Euro bie në nivelin më të ulët të 20 viteve kundrejt dollarit amerikan

Euro bie në nivelin më të ulët të 20 viteve kundrejt dollarit amerikan

Euro ka shënuar rënie në një nivel më të ulët të 20 viteve kundrejt dollarit amerikan, me shtrëngimin monetar të Rezervës Federale të SHBA-së dhe luftën e Rusisë ndaj Ukrainës që kërcënon furnizimin me energji për Evropën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas shifrave zyrtare, euro kundrejt dollarit ra në 1,0053 mëngjesin e sotëm, niveli i saj më i ulët që nga 6 dhjetori i vitit 2002.

Indeksi i dollarit, që përdoret për të matur vlerën e dollarit amerikan kundrejt një shporte prej gjashtë valutash të huaja që përfshijnë paundin britanik, euron, frangun zviceran, jenin japonez, dollarin kanadez dhe kronën suedeze, u rrit për 1,1 për qind në 108,19, duke regjistruar një nivel të ri rekord 20-vjeçar.

Rezerva Federale e SHBA-së ka bërë gjithsej 150 pikë bazë rritje të normës që nga muaji mars për të zbutur inflacionin rekord, duke e çuar indeksin e dollarit më lart. Nga ana tjetër, Banka Qendrore Evropiane (ECB) nuk ka bërë ende një ndryshim në normat e interesit.

ECB-ja pritet të bëjë një rritje të normës prej 25 pikë bazë më 21 korrik, ndërsa Rezerva Federale e SHBA-së pritet të rrisë normat në mënyrë agresive me 75 pikë bazë më 27 korrik.

Lufta në Ukrainë vazhdon të përbëjë rrezik për eurozonën, ndërsa Gjermania, ekonomia më e madhe e bllokut evropian, potencialisht përballet me një ndalim të përhershëm të rrjedhës së gazit natyror rus.

Ashtu si ekonomia amerikane, edhe ajo evropiane janë zhytur në frikën e recesionit.