` . Errësim i arsyes - TV SHENJA

Errësim i arsyes

Njerëzit që debatojnë mbi bazë stereotipash janë më të vështirët për t’u bindur që të heqin dorë nga pikëpamjet e tyre mbi çështje që ata as që duan t’i pranojnë në tryezën e debatit, dhe jo më t’i pranojnë si të vlefshme për rregullim të shoqërisë. Edhe nëse i pranojnë si lëndë debati me siguri që kanë për qëllim t’i përdorin si lëndë tallje e fyerje për tjetrin përballë 

Nuredin NAZARKO, Korçë

Errësimi i arsyes ka marrë përhapje të gjerë dhe nuk mund të mos merret në konsideratë. Edhe në thellësitë historike të historisë njerëzore mbi tokë ka qenë prezent. Sot jemi më të vetëdijshëm mbi rrezen e shpërhapjes së errësimit të arsyes, sepse jetojmë krah për krah me të si dhe jemi vazhdimisht të informuar mbi shpërfaqjet e saj. Treguesit janë sheshit, mjafton të kesh sy për të parë, veshë për të dëgjuar dhe zemër për të kuptuar.

Errësimi i arsyes është i lidhur ngushtësisht me tipare të caktuara, të cilat në një mënyrë apo në një tjetër nuk i lënë shteg të përvidhet mes ligustrash për të humbur gjurmë. Nuk është e pritshme që çdokush të arrijë të shohë gjurmët e këtij errësimi në natën e errët mbi rërën e zezë. Këtë mund ta kuptojë vetëm ai që mban brenda zemrës pishtarin që shkëlqen nga nuri i kandilit, që ndriçon brenda një qelqi e që ushqehet me vajin e një peme të bekuar siç është ulliri.

Tiparet shquese të errësimit të arsyes vërehen qartas në situata debati, ku fjala tregon shumëçka prej shpirtit, prej zemrës.

Vetëmburrja si mendjehapur. Zakonisht ata që vetëmburren si mendjehapur janë de facto tepër të anshëm në mendimet e tyre. Të qënit mendjehapur shpesh konsiderohet si vlerë, sepse ngatërrohet me respektin dhe pranimin e tjetrit ashtu siç është. Mund ta pranojmë tjetrin siç është vetëm nëse nuk e ka përbaltur jetën me zullum dhe padrejtësi. Mund të ketë njerëz që kanë durimin të dëgjojnë tjetrin në debat, por përtej qartësisë së argumentimit nga pala përballë zgjedhin t’i qëndrojnë besnik bindjeve të tyre personale. Ky qëndrim tregon ashiqare se janë mendjehapur, por vetëm kur pranon mendimin e tyre. Në të kundërt je fanatik, primitiv.

Ndërtimi debatit mbi qëllimin për ta mposhtur tjetrin. Ndryshimi mendimeve është karakteristikë e shoqërisë njerëzore. Debatet po ashtu, përderisa idetë mbi të cilat ndërtojmë jetën janë të ndryshme. Në debat syresh të caktuar nuk hyjnë me qëllim për të zbuluar anë të panjohura të diturive, apo për të qartësuar ide të caktuara. Qëllimi i vetëm është të dalin fitues nga debati. Duke hyrë me këtë qëllim debati përfundon qysh në nisje, pasi çdo lloj argumentimi që bëhet mbi çështjen që diskutohet do të bjerë në vesh të shurdhër. Në një debat të kësaj natyre ka vetëm harxhim të panevojshëm të energjive. Pala që synon vetëm fitore nuk pranon argumentime që bien ndesh me atë çka beson kjo palë për çështjen që diskutohet, cilado qoftë çështja. Njerëz që orë e çast flasin për ndjekje të arsyes, objektivitet, “papritur” përfundojnë në ngurtësi mendimi. Si përfundim as që duan të dëgjojnë palën tjetër, pasi janë të bindur katërçipërisht në idetë që i besojnë si të vërteta, ndërkohë që deklamojnë se janë gjithmonë në ndjekje të arsyes së kulluar për të kuptuar të vërtetën. Mesa duket e vetmja e vërtetë që duan është ajo çka e besojnë për të tillë.

Zhvlerësimi i diturive të tjetrit si parakusht për ta detyruar të kundërsulmojë. Përgjatë debatit ravijëzohet metoda mbi të cilën ndjekësit e arsyes vetjake detyrojnë debatin të hyjë në rrjedhën, ku ata janë notarë të mirë. Për ta drejtuar debatin drejt këtij mjedisi zhvlerësojnë vlerën e diturive që ka tjetri përballë. Kjo bëhet që tjetri të ndihet i prekur në sedër dhe të humbasë qetësinë, për ta çuar debatin drejt një debati që merr ngjyrimet emocionale të vetes. Kësisoj palët në debat do të merren me formimin e njëri – tjetrit dhe jo me thelbin e çështjes që debatohet. Debati kthehet në çështje personale dhe pala që zhvlerëson dituritë e tjetrit tashmë është e gatshme ta kategorizojë tjetrin si palë që sulmon e kritikon arsyen pa arsye. Për rrjedhojë nuk pranon argumentime nga debatues që nuk janë vetvetja, por janë të ndikuar nga ide që sipas tij/saj u ka kaluar koha.

Ndërtimi i debatit mbi verbëri ndaj virtyteve. Relativizimi i virtyteve ka marrë përhapje të gjerë. Njerëzit kanë marrë përsipër të vendosin vetë çka është e çka nuk është virtyt. Çfarë është virtyt për ty nuk është për mua e çfarë është për mua nuk është për ty. Kësisoj, sado t’i mëshosh rëndësisë së virtyteve në jetën e njeriut nuk do ta pranojnë kurrsesi vlerën e tyre, pasi që virtytet nga kjo kategori debatuesish konsiderohen si kufizues të jetës së njeriut dhe pengesë për të jetuar sipas qejfit.

Shmangia ndaj thelbit dhe përqendrimi në çështje periferike. Shpesh debatet shmangen nga thelbi dhe drejtohen drejt periferive, duke i përqendruar të gjitha energjitë në çështje të cilat janë më shumë pasoja sesa shkaqe reale të problemeve që ndodhin në shoqëri. Ndërkohë që proverbi na thotë se demi kapet nga brirët dhe jo nga bishti. Mirëpo duke mos dashur të prekin thelbin e të jetuarit në verbëri ndaj virtyteve, merren me çështje të cilat nuk kishin për të qëeë aspak lëndë debati nëse do të ishte kuruar origjina e shkaktimit të tyre. Duke ruajtur të paprekur origjinën e problemeve vetëm se tregojnë se sa shumë e duan qenien njerëzore dhe vlerat që i japin kuptim jetës së njeriut.

Stereotipat si bosht qendror. Debati mbi problemet e shoqërisë që ngrihet mbi ide kallpe, që besohen si për të vërteta absolute,është debat ku patjetër do të dëgjosh lumë akuzash nëse mbron jetën sipas virtyteve. Njerëzit që debatojnë mbi bazë stereotipash janë më të vështirët për t’u bindur që të heqin dorë nga pikëpamjet e tyre mbi çështje që ata as që duan t’i pranojnë në tryezën e debatit, dhe jo më t’i pranojnë si të vlefshme për rregullim të shoqërisë. Edhe nëse i pranojnë si lëndë debati me siguri që kanë për qëllim t’i përdorin si lëndë tallje e fyerje për tjetrin përballë. Kjo gjendje tregon se sa e rëndë është gjendja e atyre që nuk shohin asgjë të vlefshme përtej besimit vetjak në ide të caktuara, që merren për të vërteta absolute e ndërkohë origjina e tyre nuk është tjetër vetëm se egoizmi ose ideologji të sendërtuara nga individë të caktuar.

Errësimi i arsyes për një kohë të gjatë dhe mungesa e dëshirës për t’u çliruar prej tij janë rreziqe serioze për njeriun. Njeriut i është dhënë arsyeja për ta vënë në punë që të hulumtojë, zbulojë atë pjesë të qenies që ende nuk e njeh, qoftë përmes meditimit mbi veten, qoftë përmes përballjes me botën që e rrethon. Nuk mund të hyjnizohet arsyeja dhe vlera e gjithçkaje të kalojë në sitën e saj, kur edhe vetë arsyeja është e kufizuar. Kushdo që i jep arsyes më shumë se sa mund të mbajë me limitet e veta, me siguri që do të hyjë në epokën e errësimit të arsyes. Paskëndaj kohëzgjatja është një histori që nuk e dimë me siguri sesa mund të zgjasë. Për të qenë respektues të arsyes, duhet të respektojmë limitet e saj. Pjesa tjetër do të jetë shumë më e lehtë me siguri, pasi që njeriu nuk do të mbajë mbi supe çështje për të cilat nuk është aspak kompetent.