Eurozhgënjimi ballkanik!

Eurozhgënjimi ballkanik!

Për ta sfiduar eurozhgënjimin, mbase iniciativa reale rajonale do të ndihmonin popujt e Ballkanit perëndimor që të kenë para së gjithash një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik. Dhe ky bashkëpunim në radhë të parë duhet të përfshijë Shqipërinë dhe Kosovën, të cilat kanë më së shumti interesa, premisa dhe resurse të qëndrueshme për bashkëpunim praktik. Më tutje, ky rreth mund të zgjerohet me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, si aleanca që e kanë më të qartë rrugën eurointegruese…

Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Historikisht dhe objektivisht, të jesh vend europian dhe me vite të mbetesh jashtë dyerve të Bashkimit Europian, paraqet paradoks më vete! Politika e kushtëzimeve që kanë inkurajuar vazhdimisht vende të caktuara anëtare të BE-së kundrejt vendeve tjera (kryesisht fqinje), ka sjellë në situata të palakmueshme dhe shpeshherë edhe qesharake. Prandaj, sidomos si rezultat i ngatërresave të vazhdueshme të vendeve ballkanike për çështje identitare dhe etnike, ndihmuar nga krimi e korrupsioni, ky rajon po vazhdon të qëndrojë në vendnumërim. Dhe, parë në përgjithësi, ata që më së shumti janë duke hequr të ‘zitë e ullirit’, për shkak të mbetjes jashtë BE-së, janë pikërisht shqiptarët të shpërndarë në më shumë vende ballkanike.

Padrejtësitë që Europa u kishte bërë shqiptarëve që nga luftërat e mëdha botërore dhe marrëveshjet skandaloze të paqes, në Londër, Paris e gjetiu, nuk u shlyen me shtetësinë e Kosovës apo zgjerimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Dhe tani kur nxirren njëmijenjë kushte për inkuadrim në BE, vërtetë ndjell një ndjenjë pasigurie dhe euroskepticizmi. Eurozhgënjimi ballkanik merr përmasa neveritëse, aq sa ushqen dilemën për rrugën që duhet ndjekur tutje?!

 

Politikat e akullta europiane

 

Me mbajtjen e vendeve tona jashtë BE-së, vendet europiane po tregohen të pasinqerta me qytetarinë tonë europiane. Po tallen me besimin e verbër që kanë ballkanasit me vlerat europiane.

Ta zëmë, futja e Shqipërisë me një bllok me Maqedoninë e Veriut për çeljen e negociatave me BE-në, nuk ka kurrfarë kuptimi, përveç një bllokade të qëllimshme që qarqeve antishqiptare në BE. Kjo frymë po shihet edhe me qasjen e tyre ndaj Kosovës me shumicë shqiptare. Qytetarë që nën regjimin komunist jugosllav me një pasaportë e kanë shëtitur botën, sot janë bllokuar dhe getoizuar duke mos mundur të lëvizin askund pa viza. Shqiptarët e Kosovës, dhe jo vetëm, janë qytetarët më europianë të këtij kontinenti, jo vetëm se me orientime strategjike properëndimore, por edhe me vlerat qytetëruese që bartin me vete, duke shkëmbyer në vazhdimësi me kulturat europiane, andaj kjo qasje e saj e akullt duhet të jetë objekt permanent i çdo kritike.

Tani, jorastësisht herë pas here dalin në shesh nisma alternative që synojnë ta sfidojnë këtë politikë inerte të shumë vendeve europiane që e përbëjnë BE-në.

Në fillim të këtij viti, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e “kërcënonte” Europën për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë përmes referendumit popullor, nëse deri në vitin 2024 Kosova nuk do të jetë pjesë e strukturave euroatlantike. Ndërsa, paraprakisht nga disa liderë rajonal (Rama, Vuçiq, Zaev), zuri fill ideja e Minishengenit ballkanik, e cila më vonë u mbiquajt Ballkani i hapur, sidomos për shkak të kundërshtimeve të forta që mori veçanërisht në Kosovë, me çka edhe u neutralizua dukshëm. Nisma e tillë, aktuale edhe sot e kësaj dite, më tepër se sa një shou rajonal, i ngjason një triku për presion karshi politikave zyrtare të BE-së, që nuk po reflektojnë mjaftueshëm për inkuadrimin e shteteve të Ballkanit perëndimor në këtë strukturë të rëndësishme të bashkësisë ndërkombëtare.

 

Ëndrrat ruse

 

Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të gjitha këto vende, kush më shumë e kush më pak, janë aspirantë për anëtarësim në BE, meqë shumica prej tyre rrugë tjetër nuk kanë. Eventualisht Serbia dhe pjesa serbe e Bosnjës shohin ëndrra kah Rusia, por që të ndërpriten këto ëndrra, BE-ja duhet të reflektojë edhe në drejtim të tyre. Ashtu siç e tërhoqi vite më parë (më 2007) Bullgarinë nga centrifuga ruse, kështu do të duhet të ndodhë edhe me to sa më shpejt që është e mundur, meqë rruga tjetër është shumë më e zymtë dhe më problematike për të ardhmen jo vetëm se të rajonit, por edhe botës.

Zaten, Rusia po bën përpjekje të vazhdueshme dhe investime të mëdha për ta devijuar rrugën eurointegruese të vendeve ballkanike, dhe është e kuptueshme më së tepërmi terren ka në Serbi, etnitetin serb të Bosnjës, dhe përpjekjet e saj të fundit ishin me instrumentalizimin e kishës ortodokse malazeze.

Edhe në Maqedoninë e Veriut së fundi është vërejtur ndikimi i saj faktik duke shtyrë në orbitën e saj eksponentë me ndikim të partisë maqedonase aktualisht në opozitë VMRO-DPMNE.

 

Orientimi shqiptar kundrejt eurozhgënjimit

 

Por ku mbeti fati i shqiptarëve në këtë kazan ballkanik, me një sfond të largët drejt perspektivës europiane?!

Me gjithë këtë tunel të gjatë e të errët, tani për tani shqiptarët nuk mund të kenë ndonjë alternativë tjetër pos integrimit në Bashkimin Europian. Orientimi properëndimor i kombit tonë është vulosur gjatë shekujve të fundit të historisë dhe kjo konsistencë na bën të jemi koherent me aleatë që janë faktor vendimmarrës në botë.

Për ta sfiduar eurozhgënjimin, mbase iniciativa reale rajonale do të ndihmonin popujt e Ballkanit perëndimor që të kenë parasëgjithësh një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik. Dhe ky bashkëpunim në radhë të parë duhet të përfshijë Shqipërinë dhe Kosovën, të cilat kanë më së shumti interesa, premisa dhe resurse të qëndrueshme për bashkëpunim praktik. Më tutje, ky rreth mund të zgjerohet me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, si aleanca që e kanë më të qartë rrugën eurointegruese. Ta zëmë, një faktor i rëndësishëm në lehtësimin e komunikimit të ndërsjellë përmes këmbimit valutor rajonal do të ishte përshtatja e monedhës së Euros, duke hequr nga përdorimi monedhat nacionale të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, meqë edhe ashtu praktikisht të gjitha llogaritë tona të përditshme maten me vlerën e euros. Sot po të nisesh nga Shkupi, përmes Prishtinës për në Tiranë, do të duhet të kesh nëpër xhepa tri lloje të monedhave (denarin, euron, lekun), në vend se të kemi në përdorim vetëm se një lloj monedhe të fortë – euron. Në atë mënyrë do t’i bashkoheshim tregut të madh kontinental të mbi 320 milion europianëve që aktualisht e përdorin monedhën euro, pavarësisht nëse janë apo jo anëtare të BE-së.

Pra, një hapje e sinqertë dhe bashkëpunim më i ngjeshur mes katër shteteve ballkanike: Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, do të dërgonte sinjale më të qarta edhe ndaj Serbisë, e cila do të detyrohet që sa më parë ta njohë shtetësinë e Kosovës, nëse dëshiron të ecë përpara.

Në këtë rast, heqja e këtyre kufijve ballkanikë, nuk guxon në asnjë mënyrë të matet me frikën e vendeve të caktuara të BE-së se shqiptarët do të realizojnë aspiratat e tyre shekullore për bashkim kombëtar. Por përkundrazi, duhet parë si një shans më tepër për evoluim demokratik, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale të qytetarëve, të cilët si rezultat i kësaj amullie që po zgjatë me dekada të tëra, çdo ditë e më tepër po i braktisin trojet shekullore për një jetë më të mirë në Europën Perëndimore.