Escobar: Arritja e një marrëveshjeje për rrugën përpara mes Kosovës e Serbisë, çështje javësh

Escobar: Arritja e një marrëveshjeje për rrugën përpara mes Kosovës e Serbisë, çështje javësh

I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së një marrëveshjeje, duke theksuar se dëgjuar nga kolegët evropianë se bëhet fjalë për “çështje javësh dhe jo vitesh”.

Gjatë një interviste për televizionin kosovar, Kanal 10, Escobar u pyet nëse bëhet fjalë për arritjen e një marrëveshjeje mbi propozimin e Francës dhe Gjermanisë, që thuhet se u është dorëzuar liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Por, ai tha se bëhet fjalë për “një marrëveshje për rrugën përpara”.

“Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke pasur parasysh kontekstin e asaj që po ndodh, të gjithë duhet të ngrihen dhe të marrin përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon. Ne do të donim ta shihnim Kosovën që të rreshtohet më shumë sa i përket çështjeve të stabilitetit rajonal dhe kjo është mënyra se si mund ta bëjnë”, tha ai.

Duke folur mbi propozimin e Francës dhe Gjermanisë, që thuhet se u kanë dorëzuar liderëve të Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshjeje, Escobar tha se SHBA-ja mbështet këtë propozim dhe çfarëdo që shtetet evropiane sugjerojnë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, duke porositur Kosovën dhe Serbinë që të marrin seriozisht propozimin.

“Ne mendojmë, sikurse na është shpjeguar, se ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht të Serbisë, në integrimet euroatlantike”, tha Escobar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë propozim franko-gjerman konsiston në atë që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në BE.

Escobar tha se “ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat e tjera evropiane”.

Pavarësisht se propozimi franko-gjerman, siç është raportuar, nuk përfshin njohjen reciproke, Escobar tha se njohja reciproke “do të ndodhë”.

“Çështja është koha se kur do të ndodhë. Por, ajo që është më e rëndësishme për Kosovën është që të nisë një rrugë më të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euroatlantike, duke përfshirë edhe njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së”, tha Escobar.

Sa i përket propozimit franko-gjerman, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka një propozim për marrëveshje finale.

Escobar po ashtu tha se kanë kërkuar që Kosova të shtyjë për dhjetë muaj afatin për riregjistrimin e targave që lëshohen nga Serbia në targa RKS- Republika e Kosovës.

“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit [të vendimit për riregjistrim] deri në 10 muaj të tjerë. Do të doja të shihja që kjo të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e SHBA-së, por e gjithë shteteve të QUINT-it. Kjo për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, tha Escobar, teksa afati për këtë proces pritet të përmbyllet më 31 tetor.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 dhe ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Së fundmi, Franca dhe Gjermania kanë shtuar përpjekjet për të shtyrë Prishtinën dhe Beogradin drejt arritjes së një marrëveshjeje.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron përmes një letre dërguar Kurtit dhe Vuçiqit më 4 shtator, u kërkuan që të jenë të gatshëm për vendime të vështira në dialog.

Kosova dhe Serbia kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të dialogut. Përderisa Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, por pa specifikuar se për çfarë zgjidhje bëhet fjalë. /Rel/