` . Europa si elefant: Ideali mbi larminë dhe unitetin - TV SHENJA

Europa si elefant: Ideali mbi larminë dhe unitetin

Nuk mund të ndërtohen ura pajtimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në rajonin e trazuar për sa kohë Serbia e promovon ideologjinë e vjetër ekspansioniste. ​​Për një “Ballkan të Hapur” duhet “Oda e Gëzimit” dhe jo “Kënga e Drinës”. ​​Një Ballkan i hapur mund të realizohet vetëm në kuadër të një Europe si elefant.

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Europa është krahasuar me elefantin. Përmasat reale të krijesës gjigante shihen vetëm nga largësia. Nga afër shohim vetëm detaje.

​​Ky krahasim nënkupton se projekti i Europës mund të funksionojë vetëm si tërësi. Si një trup. Si një sistem.

​​Europa e fragmentarizuar dhe pa shpirtin solidar është e humbur. ​​Ajo është tronditur sa herë është fragmentarizuar dhe kur ka devijuar nga idealet e gjenive të saj më të mirë, të cilët janë angazhuar për një bashkim njerëzish, kulturash dhe kombesh rreth vlerave të përbashkëta humane, por duke i ruajtur veçantitë e tyre.

​​Fragmentarizmi i Europës u pa gjatë kohës së pandemisë së Covid-19.​​ Në situatë emergjence ajo nuk veproi si trup i vetëm.

​​Fillimisht, Italia, shpirti i Europës, u la e vetmuar përballë pandemisë, kurse shtetet europiane jashtë BE-së u trajtuan si të dorës së dytë. ​​Çdo shtet u kujdes vetëm për territorin e tij.

​​Në vend se Europa të ishte unitet dhe larmi ajo u fragmentarizua. Kjo i zhgënjeu së pari italianët, të cilët ia përkujtuan vlerat e përbotshme që ky vend ia kishte dhënë Europës përgjatë shekujve.​​ Njëra nga shtyllat kryesore të kështjellës së quajtur Europë gjendet në Romë.

​​Ky veprim na kujton tezën e Fernand Braudelit, shprehur te Gramatika e qytetërimeve. Ai thotë se “çdo shtet luan në mënyrë egoiste për veten e tij”.

​Europa ka kohë që nuk e dëgjon zërin e gjenive të saj më të mirë. Elitat mendore europiane e kanë humbur ndikimin kundrejt elitave politike meskine. ​​Burokracia ende nuk çlirohet nga paragjykimet e së kaluarës. Ajo përqendrohet te projektet e parëndësishme dhe kështu i ndihmon euroskepticizmit, të cilin e propagandojnë ata që e duan një Europë të përçarë, të pavendosur dhe të pafuqishme.

​​Shumë europianë të mirë e kanë kritikuar këtë qasje të elitave politike europiane. Ata i shqetëson fragmentarizmi i Europës, sepse ka qenë i kobshëm për kontinentin.

​​Deni de Ruzhmoni në librin 28 shekuj Europë shkruan:“Europa e bashkuar nuk është vetëm rrugëdalje moderne, ekonomike ose politike, por një ideal që e dëshmojnë tash e mijëra vjet shpirtrat më të mirë të saj, ata që shikonin më larg dhe më përpara… Ne do ta gjejmë Europën vetëm duke e krijuar… duke e ripërtërirë vazhdimisht rrezatimin e gjeniut të saj të veçantë, që me të drejtë ndjehet se është i përbotshëm”. 

​​Projekti europian nuk është statik. Ai duhet të plotësohet dhe të rikrijohet në vazhdimësi, në varësi nga rrethanat e ndryshme. Këtë gjë mund ta bëjnë gjenitë e Europës.

​​Ky ideal është cenuar. Por, ndonjëherë duhet një tronditje që zonja plakë të zgjohet nga letargjia shumëvjeçare. ​​Ndonjëherë duhet shkrepja e një diçkaje tronditëse që ajo t’u kthehet idealeve të saj.

​​Është koha kur elefanti duhet të shikohet si i tërë. Diçka që nuk arrijnë ta kuptojnë burokratët mediokër që sillen me mendjemadhësi të frikshme kundrejt “botës tjetër”. Dhe, kjo “botë tjetër” nuk është larg. Ajo është në Europë. Është pjesë e elefantit.

​​Në një shtëpi ku pyeten shumë veta dhe ku secili vepron sipas mendjes së tij, është vështirë të merren vendime të rëndësishme për të gjithë.

​​Elitat politike europiane kanë probleme edhe me vlerat në të cilat thirren. Shpesh nuk duan ta kuptojmë se çdo sistem kulturor i ka veçantitë e tij, prej të cilave popujt nuk heqin dorë për shkak të pragmatizmit dhe miopisë politike.

​​Të jesh pjesëmarrës në krijimin e vlerave supranacionale nuk do të thotë të heqësh dorë nga vlerat kombëtare. ​​Këtë na e kanë thënë shumë europianë të mirë që e duan një Europë diversitetesh. Ata i konceptojnë dallimet si pasuri të saj. E kuptojmë botën si koalicion kulturash. ​​Unitetet kombëtare dhe kulturore, po sipas Braudelit, nuk janë mohim i realitetit të Europës, por janë pasuri e saj.

​​Nëse Europa duhet të jetë si elefanti, të njëjtën gjë mund ta themi për Ballkanin, i cili mbetet i fragmentarizuar.

​​”Ballkani i hapur” është projekt që gadishullin tonë nuk e sheh si elefant. Ky është projekt me shumë të panjohura dhe tentohet të realizohet pa ndryshim të vetëdijes mbi Ballkanin.

​​ Nuk mund të ndërtohen ura pajtimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në rajonin e trazuar për sa kohë Serbia e promovon ideologjinë e vjetër ekspansioniste. ​​Për një “Ballkan të Hapur” duhet “Oda e Gëzimit” dhe jo “Kënga e Drinës”. ​​

Një Ballkan i hapur mund të realizohet vetëm në kuadër të një Europe si elefant.

Një “Ballkan i Hapur” mund të realizohet vetëm nëse do të ndryshojnë elitat politike. Kur do të vijnë elita që nuk do të pajtohen me krimin, që nuk do të na thonë se duhet të kalojmë nëpër një proces të ri amnezie, pra të harrojmë të kaluarën. Jo. E kaluara nuk mund të harrohet. Ky është mësimi që na jep historia.