Në konceptin e së drejtës pozitiviste, e cila arriti famë me punën e juristit austriak Hans Kelsen, ekziston vetëm një e drejtë dhe ajo është e drejta që është në fuqi, e vendosur nga ana e shtetit. Në këndvështrimin pozitivist, para ekzistimit të shtetit nuk mund të flitet për ekzistimin e së drejtës. Nisur nga ky parakusht, vetëm shteti mund ta kufizojë veten, pra të bëjë vetëkufizim.

Teoritë që burojnë nga koncepti i së drejtës natyrore japin sqarime të tjera. Ato pretendojnë se edhe para krijimit të një shteti ekzistojnë disa rregulla të cilat janë mbi të (shtetin). Prandaj, shteti duhet ta ndërtojë rendin juridik, duke i marrë parasysh ato rregulla. Por, çfarë janë ato? Përgjigjja e kësaj nuk është unanime në teori. Njëra pikëpamje me bazë në të drejtën natyrore, që ka qenë e përhapur mjaft posaçërisht deri në shek. XVII, avokon mendimin se rregullat e tilla e kanë burimin në vullnetin hyjnor. Opinioni tjetër thotë që themelet e rregullave të së drejtës natyrore bazohen në mendjen e njeriut. Ndërkaq, disa studiues ofrojnë pikëpamjen se kufizimi i pushtetit të shtetit ka ndodhur si pasojë e kontratës shoqërore.

Në margjinat e teorisë së të drejtës objektive, e drejta buron nga shoqëria. Megjithëse teoricienët e kësaj rryme pajtohen me ekzistimin e disa parimeve supra-shtetërore, burimin e këtyre nuk e kërkojnë në thellësitë e pellgjeve metafizike – siç veprojnë ithtarët e së drejtës natyrore – por i shpjegojnë në konstruksion sociologjik dhe me anim shkencor.

Sovraniteti karshi të drejtës ndërkombëtare

Globalizimi, si proces i hovshëm, ka afektuar edhe sovranitetin e shteteve të pavarura. Intensifikimi i marrëdhënieve ndërkombëtare i ka dendësuar marrëveshjet ndërshtetërore. Anëtarësimi i shteteve në organizata ndërkombëtare – nolensvolens – i ka zbutur qëndrimet e ngurta të shteteve ndaj sovranitetit. Vetë termi i njohur si e drejta mbikombëtare/supra-nacionale (supra-national law) e përshkruan qartazi fenomenin në fjalë. Kjo vërehet në Bashkimin Evropian (BE). Me Traktatin e Maastricht-it të vitit 1993 është paraparë që shtetet anëtare t’i bartin në Union disa të drejta sovrane. Kështu, para se të bëhen pjesë e këtij Unioni, disa shtete i kanë ndryshuar kushtetutat e veta për t’i përshtatur me botëkuptimin e rregullativës së BE-së. Ky fakt është indikator i ndryshimit të konceptit të sovranitetit të dikurshëm, i cili nuk ndahej e nuk bartej. Në kohën tonë, shtetet që bëhen pjesë e organizatave ndërkombëtare, duhet t’i harmonizojnë legjislacionet e tyre të brendshme me rregullat e organizatës gjegjëse. Aq më tepër, në rastin e BE-së, shtetet anëtare detyrohen ta pranojnë supremacinë e rendit juridik të Unionit ndaj së drejtës së brendshme, gjë e cila e fakton kufizimin e sovranitetit shtetëror. Disa kompetenca me karakter të sovranitetit krejtësisht shtetëror, siç janë emetimi i parasë ose tarifa doganore, kanë kaluar në domenin e autoritetit të Bashkimit Evropian. Kemi po ashtu edhe shëmbëlltyrën e OKB-së. Këshilli i Sigurimit i kësaj organizate është veshur me kompetencën e vënies së embargos ekonomike e, madje, edhe të përdorimit të forcës në rastet kur ndonjë shtet e rrezikon paqen ose sigurinë globale. Me këtë mund të konkludohet se, me gjithë barazinë e shteteve në aspektin e sovranitetit, ka një ndryshim në paradigmën e pretendimit të absolutizmit dhe të paprekshmërisë së sovranitetit.

Karta e OKB-së vazhdon ta kategorizojë si të ndaluar ndërhyrjen në punët e brendshme të shteteve, sepse kjo do të thotë shkelje e sovranitetit të shtetit përkatës. Bile, ky rregull ishte absolut deri në formimin e OKB-së. Mirëpo, nxjerrja e një varg aktesh dhe nënshkrimi i marrëveshjeve në sferën e lirive dhe të drejtave të njeriut, ka bërë që ndërhyrjet eventuale ndaj shteteve me arsyetimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të ndryshojnë pikëpamjen e mosintervenimit në “punët e brendshme” të shtetit. Madje, në sfondin e idesë, intervenimi me karakter humanitar për të ndaluar veprimet mizore të një shteti ndaj shtetasve të vet haset edhe në pikëpamjet e mendimtarëve të shekujve të hershëm, si: Thomas Aquinas, Hugo Grotius etj. Shkeljet sistematike ndaj të drejtave të njeriut në një shtet mund të interpretohen si kërcënim i paqes së përgjithshme në botë, ngase ekziston probabiliteti i përhapjes së krizës vendore edhe përtej kufijve shtetërorë.

Shembull ilustrues për intervenimin humanitar të bashkësisë ndërkombëtare paraqet rasti i ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, në vitin 1999, për të ndalur agresionin e autoritetit shtetëror të atëhershëm serb. Përkundër këtij rasti, indiferenca ndaj ndodhive të natyrës së njëjtë e, mbase, me dëme edhe më të mëdha përgjatë viteve të ’90-ta në Bosnjë-Hercegovinë (veçmas gjenocidi i Srebrenicës), Ruandë, Çeçeni, etj., dhe aktualisht në Siri, kanë shfaqur dobësi të komunitetit ndërkombëtar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Në kontekstin e kufizimit të sovranitetit të jashtëm mund të përmendet edhe Aleanca Veri-Atlantike (NATO). Sikurse në shembujt e dy organizatave të sipërpërmendura, edhe shtetet anëtare të NATO-s duhet të lëshojnë pe nga sovraniteti i tyre për sa u takon marrëdhënieve të jashtme. Mirëpo, që në të tria rastet, shtetet anëtare e ruajnë sovranitetin e tyre shtetëror.

Sovraniteti nuk nënkupton më sjelljen sipas qejfit të shteteve. Në të drejtën ndërkombëtare publike moderne sovraniteti i një shteti nënkupton pavarësinë e tij. Kjo manifestohet me lidhjen e marrëveshjeve diplomatike, marrjen përsipër të detyrimeve, etj. Firmosja e konventave, pakteve dhe akteve të ndryshme ndërkombëtare, në cilësinë e palës, në të cilën shteti ngarkohet me ndonjë detyrim, mund ta kufizojë deri në një masë avrin operues, por nuk ia cenon pavarësinë. Ç’është e vërteta, vetë honepsja e normave të ngarkuara (qoftë edhe duke rënë në ujdi) nga një faktor i jashtëm bën që shtetet të mos tipizohen më si absolutisht sovrane në vendimmarrje.

Prania e trupave ushtarake të huaja në territorin e një shteti po ashtu flet për një lloj kufizimi të sovranitetit shtetëror. Situatë e tillë hasej në Gjermaninë Perëndimore deri në vitin 1990, madje edhe sot në një mori vendesh të botës.

Për më tepër, shtetet mund të hyjnë nën mbrojtjen e një shteti tjetër. Në këndvështrimin e së drejtës ndërkombëtare, elementi i sovranitetit mund të kufizohet tërësisht ose pjesërisht edhe me hyrjen e një shteti në një federatë. Duhet nënvizuar se heqja dorë nga sovraniteti në një moment të caktuar nuk nënkupton një humbje të pakthyeshme të sovranitetit. Shteti vazhdon ta ruajë të drejtën e kthimit të pavarësisë në një kohë tjetër.

Sovraniteti në Kushtetutën e Republikës së Kosovës

Republika e Kosovës ka dëshmuar bujari të bollshme në rastin e kufizimit të sovranitetit në rrafshin ndërkombëtar. Duke marrë parasysh rrethanat në të cilat zuri fill shteti kosovar dhe u hartua Kushtetuta, deri në një masë mund të kuptohen disa formulime kushtetuese paksa të pazakonta dhe me derë të hapur për ambiguitete.

Fillimisht, Kushtetuta (neni 2) i jep një ngjyrim demokratik sovranitetit kur atë ia atribuon popullit: “Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute”. Formulimi i tillë kushtetues vë në pah gjurmët e teorisë mbi kontratën shoqërore. Megjithëkëtë, ky nen vijon të jetë një ornament juridik, për shkak se raporti qytetar – përfaqësues është formal dhe kryesisht shpaloset në fushata elektorale. Aq më tepër, kur ende nuk është aplikuar asnjëherë instrumenti i referendumit e as ndonjë formë tjetër e demokracisë së drejtpërdrejtë.

Më pas, Kushtetuta potencon se “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj”. Pasi që sovranitetin e lidh me vullnetin e popullit, Kushtetuta e ndalon cenimin, tjetërsimin dhe ndarjen e pushtetit sovran dhe integritetit territorial të vendit.

Paragrafi i tretë i nenit 2, shprehet se “Republika e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, mund të marrë pjesë në sisteme të sigurisë ndërkombëtare”, që pasqyron edhe intencën e kushtetutbërësve mbi kursorin e politikave të jashtme të shtetit në të ardhmen.

Krahas këtyre përkufizimeve bazike, Kushtetuta parasheh edhe një përmasë delikate lidhur me sovranitetin: bartjen e sovranitetit të shtetit.

Në nenin 20, të titulluar “Bartja e sovranitetit”, thuhet: “Republika e Kosovës, në bazë të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare, për çështje të caktuara mund të kalojë kompetenca shtetërore organizatave ndërkombëtare”. Së pari, kalimi i kompetencave shtetërore organizatave ndërkombëtare përcaktohet të bëhet me një marrëveshje të ratifikuar, që domethënë se hartuesit e Kushtetutës kanë synuar të krijojnë përshtypjen e demokratizimit të procesit, pasi për këtë do të vendosnin përfaqësuesit e popullit. Së dyti, dhe kjo mbetet e turbullt, togfjalëshi “çështje të caktuara” nuk qartësohet në tekstin kushtetues. Mungesa e saktësimit të këtyre çështjeve mund të shndërrohet në objekt amullie në të ardhmen. Të supozojmë se kjo ndërlidhet me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në BE dhe NATO. Prapëseprapë, mendojmë se neni nuk do të duhej të formulohej “Bartja e sovranitetit”, sepse në një opsion të tillë Kosova do të transferonte disa të drejta sovrane të saj në organizatën respektive (siç u trajtua më lart) dhe nuk do ta bartte tërë sovranitetin e saj.

Paragrafi përmbyllës i nenit të përmendur specifikon se “Nëse një marrëveshje anëtarësimi e ratifikuar nga Republika e Kosovës për pjesëmarrje në një organizatë ndërkombëtare në mënyrë eksplicite kërkon zbatim të drejtpërdrejtë të normave të kësaj organizate, ligji me të cilin ratifikohet marrëveshja e anëtarësisë miratohet me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe ato norma kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës”. Epërsia e marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara është standardizuar në nivel kushtetues edhe me nenin 19/2, ku thuhet: “Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës”. Si rezyme, ato bëhen pjesë e rendit të brendshëm juridik të Kosovës dhe prevalojnë fuqinë e ligjit vendor, që nënkupton se klauzolat e marrëveshjes së ratifikuar ndërkombëtare qëndrojnë më lart se dispozitat ligjore.

Në këtë drejtim, neni 22 i Kushtetutës i ka saktësuar disa marrëveshje dhe instrumente ndërkombëtare, të cilat kanë zbatim të drejtpërdrejtë dhe prioritet ndaj ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike, ku bëjnë pjesë: Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut; Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj; Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj; Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare; Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor; Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas; Konventa për të Drejtat e Fëmijës; dhe Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese. Enumeracioni taksativ i këtyre akteve ndërkombëtare flet për orientimin e Kushtetutës së Kosovës në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe ndjeshmërinë e procesit kushtetutbërës në një shtet të porsalindur më 2008.

Përfundim

Një temë e ndjeshme si puna e sovranitetit nuk mund të trajtohet e t’i lidhet kryet brenda disa faqeve. Megjithatë, qëllimi i këtij shkrimi ishte pasqyrimi përmbledhtazi i pikave që hyjnë në domenin e kësaj çështjeje të rëndësishme.

Pa shtet nuk ka sovranitet dhe anasjelltas: pa sovranitet nuk ka shtet. Autoriteti vendosës dhe sanksionues i shtetit shpërfaq sovranitetin e tij. Së këndejmi, nëse shteti nuk është në pozicionin e garantimit të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor, të zbatimit të legjislacionit në fuqi ose të kontrollimit të integritetin territorial, atëherë atij i kontestohet tipari i sovranitetit.

Shteti është burim për të gjitha pushtetet e tjera dhe është i pakonkurrencë si autoritet. Asnjë pushtet nuk mund ta urdhërojë atë. Pra, shteti e ka monopolin e vënies së rregullës publike dhe, siç shprehej, MaxWeber-i “e posedon monopolin e dhunës legjitime”. Kjo nënkupton se shteti është i pajisur me instrumente dhe mekanizma të nevojshëm për të sanksionuar shkelësit e ligjit, gjë që mund të kalibrohet si dhunë e bazuar në të drejtën.

Epoka në të cilën po jetojmë e ka bërë të pamundur izolimin e shtetit dhe mbylljen e tij në një gëzhojë të ngurtë, kjo në emër të sovranitetit. Ka marrë hov përhapja e teknologjisë dhe, sidomos, interneti, të cilët i kanë çarë kufijtë fizikë të shteteve. Bota është më e vogël se kurrë më parë dhe çfarëdo informacioni dhe ndikimi kulturor, politik, social a ekonomik e prek mbarë globin në kohë reale.

Këtyre zhvillimeve nuk i ka rezistuar asnjë shtet. Nevoja për bashkëpunim, si rrjedhojë e ndërvarësisë ekonomike dhe të sigurisë, e ka nxjerrë si produkt lidhjen e pakteve, marrëveshjeve dhe integrimeve në organizata ndërkombëtare. Përveç elementeve socio-politike, siç është krenaria kombëtare, situata botërore e ka lëkundur edhe konceptin e shenjtëruar të dikurshëm mbi sovranitetin e shtetit, sepse secili shtet detyrohet të sakrifikojë nga autoriteti i vet, në mënyrë që të gjendet një gjuhë e përbashkët në skenën ndërkombëtare.