Escobar: Asociacioni nuk duhet të jetë shtet brenda shtetit

Escobar: Asociacioni nuk duhet të jetë shtet brenda shtetit

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, të enjten ripërsëriti se Kosova duhet ta themelojë sa më shpejt Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Themelimin i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është dakorduar me dy palët, Kosovën dhe Serbinë, në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja është ratifikuar në parlamentin e Kosovës dhe Kosova duhet t’i plotësojë obligimet ligjore dhe ta implementojë pa vonesa”, tha ai./ REL